Volfang Amadeus MOCART

MOCART Volfang Amadeus (1756-1791) kompozitor i madh austriak

* Mocarti i vogël ishte në Paris, kur sapo kishte mbushur shtatë vjeç e gjysmë. Luajti në klaviçembal në mënyrë të mahnitshme, improvizoi arie të vogla e sonete sa që i habiti dëgjuesit. Edhe kur i ati, për t’i bërë më të qarta aftësitë e tij të jashtëzakonshme, ia mbuloi tastierën me një cohë leshi të hollë, ai ekzekutoi jo më keq se kur tastiera ishte e zbuluar. E thirrën në oborr ku mbreti e përgëzoi dhe mbretëresha e ngopi me ëmbëlsira. Në fund donte ta shikonte edhe Zonja Pompadur. Ajo për ta parë sa më mirë e vendosi në këmbë mbi një tryezë. Djali i vogël i zgjati dorën që t’ia puthte, por ajo nuk dënjoi t’i përgjigjej kësaj kërkese. Atëherë Mocarti i vogël, të cilin e kishte puthur perandoresha Mari Tereza, u prek dhe i tha:

– Kush është kjo grua kryelartë që nuk do të më puthë, kur vetë perandoresha më ka puthur?

Ai i tha këto fjalë në gjermanisht. Pompadur nuk e kuptoi, ndryshe Mocarti i vogël mund të përfundonte në podrumet e Bastijes.

* Mocarti u kthye në Paris në moshën njëzetvjeçare, kur i vdiq e ëma. I pikëlluar la hotelin, ku qe ftuar nga Grim, i cili nuk kishte asnjë besim në aftësitë muzikore të Mocartit.

Ai e detyroi djalin që të largohej të cilit iu desh të ndalej në Strasburg për të dhënë një koncert sepse nuk kishte paratë e nevojshme për udhë. – Salla më kishte pritur, – thoshte më vonë Mocarti, – në një tryezë të përgatitur për njëzetekatër vetë, ku vetëm tre a katër ishin duke ngrënë. Ky ishte dështim i plotë për Mocartin. Pasi u paguan shpenzimet, atij i dhanë si shpërblim një luigj, që ishte i mjaftueshëm vetëm për të bërë me karrocë një copë rrugë tjetër.

* Mocarti u martua me të bijën e një kopisti të teatrit: Kjo vajzë quhej Kostanca dhe Mocarti u martua me të pas shumë kundërshtimesh. Çifti ishte i lumtur dhe Mocarti qe bashkëshort shumë i mirë. Kur Kostanca ishte e sëmurë, i shoqi, para se të dilte nga shtëpia i shkruante nga një pusullë. Në njërën prej tyre shkruhej: “Mirdita e dashura gruaja ime. Shpresoj se do të kesh fjetur. Nuk po të çoj shpejt se mos ftohesh. Mos u lodh dhe se mos u grind me personelin e shërbimit. Kujdes mos pengohesh në pragun e paradhomës. Mos i bëj të gjitha punët e shtëpisë derisa të vij edhe unë.”

* Kur u dha opera “Don Zhuan” për herë të parë, mbreti e përgëzoi Mocartin, por nga që nuk kuptonte fare nga muzika i tha;

– More, sa shumë nota që kishte! Dhe Mocarti ia priti:

–         Madhëri, as edhe një më shumë nga ç’duhej.

* Mbas triumfit të “Don Zhuanit” Mocarti e la Pragën mikpritëse dhe u kthye me shpirt të turbulluar në Vjenë, ku kundërshtarët e tij arritën ta shtyjnë edhe gjashtë muaj premierën e operës.

Më në fund vullneti perandorak bëri që “Don Zhuani” të shfaqej, por nuk u pëlqye. Perandori Jozef i tha atëherë Mocartit:

– Vepra është e lartë, ndoshta edhe më e bukur se “Figaro” por nuk është ushqim për dhëmbët e vjenezëve të mi.

Mocarti iu përgjigj;

– Atëherë le t’u japim kohë që ta përtypin.

* Një mbrëmje Mocarti vuri në bast me Hajdenin me një shishe shampanjë në qoftë se ai do të ishte i zoti të luante në piano një pjesë që e kishte kompozuar atë mëngjes. Basti u pranua dhe Hajdeni u ul në piano. Në një çast u ndal edhe tha:

– Është e pamundur, s’vazhdohet.Dy duart e pianistit mund të rroknin skajet e tastierës, ndërsa një notë që ndodhej në qendër as që mund të ekzekutohej fare.

Atëherë i erdhi radha Mocartit i cili qetë-qetë u ul në piano dhe nisi të luante. Ai luajti edhe notën fatale, po si?… me hundë! Të gjithë të pranishmit qeshën dhe Mocarti e fitoi bastin.

* E pyetën një herë Auberin se kush ishte kompozitori më i madh. – Bethoeni, – u përgjigj menjëherë, e pa ngurim ai.

– Si – thirri bashkëbiseduesi -po Mocarti?

* Mocarti i vogël shkoi me familjen nga Salcburgu në Vjenë. Në portën e qytetit doganierët u bënë gati për të kontrolluar plaçkat. Mocarti ndërkohë po i binte violinës dhe ata të emocionuar nga interpretimi i fëmijës nuk ia kontrolluan plaçkat sipas rregullit.

* Në moshën njëzet vjeç Mocarti u fye rëndë nga një fisnik.

– Në qoftë se nuk jam fisnik, nga shtresa shoqërore, në shpirt jam më fisnik se ju, – iu kthye me kryelartësi. – Nga ky çast që më fyet mua, nuk jemi gjë tjetër veçse një fundërrinë.

* Në vitin 1791 një i panjohur i tha Mocartit:

– Shkruamëni një Rekuim.

Tha këto fjalë misterioze dhe i panjohuri iku, pa u dukur fare sikurse edhe kishte ardhur dhe nuk u pa më.

Mocarti pati një mbresë të thellë nga ky takim. E shkroi Rekuimin me një forcë misterioze dhe pak ditë më vonë vdiq.

Ditën që vdiq Mocarti ishte një furtunë e madhe që vazhdoi edhe të nesërmen. Kjo pengoi edhe njerëzit më të afërm që të merrnin pjesë në varrim. Të vdekurin e çuan në varreza të pa shoqëruar puthuaj nga asnjeri.

Tri ditë më vonë e shoqja shkoi në varreza për të parë vendin ku ishte varrosur burri i saj.

– Amadeo Mocart? – pyetën varrmihësit.- Nuk e kemi dëgjuar këtë emër dhe nuk kemi varrosur njeri me këtë emër.

Mocartin e madh, në atë stuhi të tmerrshme të natyrës e kishin varrosur shpejt e shpejt në një varr të zakonshëm ku shiu i zhduku shenjat e grumbullimit të dheut. Edhe sot nuk dihet me saktësi vendi se ku pushojnë eshtrat e kompozitorit të shquar.

Advertisements

Domeniko MORELI

MORELI Domeniko (1826-1901) piktor i shquar realist italian

* Kur ishte i ri Moreli mori pjesë në revolucionin napoletan të 1848- ës. Më 15 maj u plagos në ballë. Në atë kohë ushtarët e mbretit Fredinand e kishin arrestuar dhe do ta pushkatonin. Pushka me të cilën do të qëllonin ishte aq afër sa maja e bajonetës preku ballin e tij. Me një lëvizje të duarve e kapi fort tytën e pushkës dhe e shmangu plumbin. Ai u gërvisht në fytyrë dhe kapaku i sipërm i syrit të djathtë iu nda më dysh. Sytë për mrekulli nuk iu dëmtuan. Atëherë e goditën shumë herë në kokë dhe e lëshuan për tokë gjysmë të vdekur.

* Moreli ekspozoi më 1855 në Napoli një tablo ku paraqiste martirin e ndenjave njerëzore. Njëri, të cilit ia kishte treguar tablonë, i kishte thënë: – Kujdes se mos të të futin brenda!

Në figurën e murgut të martirizuar piktori jepte tipin e një të riu liberal dhe figurën e ekzekutimit jepte tipin e policit të ashpër.

Këtë kuadër e kuptoi mirë edhe mbreti Ferdinand II, i cili i tha autorit: – Tablo të bukur keni bërë! Por mos bëni piktura që fshehin qëllime të caktuara.

* Moreli e donte shumë piktorin e ri Çelentano, të cilin e ndihmonte dhe i jepte këshilla. Për të ishte bërë mësues dhe baba. Një herë i vëllai i Çelentanos, në vend që të shprehte mirënjohjen për të gjithë ato që kishte bërë për të, shfaqi pakënaqësinë dhe i tha:

– Lëreni të qetë vëllanë tim në profesionin e tij. Ju me ato idetë tuaja të reja turbulloni gjysmën e botës.

Tomas MOR

MOR Tomas (1478-1535) humanist i shquar anglez i epokës së Rilindjes dhe një nga themeluesit e socializmit utopik

* Një zotni shumë i pasur i dërgoi Tomas Morit si dhuratë dy amfora të mëdha prej argjendi me një vlerë shumë të madhe, që ai dha ta ndihmonte në një proçes gjyqësor të rëndësishëm.

Tomas Mori i mbushi të dy enët me verë nga ajo më e mira e kantinës së tij dhe ia ktheu prapë me të njëjtin shërbëtor që ia kishte dërguar.

– I thuaj, të lutem, atij zotnisë tënd, se gjithë vera e kantinës sime është në dispozicion të tij.

* Ditën e ekzekutimit të tij me vdekje, berberi e pyeti Tomas Morin në donte t’i qethte flokët.

– Miku im, – iu përgjigj ai, – po të vë në dijeni se unë dhe mbreti kemi një proçes rreth kokës, prandaj unë nuk dua të bëj ndonjë shpenzim për këtë deri sa çështja të marrë vendim të prerë.

* Kur Tomos Morin e çuan pranë karamanjollës, ai iu lut dikujt aty afër që t’i jepte dorën për t’u ngjitur lart në vendin e ekzekutimit.

– Më falni , – i tha atij, – po nuk kam për t’ju kërkuar të njëjtin favor kur të zbres

LUIGJI XVIII

LUIGJI XVIII (1755-1824) vëlla i Luigjit të XVI, pastaj mbret i Francës

* Policia e Napoleonit donte të dinte çdo ditë se përse shqetësohej Luigji XVIII, pretendenti i fronit të Francës. Për këtë qëllim ajo ngarkoi një personalitet të oborrit mbretëror, të cilit i ofroi pesëdhjetë mijë lira në muaj si rrogë për të marrë prej tij një buletin të përditshëm, ku të jepeshin të gjitha të dhënat se ç’bënte pretendenti. Ky person për të gjitha këto vinte në dijeni mbretin, i cili duke qeshur i thoshte:

– Shumë mirë! Duhet të pranosh! Dhe do të jem unë që do ta përpiloj buletinin.

Mbreti çdo ditë shkruante buletinin e veprimeve të tij (domosdo ashtu si i pëlqente atij) dhe ia dërgonte rregullisht policisë perandorake, e cila nuk e mësoi asnjë herë se nga ç’burim vinin të dhënat e lëvizjes dhe të veprimeve të Luigjit XVIII.

LUIGJI XI

LUIGJI XI (1423-1483) mbret ambicioz dhe dinak i Francës

* Një instrumentist të kohës e pyeti duke u tallur nëse ishte i zoti të krijonte muzikë me derrkucët. Muzikanti u përgjigj se mundej. Ai bleu tridhjetë e dy derrkuca të moshave të ndryshme dhe me zëra të ndryshëm (tetë me zë tenori, tetë për soprano, tetë për bas dhe tetë për kontralto). Pastaj ndërtoi një instrument me taste si organo dhe çdo tast lëvizte një tel që kishte në kokë një copë hekur me një majë të mprehtë. Sa herë që prekeshin tastet majat e hekurit shponin herë njërin dhe herë tjetrin derrkuc. Pastaj thirri mbretin dhe gjithë oborrin mbretëror për të dëgjuar koncertin e çuditshëm. Mbretit, kjo gjë i dha një kënaqësi të madhe.

Ja çfarë i pillte mendja mbretit për t’u argëtuar.

* Atij që donte të dinte për sekretin shtetëror, mbreti Luigji XI i tha;

– Dëgjo këtu: në qoftë se kapelja ime do të dinte ndonjë nga sekretet e mia, unë do ta kisha djegur menjëherë.

* Një astrologu , që kishte parashikuar vdekjen e një prej dashnoreve të mbretit, Luigji XI urdhëroi që të arrestohej dhe të dënohej me vdekje. Kur “fajtorin ” e sollën para mbretit, ai e pyeti:

– Ti që parashikon vdekjen e të tjerëve e di kur do të vdesësh vetë?

– Posi, – u përgjigj menjëherë astrologu, – unë do të vdes tre ditë para madhërisë suaj.

Mbas kësaj përgjigjeje mbretit i hyri frika nga vdekja dhe e fali astrologun.

* Luigji XI kishte frikë nga vdekja dhe prandaj urdhëroi që në gjithë Francën të bëheshin lutje për shëndetin e tij. Njëherë në kishë dëgjoi priftin që po lutej për trupin dhe shpirtin e mbretit. Ai e ndërpreu dhe i

tha:

– Mos u mërzit shenjtorët duke u kërkuar disa gjëra në një kohë. Tani për tani kënaquni duke iu lutur për shëndetin tim të trupit, ndërsa për atë të shpirtit ka kohë.

* Kur ishte në shtratin e vdekjes Luigji XI kërkoi t’i thërrisnin të birin Karlin VII, të cilit i dha këtë këshillë:

–         Biri im mos harro; kush nuk di të shtiret, nuk di të mbretërojë.

Franc LIST

List Franc (1811-1886) pianist dhe muzikant i famshëm hungarez

* Muzikanti i raadh kur ishte ftuar në kështjellën e Jashit (Rumani) dëgjoi disa ciganë që po kalonin në një fshat aty pranë. Kryetari i tyre një farë Barbo, u tha ciganëve që të këndonin për së dyti një këngë me të vërtetë të bukur. Listi mbeti i shtangur dhe kur mbaroi pjesa tha:

– Bukur! Me të vërtetë bukur. Tani Barbo dëgjo edhe muzikën time. Listi u ul në piano dhe nisi të ekzekutojë një improvizim të ndërlikuar me variacione të vështira.

– Mjeshtër, – i tha atëherë Barboja, – melodija jote është aq e bukur dhe më bëri aq shumë për vete, sa që po të më lejoni, do të përpiqem që ta riprodhoj.

Listi nuk mund ta besonte kurrë një gjë të tillë, sepse i dukej e pamundur. Ndërkaq Barbo dhe ciganët e tjerë ia nisen pjesës që dëgjuan nga Listi. Kur përfunduan Listi u çua, e përqafoi plakun ngrohtësisht dhe i tha:

– O cigani Barbo, mësuesi im. Zoti të ka bërë artist dhe je më i madh se unë.

* Listi do të jepte një koncert në një sallë ku do të ishte edhe mbreti. Kur hyri mbreti, mjeshtri po bëhej gati të fillonte. Listi dukej shumë i turbulluar.

Kishte vendosur partiturën në një poltronë aty afër dhe një baroneshë e shëndoshë ishte ulur sipër partiturës.

Listi iu afrua baroneshës dhe i tha:

– Më falni baroneshë por partitura që keni poshtë nuk është për instrumenta frym

* Princi Feliks Linhovski muzikant i mprehtë, kur ishte mysafir te Listi bëri një udhëtim të gjatë me të dhe mjeshtri i shquar i pagoi të gjitha shpenzimet.

Satiriku Hajne e përcaktoi kështu këtë rast: “Franc List mbrojtësi i njerëzishëm i prindërve me talent”.

* Pianisti i famshëm kur ishte në Romë shëtiste shpesh në kështjellat romake. Një nate zuri shtrëngata dhe koha u ftoh shumë. Listi doli nga vila e mikut të tij dhe rrugës takoi një njeri të veshur keq, qe dridhej nga të ftohtët. Kur Listi mori vesh se ai nuk kishte para për të blerë rroba, hoqi pallton e vet, ia dha atij dhe nëpër shi u kthye në Romë.

* Gjatë një koncerti të Listit e pyetën Rosinin në se mund te kapte në gabim pianistin e shquar.

– Nuk raund të pohoj dot, – u përgjigj Rosini, – Listi bën aq nota në një minutë sa që është e pamundur ta ndjekësh. Deri tani nuk më ka mjaftuar koha që ta dëgjoj.

* Kur Franc Listi vajti në Vjenë te princi Meternik, princesha e pyeti në se kishte bërë ndonjë punë të mirë. Listi u përgjigj:

– Diplomatët dhe bankierët zonjë, bëjnë punë të mira, unë bëj thjesht muzikë.

* Listi pinte një puro në ditë, e cila prodhohej me porosi vetëm për të. Kur largohej nga shtëpia merrte me vete aq puro për sa ditë do të qëndronte atje ku shkonte.

* Një herë i thanë Listit:

– E po, në qoftë se nuk ke qenë muzikant, atëherë çfarë ke qenë?

– Diplomati i parë i Evropës, – u përgjigj Listi.

* Listi i dhuronte Vagnerit tema muzikore që i vinin në mendje, i bindur se miku i tij do të dinte t’i shfrytëzonte më mirë se ai. Të gjitha mësimet e pianos që u jepte nxënësve të tij i bënte pa shpërblim. Listi dhuroi një shumë të madhe për të ngritur një monument për Bethovenin. Për të varfërit ai mbante gjithnjë një shumë të hollash mbi oxhak, që t’i kishte gati për çdo rast. Në çdo zarf që dhuronte me para Listi shtonte fjalët e tij të përzemërta.

– Duhet të sheqeroset tableta – sepse marrja e lëmoshës është një gjë shumë e trishtuar.

* Listi ishte ftuar në një pritje, e cila nuk u dha sepse e zonja e shtëpisë u sëmur papritur. Kur Listi u kthye i trishtuar, takoi në rrugë një mik, e mori për krahu dhe i tha;

– Eh, po ne kemi festat, sallat e ndriçuara me drita, por nuk kemi një vatër, vatrën tonë. Tingujt po zbehen, zemrat pushojnë së rrahuri dhe në fund mbetet heshtja.

Në sytë e tij të plakur rrodhën dy pika loti. Pastaj shtoi: Kush e di, a do të jetoj edhe një vit akoma? Nuk kam veçse një gjë për të kërkuar: mos më bërtisni në këtë pak kohë që më ka mbetur për të jetuar.

* Atij që fliste me tmerr për vdekjen, Listi i përgjigjej qetë: – Të vdesësh është më lehtë se sa të jetosh.

* Në verën e vitit 1885 Listit plak i propozuan që të jepte disa koncerte ndaj një shpërblimi prej dy milion markash.

– Po çfarë do të bëj me dy milionë karkat në moshën shtatëdhjetë e katër vjeçare? – u përgjigj Listi, që nuk e pranoi këtë ofertë.

* Listi dhe Rubini do të jepnin koncert në një qytet me rëndësi të Francës. Në sallë ishin vetëm pesëdhjetë veta, megjithatë Listi ekzekutoi në mënyrë të mrekullueshme si gjithnjë dhe Eubini këndoi si dinte të këndonte ai. Kur mbaroi koncerti Listi i zemëruar u tha të pranishmëve: – Zotërinj e’zonja (megjithëse midis të pranishmëve ishte vetëm një zonjë), koncerti mbaroi. Tani a mund të më lejoni që t’ju ftoj për darkë? Të pranishmit e shikuan të çuditur, por së fundi pranuan. Në mbrëmjen tjetër salla ishte plot.

* Mësimet e para Listi i mori nga i ati. Ai studjoi me ngulm e bëri përparime të mëdha. I ati e dërgoi te një pianist i shquar për t’i dhënë mësime në piano. Kur e dëgjoi fëmijën të interpretonte sonatën në la bemol të Bethovenit, ky mbeti shumë i habitur dhe tha:

– Ti do të bëhesh pianisti më i madh nga të gjithë ne.

Ai kërkoi një fiorinë për çdo mësim dhe pas mësimit të dymbëdhjetë nuk pranoi të merrte fare shpërblim.

– Përparimet e jashtëzakonshme të fëmijës, – tha ai, – më japin një kënaqësi të madhe sa që e harroj fare lodhjen.

* Listi studionte muzikë me zell të madh. Një ditë nga lodhja e madhe i ati e gjeti shtrirë në dysheme pranë pianofortes. Mjeku e këshilloi të pushonte për disa kohë. Ai e mori shpejt veten dhe u bë më mirë nga shëndeti. Mbas pak kohe i vdiq i ati. Fjalët e tij të fundit ishin: – Biri im, po të lë vetëm, por aftësia jote e madhe do të shpëtojë në jetë. Zemra jote është emirë. Por druaj për ty nga gratë, ato do të të turbullojnë në jetë.

* I riu List u vendos në Paris dhe mori me vete edhe nënën.

Ai u bë mbrojtësi dhe mbështetësi kryesor i saj, duke u rrethuar me kujdesje fisnike dhe dashuri të pakufishme. Kur vinte në mbrëmje nga shfaqjet për të mos e zgjuar rrinte deri në mëngjes te shkallët i lodhur dhe i drobitur, por i lumtur se nuk ia kishte prishur gjumin nënës së tij të adhuruar.

* Një herë, në orkestër dirigjonte kantatën e tij. Kur pjesa përfundoi publiku ndenji i ftohtë. Atëherë Listi, me një shpërthim të papërmbajtur, filloi edhe një herë ekzekutimin. Solistët, kori dhe orkestra i vunë të gjitha forcat e tyre dhe vepra doli me të gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj, duke ngritur peshë entuziazmin e dëgjuesve.

* Listi kompozoi një meshë. Kur u ekzekutua suksesi i kaloi të gjitha parashikimet. Një prej dëgjuesve tha:

– Kjo muzikë është aq “fetare” sa që Satananë e bën njeri.

* Cari i Rusisë i kërkoi Listit të jepte koncerte për invalidët e Borodinos. Ai iu përgjigj se Francës i ishte tepër mirënjohës, ndaj nuk mund ta pranonte një kërkesë të tillë.

Atëherë Cari tha:

– Te ky njeri janë antipatike flokët e gjatë dhe idetë politike.

* Shumani shkonte për të kaluar disa orë me mikun e tij, nga Drezdeni ku banonte vetë, në Laipcig ku ishte Listi, megjithëse atëherë rruga midis të dy qyteteve zgjaste katër orë.

Në këto vizita Listi i binte pianos për një kohë të gjatë dhe Shumani rrinte i heshtur për të dëgjuar. Kur mbaronte me piano Listi gjithnjë shkruante letra dhe Shumani mbetej gjithë kohën i ulur në një qoshe.Dita kalonte papritur e pa kujtuar. Pastaj Listi kujtohej që kishte mikun pranë, dhe kthehej nga ai me buzën në gaz. Shumani atëherë ngrihej për të kërkuar leje që të largohej dhe i thoshte me ëmbëlsi:

–         Ja pra që biseduam edhe njherë së bashku me zemër të hapur.

Karl Von LINE

LINE Karl Von (1707-1778) natyralist suedez

* Ishte biri i një prifti protestant. Meqenëse ne shkollë nuk përfitonte asgjë dhe ishte shumë i padisiplinuar, i ati e futi si çirak te një këpucar. Atje një klient i dyqanit vuri re se fëmija ishte shumë i zgjuar dhe vrojtues i fortë. E mori në mbrojtje dhe vuri re që ai kishte një dashuri të madhe për bimët dhe për lulet. I dha disa libra nga historia e natyrës për ta ndihmuar atë në punët e tij. Profesori e priti dhe e trajtoi mirë dhe kur erdhi koha që e la mësimdhënien i ofroi katedrën e tij. Ky përparim i menjëhershëm i shtoi ambicjen kolegëve, të cilët nisën sulmet. Line u persekutua aq shumë sa u largua në mërgim. Shkoi në Danimarkë ku botoi edhe veprat e tij kryesore.

·         Në moshë të thyer Line humbi kujtesën. Ky njeri, që u kishte vënë emra kaq të bukur dhe kaq shprehës një ushtrie të tërë kafshësh dhe lulesh, një ditë arriti të mos mbante mend edhe emrat e fëmijëve të tij. Për këtë qante me lot.