Ruzhdi Pulaha: Ju rrëfej zhgënjimin nga politika, ja pse u dorëhoqa

…Shkruan… shkruan… dhe sërish vazhdon të bëjë të njëjtën gjë me një këmbëngulje të marrë e papendueshme. Letrat nuk mbarojnë asnjëherë, boja gjithashtu, ndërsa idetë e reja burojnë vazhdimisht për së largu. Nëse je pranë tij ndihesh si në afërsi të ujëvarës, rrjedha bie poshtë…, asgjë nuk kthehet pas. Ndërsa ai nuk ka ndër mend të tërhiqet edhe pse atje tej, në thellësi, krejt në një skutë të pagërmuar e fshehur në labirinthin mendësor, mund të ndihet thellësisht i plotësuar. Por duket se në gjithë vitet e jetës së tij, nuk ka pasion tjetër më të madh dhe pse herë pas here dashurinë e tij për letërsinë e ka ndarë nga pak me të tjera… e me politikën mes tyre…

…Ai është një nga emblemat e skenave të shkruara. Komentet janë të kota. Nuk ka nevojë të jetë deputet, dhe as politikan karriere. Ai është vetvetja dhe i pazëvendësueshëm me 53 veprat e tij të ngjitura në skenë apo të mbetura në pelikulën e kinemasë. Një duzinë tjetër janë bërë gati, apo thjeshtë janë në procesin e dorës së fundit. Gjatë një interviste shkrimtari i mirënjohur Ruzhdi Pulaha do të rrëfejë edhe një pjesë të jetës së tij; prej shkrimtari a prej politikani qoftë ai:

Jeni njeri që i keni përkitur më së shumti artit, por dhe politikës. Në fakt çfarë është politika për ju?

Shpesh dëgjojmë njerëz që thonë se nuk merren me politikë, janë indiferentë, nuk duan të dëgjojnë për të. Kjo nuk është e vërtetë, për të mos thënë që është e pamundur, sepse është politika ajo që në një mënyrë apo tjetër përcakton jetën shoqërore, ekonomike, pse jo shpirtërore, familjare apo individuale. Dhe nëse nuk dëshiron të dëgjosh për politikën, të mos lexosh gazetat, të mos shohësh e dëgjosh politikanët në televizor, por do të ankohesh për ditë për çmimet, për infrastrukturën, për shërbimet jetike, për spitalet, për shkollat, për papunësinë, për rrogat, për pensionet etj. Dhe kështu, ti je marrë me politikë. Për të mos thënë që ne jemi ndoshta populli më i politizuar i Europës ku nga mëngjesi në mesnatë hamë çorbën bajate dhe aspak të shëndetshme që na servirin politikanët, analistët, mediat apo thashethemet politike të kafeneve. Dhe kjo të bën të kujtosh parullën parti-shtet të diktaturës: Politika në plan të parë. Sigurisht me një ndryshim themelor, se ajo parullë ishte një urdhër që po t’i kundërviheshe, të nxihej jeta apo të ikte koka, kurse sot politika është kthyer në një tifozllëk absurd, përçarës dhe që konsumon në mënyrë të pashtershme energjitë kombëtare.

Cili është raporti i politikës me artin tek një shkrimtar?

Për sa i përket raporteve të politikës me artin e artistët ato janë komplekse dhe të shumëanëshme. Sistemi politik dhe regjimi i qeverisjes së një shteti janë përcaktuese në zhvillimin e artit e misionin e artit dhe pozicionin e krijuesve në një shoqëri. Në sistemet diktatoriale politika e mbyt, e shpërfytyron duke u përpjekur ta kthejë artin në armë të tij ideologjike për të indoktrinuar popullin dhe artistët në shërbëtorë të tij. Varet nga artistët, nga karakteri i tyre se sa do ta përballojnë këtë presion, për të deformuar moralin, ndërgjegjen dhe psikologjinë e tyre dhe lexuesve apo spektatorëve të veprave të tyre. Dhe në atë regjim çnjerëzor krijuesit kanë qenë nga kategoritë më të goditura në mungesën e lirisë së fjalës e të mendimit. Por me gjithë censurën mbytëse të asaj periudhe jo pak autorë kanë lënë vepra që përbëjnë vlera të vërteta në trashëgiminë artistike të kombit. Arti vërtet nuk bën pjesë na katër pushtetet, (përfshi dhe median) që gjithsesi janë pushtete politike, por është një pushtet shpirtëror i pazëvendësueshëm. Këtu qëndron dhe epërsia e tij mbi politikën sepse, rendet shoqërore bashkë politikat e tyre janë shembur apo janë harruar, kurse artistët e mëdhenj dhe veprat e mëdha të artit vazhdojnë të jenë të gjalla që nga antikiteti i largët e deri më sot, duke na sjellë të gjallë historinë e njerëzimit.

Cili është raporti real që keni me politikën?

Personalisht jam në tre raporte me politikën, si shkrimtar, si qytetar dhe si politikan. Si qytetar politika më lodh, më streson, më trishton. E përjetoj me dhimbje sherrnajën aktuale politike dhe politizimin e tejskajshëm të shoqërisë. Dhe më kujtohen fjalët e një zonje kroate që kam takuar në Zvicër para pesëmbëdhjetë vjetësh, e cila punonte në zyrat e emigracionit dhe ndihmonte mjaft shqiptarët. “Ju dua juve shqiptarët”, më tha, “jeni punëtorë, kini besë, kini shumë virtyte por kini dhe një të metë të madhe: Sa fitoni betejën e parë varni pushkët, merrni çiftelinë dhe filloni festën, kur lufta sapo ka filluar. Lufta për demokracinë e vërtetë është e gjatë dhe ka shumë beteja”.

Po si politikan?

Si politikan ndjehem i paaftë dhe i zhgënjyer. Isha një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate dhe deputet në vitet ‘92-‘96. Të them të drejtën nuk ndjehesha mirë, nuk bëhesha dot agjitator, nuk duroja dot urdhra partie që ishin kundër bindjeve të mia. Nuk ndihesha mirë dhe u largova përfundimisht nga politika aktive. Jo se nuk e respektoj profesionin apo pozicionin shoqëror të politikanit, as të artistëve që i futen politikës, por mua ai kostum më bezdiste dhe më dukej si një këmishë force që më pengonte të isha i lirshëm. Është bindja ime që shkrimtari dhe artisti duhet të jetë, të themi një misionar i popullit dhe në oponencë të vazhdueshme me shtetin, për të shfrytëzuar pa kufizime pavarësinë e tij krijuese, pa rënë në pozitat e ushtarit të partisë. Kemi bërë 45 vjet zborin e egër të Partisë së Punës dhe besoj se e kemi kryer shërbimin ushtarak partiak për shumë breza që do të vijnë pas nesh.

Si do ta përkufizonit lirinë dhe kufizimin në krijimtarinë tuaj?

Pas të drejtës së jetës, e drejta e lirisë është më e rëndësishmja për njeriun. Koncepti i lirisë është tepër i gjerë dhe shumëdimensional, por që jo rrallë keqkuptohet, shtrembërohet, keqpërdoret apo shpërdorohet. Sigurisht, e para e lirive është ajo e fjalës dhe mendimit të lirë. Dhe meqë flasim për artin, shkrimtarit po i hoqe lirinë e fjalës e të mendimit e ke vrarë ose e ke tjetërsuar në një megafon të politikës. Deri tani janë vënë në skenë rreth 35 drama e komedi të miat, kryesisht në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Korçës. Asnjërën prej premierave të pjesëve të inskenuara para viteve ‘90 nuk e kam parë nga salla, por nga skuta e elektricistëve, ku bashkë me regjisorët nuk shikonim shfaqjen por i mbanim sytë nga lozhat e udhëheqjes, me zemër të dridhur se do të qeshnin apo do të nxiheshin shokët e partisë, do duartrokisnin apo sejmenët e tyre do nxirrnin blloqet e do të mbanin shënime. Netët e premierave kanë qenë net torture dhe stresi të paparë duke pritur gjykimin e paapelueshëm të censorëve. Për të kritikuar një burokrat, një kryetar kooperative, një kryetar komiteti, (se për sekretarë partie s’bëhej fjalë) duhet të përballeshe me vërejtje e mbledhje pa fund për të bërë ndryshimet që kërkonte Partia. Çdo shfaqje e re ishte një dramë më vete për autorin dhe regjisorin.

A mund të na jepni një shembull konkret?

Kam shembuj pa fund për këtë por nuk është vendi këtu. Po përmend vetëm një rast. Në një dramë një personazh i thoshte tjetrit: “Po na flet si i biri i Marksit”. U bë problem i madh se po tallesha me Marksin. Unë thashë se Marksi duhet të më jepte honorar se po i bëja reklamë. Shfaqja u pezullua për disa ditë. Unë e zëvendësova atë batutë me një tjetër: “Po flet sikur je doktor i shkencave politike”, titull që e kishte sekretari i partisë që bëri vërejtjen. Sigurisht kjo nxiti kundërvënie të tjera… Pra nuk bëhej fjalë për kufizime por një censurë mbytëse.

Mendoni se pas viteve ‘90 fjala është më e lirë?

Sigurisht pas përmbysjes së diktaturës liria e fjalës dhe e mendimit është fitorja më e madhe e shoqërisë shqiptare pra dhe e shkrimtarëve dhe artistëve. Megjithatë mendoj se ende ka reminishenca të censurës apo autocensurës, sepse ende ka drejtues të institucioneve artistike apo dhe të tjerë që paragjykojnë autorët sipas bindjeve politike apo gjykojnë veprën se frymën e cilit krah politik mban autori. Dhe këtu përsëri përzihet politika. Për fatin tim të mirë apo të keq unë politikën e kam shpesh objekt të krijimtarisë sime, duke u nisur ta gjykoj atë nga pozita e spektatorëve dhe jo e drejtorëve apo menaxherëve politikë të artit.

Deputeti që u tërhoq nga politika

Kritika për qëndrime liberale e gabime ideologjike në krijimtari

Ruzhdi Pulaha 69 vjeç, i lindur në Korçë në një familje të shtresës së mesme. Ka kryer studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në 1964 emërohet redaktor e më pas përgjegjës i redaksisë së kulturës në Radio -Tirana deri në 1975 ku largohet për qëndrime liberale dhe gabime ideologjike në krijimtari. Shkak, në romanin “Rruga Budi 723” dhe komedinë “Zonja nga Qyteti”. Përshëndeti Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion dhe mbrojti dramën “Njollat e Murrme” e cila u cilësua si armiqësore. Më 1975 u emërua mësues në Pogradec. Pas katër vjetësh u rikthye në Tiranë, këtë herë si autor në Teatrin Kombëtar, funksion që e kreu deri më 1986, kur doli në krijimtari të lirë. Më 1992 u zgjodh deputet. Në mbarim të legjislaturës u tërhoq nga politika zyrtare. Nga viti 1999-2006 ka qenë i angazhuar si udhëheqës artistik në një program të përbashkët të BBC dhe Radio Tiranës për realizimin e telenovelës “Rruga me Pisha”. Ka bashkëpunuar dhe me TVSH në realizimin e serialit televiziv “Njerëz dhe Fate”. Ai është i martuar me dy fëmijë. Bashkëshortja Ermira Pulaha është gazetare, aktualisht përgjegjëse e Programit të Tretë të Radio- Tiranës.

Provokimi i debateve sociale

Autori që trajton në drama, konflikte e mprehta të ditës

Autor i angazhuar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat e tij. Veprimi në këto vepra shpesh provokon debate sociale e politike të ndezura, si në një sallë gjyqi. Përmes tyre synohet një efekt kathartik tek audienca, që duhet të nxisë frymën e kundërshtimit ndaj padrejtësive të çdo lloji. Stili i këtij autori dallon për kompozicionin e thjeshtë, veprimin e qartë e të rrjedhshëm, dialogun konkret e të drejtpërdrejtë, vizatimin e shkëlqyer të karaktereve, si edhe tempin e lartë. I lidhur fort pas realizmit, nuk ka tentuar fare të eksperimentojë metoda alternative. Talenti dhe angazhimi qytetar e kanë bërë të kapërcejë me sukses ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Pas disa dramave të suksesshme para vitit 1991, si “Maro Mokra”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Nën dritat e skenës”, “Doktori pacient”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” apo komedia , kalon një periudhë “tranzicioni” si skenarist i radionovelës së parë shqiptare “Rruga me pisha” (në bashkëpunim me Radio BBC). Në vitin 2000 rikthehet në skenë me “Kohë e çmendur” dhe arrin të bëhet sërish i kërkuar dhe i vënë në skenë, me , “Streha e të harruarve” (2004). Në vitet 2001 – 2002 është skenarist edhe i telenovelës së parë shqiptare, “Njerëz dhe fate”. Është autor i veprave me sukses teatror dhe kinematografik. Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat dhe komeditë e tij. Ka shkruar mbi 53 vepra të realizuara në skenë dhe film ndërsa është vlerësuar me disa tituj kombëtarë për kontributin e madh në artin shqiptar.

Trofetë e një pune të lodhshme

“Zonja nga qyteti” i jep Çmimin e Republikës

Shkrimtar, autor i veprave me sukses teatror, kinematografik e televiziv. Pulaha ka shkruar mbi 53 vepra që janë ekranizuar apo ngjitur në skenë, ndërsa është vlerësuar me disa tituj kombëtarë për kontributin e madh në artin shqiptar

-Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë me komedinë “Zonja nga qyteti” 1979.

-Urdhri “Naim Frashëri” i Shkallës së Parë 1981

-Urdhri Flamuri i Kuq të Punës të shkallës së Parë 1989

-Qytetar Nderi i qytetit të Korçës etj..

Leonard VEIZI

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s