Ali Podrimja, poeti i kushtrimeve lirike

Nga Albert Vataj

Ka marrë rrugën e amshimit poeti i kushtrimeve lirike. Duke u fikun të gjallët e një poeti, një yll lind, një yll që është me ne në muzgjet medituese të poetit, në amën e pambarueme për me jetu në çdo moment me kangën e shpirtit. Zani dhe pena, zemra dhe poezia u kthyen në në flakadan të luftës për liri të Kosova, golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të sosun të të gjallëve të tijë, tharmi i kangës që diti me e këndu edhe atëherë kur jetonte me vdekjen. Ali Podrimja nuk është më. Hapat e tij kanë ndalur. Zemra dhe pena e këtij shpërthimi, janë thyer. Gjurmët e kësaj ikje shkruhen nxitimthi mbi kujën e kushtruar që nga Franca, për të mbushur me oshëtimë vdekjeje dhe pikëllim ndarje me botën shqiptare të letrave dhe jo vetëm, në moshën 70-vjeçare të lirikut. Ai iku si një poet i madh, si një penë e fuqishme, si një njeri që diti dhe mundi me e mbush jetën dhe gjithkënd përreth tij me energji pozitive. Ali Podrimja vdiq. Vdiq poeti. Ai u shua për të ndritur me kandë e me kushtrim, kahdo ku terri lëshon rraj, e flligsia dëbon dritën. Fjala dhe shpirti mbeten përmes vargjeve të tij, në mbamendjen e sejcilit që kungoi dëshirën për emocione të epërme.

Kur Vdes poeti- mëton Dritero Agolli, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje. Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës. Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij. Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë. Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash. Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese. Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak. Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur, sos këtë ndarje me poetin, Agolli.

Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thërritem e urisë për liri, dashuri dhe devocion.

 

Advertisements

Gustave Klimt, shenjtori i epsheve artistike

Kujtesë në 150-vjetorin e lindjes së piktorit

Nga Albert Vataj

Ndër më të virtytshmit, ai ishte më mëkatari. Nga ithtarët e “shkëputjes vjeneze”, më i pakapshmi. Ngjizi në jetë dhe në art një zotërim të ndjenjave dhe pasioneve. Anipse, me vetëmohimin e një martiri, kumtoi seksualitetin si tharmin e magjisë në art, ai nuk do të njëmendësohej me vetminë në rrugën e shërbestarit të ndjenjave të stuhishme. Para, asokohe, në të pastajmen, tash në 150-vjetorin e lindjes, e deri në të sosun, ai s’u step së kumtuari rolin e femrës dhe sensualitetin kushtrues, si dimension i gjithëkohësisë artthënës. Gustav Klimt dallon nga të tjerët, sepse ai i dha krahë muzës së ndjenjave, duke e transformuar femrën në një limfë. Pa të, ai, thjeshtë nuk do të ekzistonte, dhe njiherash, do t’i mungonte krejt brezave mushti i kësaj dehje magjepsjeje.

Kungim dhe kumt

Gustav Klimt lindi më 14 korrik të vitit 1862 në Baumgarten, në rrethinat e Vjenës. I ati, emigrant nga Bohemia, dështoi në zanatin prej argjendari dhe fëmijët e tij u rritën në varfëri të skajshme. Familja e Klimt, ashtu si shumë të tjera vjeneze të 1860, gulçonte nën thundrën e një jete në buzë të greminës së mjerimit. Ata ngjiznin të tashmen e asokohshme në shtëpi të vogla, të errëta, duke ndryshuar shpesh adresë, gjithnjë në kërkim të një strehe të lirë. Kur ishte vetëm 14 vjeç, Gustav la shkollën, por arriti më pas të regjistrohej në një kolegj lokal për art dhe punime artizanale. Në kolegjin “Bÿrgerschule”, aftësitë e tij artistike u pikasën. Aplikoi dhe siguroi një vend në “Kunstgewerbeschule”, Shkollën e Artit dhe Punimeve Artizanale në Vjenë, një prej dy shkollave publike në kryeqytet. Ai ishte aq i talentuar, saqë fitonte duke hyrë në komisionet e pikturave në shkollë. Krijoi një shoqëri me vëllezërit Ernst dhe me një student tjetër, Franz Matsch. Deri në vitin 1890, kompania “Klimt-Matsch & Co.” fitoi shumë me anë të komisioneve për ndërtesat e reja që ngriheshin. Deri në fund të qëndrimit në “Kunstgewerbeschule”, Klimt së bashku me ortakët e tij themeloi edhe një shoqëri artistësh, “Kÿnstlercompanie”. Kur u largua nga shkolla në vitin 1883, Klimt dhe Matsch nisën të punonin me kohë të plotë për të pikturuar me porosi. Klimt dëshironte të konsiderohej si një piktor i dekoracioneve arkitekturore, një reputacion që vihej në dukej nga natyra e komisioneve të hershme në karrierën e tij, ku përfshihen punimet në kisha, muzeume dhe teatër. Disa seri pikturash si “Alegoritë” dhe “Emblemat” u prodhuan me kërkesën e një pronari. Pas këtij suksesi iu bë oferta për një tjetër seri që u realizua në vitet 1896-1900, ku përfshihet edhe “Tragjedia”. Në këtë pikturë, dolën në pah elementë që do ta karakterizonin artistin në veprat e mëvonshme: zona të përqëndruara në detaje, ngjyrat e arta, forma ndjellëse e femrës, simbolizmi klasik dhe hapësira abstrakte. Në vitin 1897, ai ishte figura kryesore në themelet e shkëputjes vjeneze, dhe pas pak vitesh ai kishte bërë përfaqësuesi më i mirë i stilit modern. Në vitet e mëvonshme, ai tregoi një vlerësim të avangardës, tendencave të ekspresionizmit. Talenti i jashtëzakonshëm i siguroi suksesin e punës që përmbante materiale të ndryshme shprehëse në një përbërje, duke kujtuar traditat gotike dhe bizantine, ndërsa gjithashtu duke parashikuar artin multimedial të shekullit të 20-të.

Këqyrja e një peneli

Një ngasje që të përfshihet stuhishëm në një gjendje, gjithnjë të mbarsura me pasion dhe pjesëmarrje të vetvetishme. Në atë shtjellë shamatuese ndjenjash dhe afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është në të gjithmonshmen e pranisë artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij shugurimi të epërm, të domosdosë së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar, se në jetën e tij, seksi dhe femrat, janë përcaktues. Arti dhe familja gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në fund për mjeshtrin e madh, një domethënie botëkuptimi dhe shëmbëllimi sublim. Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijët me bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitarë të asaj që përcaktojnë veçorinë dalluese të këtij kolosi të brendisë së emetuar në pikturë.

Dorëzanë i të bukurës “vrasëse”

Në galerinë e pamasë të piktorit, është e kudogjendur ajo që do ta bënte këtë penel, një admirim i gjithmonshëm, një kurth ku shkrehet çdo ëndje, joshja. Befas ai e lë veten dorëzanë i ngazëllimit të seksit, i femrës dhe sensualitetit në tërësi, i asaj bukurie “vrasëse” që u bë njiherash dhe ngjizja e embrionit të gjeniu. Koloriti i zgjedhur, teknika e përdorur, përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë me personazhin femër, universin e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vetë Klimt, e në vijimësi të femrës më realitetin seksual, me filozofinë e funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt. Ai përgjon brenda vetes, si të mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë, linjë, dritëhije a sfond. Gratë e jetës së tij u përfshinë në subjekt dhe impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Klimt vetëm sa konstatoi dhe nuk nguron të na e rrëfejë, atë që ishim, jemi dhe do të mbetemi të njëmendtë. Femrën, dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e transformoi në një nocione soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbetet një trill, një vegim, por një realitet. Ai e gostit atë para nesh të gatshme të ofrohet dhe secili ndër ne të jepet.

Simbolizmi si gardërobë

Në pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar, për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën duke e ndërfutur lakuriqësinë nën poren delikate të qëmtesave simboliste. Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t’i derdhur jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i nderen përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike, që e djeg përbrenda, që e ysht ngutas, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në sytë që shohin përmbytas. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t’iu dhënë çdo soditjeje.

Ndërdyshja njerëzore

Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbrazësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel. Me vullnesën për të dëshmuar, si shërbestar i zellshëm i ndjenjave dhe të bukurës, nuk e shohim të struket pas skutave të errëta e kurtheve që i ngre pasioni. Zëshëm ai ligjëron dhe këtë e bën bujarisht me ngjyrat që e shpërfaqin kjartazi para kureshtisë sonë.

Gjithnjë brenda vetes

Vetvetja i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me femrat, pasionin, seksualitetin, epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimensionin ekzistencial. Klimt, me gjasë, s’kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë për seksin, për marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve uturitëse të gjakut dhe kurmit. Ai “guxoi” që tabutë t’i kthente në shprehje estetike, në marrëdhënie artistike, një dimension të ri komunikimi për botëkuptimin e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka mbushur deri në buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më pak zjarrvënëse, ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se krejt ajo masë që mbush e çmbush pa pushim atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe duke e bërë këtë si kurrkush tjetër derimëtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por ngulmoi dhe mbërriti. Po, përnjëmend mbërriti në atë piedestal që as ai vetë nuk e bluante në hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin asokohe.

Dimensioni i artit “Klimt”

Gustav Klimt ishte një personazh i rafinuar dhe enigmatik, tekanjoz dhe ngulmues. Dukshëm pikasim në punët e tij penelin e ndjeshëm të peizazheve, qëmtimin e hollë dhe sensuale të mëtimit dhe kumtit artthënës. Në ciklet murale, ai dëshmon një kombinim të patëdytë i abstraktes dhe iluzionit dhe një aprovim i harmonishëm i elementeve të subjektit promovues brenda dimensionit artistik dhe estetik dhe ornamenteve. Në këtë qasje të pazakontë të kohës dhe mendësive, me të cilat u desh të përballej, ai e gjen veten, ndërsa ngjitet ngultas për nga kreshta e madhështisë, si vepër dhe si përvojë e një fund dhe fillim shekulli. Portretizimi i mjeshtrit është gjykuar të jetë i papërpunuar, i pamëshirshëm, dhe erotik. Kjo ishte çështja e tij. Subjektet e korpusit artistik, burrat lakuriq, të moshuarit, dhe gra të kapluara nga disponimi seksual, të gjithë janë të shtjelluara me një ngarkesë emocionale me densitet të lartë. Ai u përkushtua zellshëm në ndërtimin e imazheve me tipare të dukshme bizantine, ku dominon njëherësh dhe abstraksioni simbolist. Etja në të kallur, u shoqërua prej një periudhe ku vërejmë se punët e Klimt do të jenë të shprehura nëpërmjet kompozimit piramidal. Tashmë ata janë të përmbytur me kthesa dhe spiralet, me vorbullat mistike dhe forma të ndryshme të ndritshme. Një botë e krijuar rishtazi duket rreth figurave qendrore. Josh shikuesin drejt thellësitë e pandërgjegjshme dhe labirintet e mendjes.

Gjithëkohësi përjetuese

Edhe sot në 150-vjetorin e lindjes, loja me ngjyrat, ngulmi dashtazi në lakuriqësinë fizike dhe shugurimi i rrëmetit të ndjesive, të gllabërojnë. Një amë magjepsjeje që çliron si energji prej së brendshmi të depërton si një energji dritimi. Sot, edhe sot, janë përjetuese, ngjethëse, joshëse, tunduese, mëkatare, si atëherë punët e mjeshtrit. Druhesh të ndalesh para tyre, si para një bukurie ngasëse, sepse jo gjithnjë je gati të jepesh. Detajet e kumtit dhe mëtimeve shprehen në një shumësi punësh nëpërmjet lakuriqësisë që zotëron një pushtet shprehie provokuese. Sfida e tij erotike është edhe për të jo më pak telendisëse. Nuk i shmanget përleshjes dhëmb për dhëmb me kohën. Terreni, megjithëse nuk ia kurseu lëvdatat dhe trofetë, nuk u njëmendësua me kungimin e tij sentimental, etik dhe estetik, nëpërmjet erosit. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja.

Nga tabloja në tablo

Klimt është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një “orgazme vrasëse” në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim estetik i jashtëzakonshëm i Klimt e përjetojmë edhe sot. Parajsa mbetet një nga motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Seksualiteti, dëshmimi, pjesëmarrja e vendosin shumësinë e pranisë në një sfond që nuk resht së vërshuari edhe sot. Për t’u hedhur te “The Kiss”, e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqësi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerrë së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinj të stërgjatë e kurmet që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë përfund objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gatishmërinë për t’u dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë, ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk ndalen nga puna në punë, Gustav Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapësira që zbrazësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.

Zanafilla dhe amshimi i kumtit

Bota Klimt është e mbushur me polen dhe pistil, embrione dhe spazma, ereksion, spermë e ofshamë, të gjitha këto të veshura me natyrshmërinë e vetë ngulmit artistik të piktorit, me lakuriqësinë dhe paturpësinë e dëshmimit. Në hapat fillimor veprat e tij u rrokë nga pasioni i një dëshire për t’u promovuar, u stolisën me ceremoniale entuziazmi dhe pritën me adhurim fisnik, duke u bërë kështu një imazh vjenez, një joshje e kureshtisë së zonjave të asokohshme. Ky trokth e përkundi deri kur ai pa tek erotizmi hapat vendimtarë të ngjizjes së punëve të tij në piedestalin e kryeveprave. Ishte koha kur mendësitë dekadente dhe hipokrizia viktoriane skërmitnin dhëmbët. Synimi drejt kreut ia mbushën rrugën me gropa të thella dhe vramëndje të mëdha. Mitin e tij në embrion e sulmojnë skandalet periodike, si në rastin e pikturave të tij në Universitet, i cili më në fund duhej t’i hiqte. Edhe pse Perandori Franz Josef I, e kishte nderuar Gustav Klimt me “Urdhrin e Artë e Meritës”. Klimt vendos të rebelohet, të dëshmojë vetveten: “Mjaft prej censurës … Unë dua të largohem … unë refuzoj çdo formë të përkrahjes nga shteti, unë do të bëj pa të…”

Femra dominuese

Në traditat të ndryshme, boshti vertikal është relativisht mashkullore (yang) në krahasim me boshtin horizontal femërore (yin). Këtu, Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale dhe përshkruar qartazi dhe ngulazi nga njëra punë në tjetrën, në të shumtat pothuajse, ndikimin zotërues dhe dominues të gruas ndaj burrit. Kjo epërsi e gruas, ishte jo vetëm një nga temat e mëdha të fundshekullit, por dhe kurajë kalorësiake e këtij bohemi artistik. Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të tij se “I gjithë arti është erotik”, në veprën që la, deshifrojmë huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një hapësirë e zbrazët e ndjek. Një zbrazësi e frikshme, e mbushur me makth dhe panik, me aludimin e dështimit dhe ndarjes. Femra që ka marrë në dorë frerët e zotërimit të brendisë së mashkullit e ngjeth piktorin, e vë në dyshim potencën e tij seksuale, gjithnjë shikon pas në pamundësitë dhe zgafellet që ka mbjellur deri aty. Kjo është një ëndërr. Mbase, por zbrazësitë ku ai hedh yjet e tij të shndritshëm të dominimit dhe të skllavërisë së vullnetshme, kumtojnë atë ndjesi të çmbushur që ndjell. Nga ana tjetër kjo hapësirë e vrenjtur, pakaherë me kolorit të çelur e mbush me dritë dhe ndjesi kumtin. Megjithëse Klimt është përpjekur t’i mbushë këtë gojë të stërmëdha gllabërimi, me simbole dhe zbukurime, ata shpesh i ngjajnë afreskeve të gozhduar në një mur manastiri ku s’ka rënë dritë kurrë dhe ky myshku dhe errësira e mbajnë atë si një shkëlqim që nderet mbi supet e natës.

 

Klimt për vete dhe jo vetëm

Klimt njihej nga të gjithë si një njeri fjalëpakë, por një prej deklaratave të tij është një dritare e rrallë për perceptimin e brendshëm të artistit. “Unë mund të pikturoj dhe të vizatoj. I besoj vetes dhe të tjerët thonë se e besojnë këtë. Por, nuk jam i sigurt, nëse kjo është plotësisht e vërtetë. Vetëm dy gjëra janë të sigurta: Nuk kam pikturuar kurrë veten. Nuk jam i interesuar te vetmja ime aq shumë sa jam i interesuar te të tjerët, veçanërisht femrat. Jam i bindur se nuk jam dhe aq interesant si njeri. Nuk kam asgjë të veçantë, jam një piktor që pikturon çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pikturoj figura dhe peizazhe, më pak portrete. Nuk kam dhuntinë e të shkruarit apo të shprehurit, veçanërisht nëse më duhet të flas për veten ose për punën time. Edhe kur kam për të shkruar një letër të thjeshtë më kap frika dhe ankthi si të më kishte zënë deti. Për këtë arsye njerëzit duhet të bëjnë edhe pa një autoportret artistik apo letrar e nuk duhet t’u vijë keq për këtë. Ai që do të dijë më shumë për mua si artist duhet vetëm të shohë pikturat e mia, të përpiqet të kuptojë brenda tyre se kush jam dhe se çfarë dua të bëj unë. Në këtë punë e kaluara jeton tani”.

Ekspozohet në Vjenë koleksioni i Gustav Klimtit

Në 150-vjetorin e lindjes, piktori i gjendjeve dhe impresioneve të derdhura në art, Gustav Klimt, i ofrohet një përkujtim vjenez, përplot shkëlqim dhe madhështi. Viti 2012, ishte për austriakët, vjenezët në veçanti dhe gjithë mbamëndjen dhe shijet e holla e plot sharm, viti i Klimt. Muzeu i Vjenës, Austri, me rastin e ditëlindjes së 150 të Gustav Klimt, duke filluar nga data 16 maj e deri më 16 shtator, do të prezantojë ekspozitë me titull “Klimt, Koleksioni i muzeut të Vjenës”. Muzeu, i cili ndodhet në kryeqytetin austriak, jo vetëm se posedon koleksionin më të madh të Gustav Klimtit në botë, por njëherësh është pronar i veprave të artit, më të llojllojshme të tij. Aty përfshihen të gjitha periudhat e krijimtarisë, duke filluar nga koha e studimeve dhe hapave të tij të parë në vitet e largëta 1880 e deri në vitin 1918 që ishte një vit para se ai të ndërronte jetë. Midis pikturave, të cilat do të ekspozohen gjatë asaj periudhe kohore janë edhe pikturat “Pallas Athene” dhe portreti i bashkëshortes, Emilia Fleg. Në këtë koleksion, para së gjithash, ndodhen rreth 400 vizatime, por edhe pllakatin skandaloz të pacensuruar për ekspozitën e parë në Secesi, mantelin, të cilin e mbante gjatë pikturimit vetë Klimt, material më të shtypur me vlerë, maska të ndryshme, si dhe vizatimin e Egon Shilei. Kësaj radhe nuk do të zgjidhen se çfarë do të ekspozohet e çfarë jo, pra nuk është bërë ndonjë përzgjedhje se cilat nga pikturat do të ekspozohen e cilat jo, por kësaj radhe do të ekspozohet “Klimti si tërësi”. Ekspozita në video-intervistat shpesh bëhet provokuese kur kemi të bëjmë me ato që do të kishte bërë sot Klimti, si dhe mes tjerash shtrohet pyetja se ku është kufiri midis qytetit të suksesshëm të “Vjena në vitet” dhe dozën e tepruar të Gustav Klimtit. Pos kësaj, gjatë kësaj ekspozite do të mund të shihen edhe produktet komerciale që ndërlidhen me Klimtin, të cilat viteve të kaluara ishin blerë si koleksion. Ekspozita është plotësuar edhe me pllakatet nga bibliotekat e Vjenës, të cilat tregojnë paraqitjen e Klimtit në shekullin e kaluar. Kjo ekspozitë është mjaft interesante dhe, sipas artistëve, është një ekspozitë shumë origjinale. Vetë periudha e gjatë kohore e shfaqjes së ekspozitës dëshmoi se sa shumë vizitorë morën pjesë në muzeun e Vjenës dhe sa shumë njerëzit janë të interesuar për veprat e Gustav Klimt.

Epilog

Klimt e paraqiste historinë si një pjesë të vetes dhe veten si pjesë të Vjenës, mendësisë dhe kurajës, që u bë shkas të mbajë atë lart, në piedestal. Ai punoi dhe jetoi vrullshëm. Si në art ashtu edhe në shpirt, ndezi stuhi pasioni dhe u formësua si ndriçim nga shndritja e përjetimit. Për të gratë ishin shumëçka, si në shtrat ashtu edhe në telajo. Ofshamat i hodhi në pikturë me të njëjtin densitet sa dhe netët vjeneze seksualitetin. Jetoi në çdo moment si i dalldisur nga pasioni për të bukurën. Krisjet në shpirt nuk ia kurseu as krijimtaria dhe as kënaqësia. Ai është vetëm ai që ne e kundrojmë në pikturat e tij, si atëherë edhe sot në 150-vjetorin e lindjes. Gustav Klimt, nisi, vazhdoi dhe sosi së shtruari deri në përjetësi udhën e tij të madhështisë.

 

Torkuato TASO (1544 -1595) poet dhe dramaturg italian

* Kur Paskuino shfryu zemërimin me satirat e tij kundër nipërve të Papa Klementit VII, që kishin abuzuar, ata deshën ta hidhnin në Tever statujën e famshme. Torkuato Taso kundërshtoi mendimin e tyre dhe tha:

– Nga pluhuri i kësaj statuje do të dalin në bregun e lumit një numër i pafund bretkosash që do të kuanin ditë e natë.

Përgjigja i pëlqeu Papës ndaj e thirri poetin. Tasoja atëherë shtoi:

– Mirë, o at i shenjtë, po në qoftë se shenjtëria juaj kërkon që statujat të mos flasin më, duhet të bëni që njerëzit të cilët qeverisnin të punojnë mirë.

* Tasos i bënë një padrejtësi dhe të afërmit i thanë që të hakmerrej. Tasoja iu përgjigj:

– Jo, unë nuk dua t’i marr as jetën, as pasurinë dhe as nderin, dua vetëm t’i heq të keqen që ka bërë.

Tasos i thanë se një miku i tij fliste vazhdimisht keq për të. – Lëreni të flasë, – u përgjigj Tasoja, – është më mirë që ai të flasë keq për mua me të gjithë, sesa të gjithë të tjerët t’i flasin atij keq për mua.

THEKEREI Uiljam Mejkpis (1811-1863) shkrimtar realist i shquar anglez

* Thekeri lindi në Kalkuta nga një baba anglez që punonte atje si taksambledhës. Pasi i vdiq babai, nëna u martua me një burrë tjetër. Kur u kthye në Angli ai mori me vete edhe Uiljamin e vogël gjashtëvjeçar. Rruga detare nga India në Angli atëherë zgjati gjashtë muaj. Anija u ndal gjatë rrugës në ishullin e Shën Helenës. Një indian i anijes e shoqëroi djalin e vogël në një shëtitje nëpër ishull. Ata arritën në kangjellat e një kopshti, ku panë një njeri që ecte poshtë e lartë si bishë në kafaz.

– Vështro mirë, – i tha indiani fëmijës, – vështroje mirë disa herë. Ky është Napoleon Bonaparti. Çdo ditë ha tre deshë dhe gjithë fëmijët që mund të shtjerë në dorë.

Thekërit të vogël i la mbresë të thellë pamja e këtij njeriu të tmerrshëm.

* Në Angli Uiljamin e vogël e futën në një kolegj, ku drejtori që ishte edhe mësues, e trajtonte shumë keq. Ai e rrihte dhe shpesh e dënonte duke e lënë pa ngrënë. Fëmija e vogël vuajti shumë. Disa herë e kishin dëgjuar natën duke qarë dhe duke thirrur me zë të lartë:

– Zoti im! Më nxirr të shoh në ëndërr nënën time!

Nëna shkoi që ta merrte dhe kur i biri e pa, menjëherë iu hodh në qafë dhe i tha:

– Nuk më ke harruar?

Dhe e puthi pa pushim, pa mundur të nxirrte asnjë fjalë tjetër nga goja.

* Uiljami në fillim nuk shkoi mirë në shkollë. Atë e mërziste gjimnastika dhe nuk i duronte dot duelet e boksit ndërmjet shokëve të shkollës. Në një nga këto ndeshje një shoku i tij më i madh në trup e dëmtoi keq në hundë sa i mbeti shenjë për tërë jetën. Megjithatë Thekëri ishte njeri i butë dhe u bë shok me të.

* Thekëri u martua në moshë të re. E shoqja nuk ishte mirë me shëndet dhe pak kohë mbas martesës u çmend. Thekëri bëri përpjekje të mëdha për ta shëruar. Një ditë kur ishte në mjerim të madh dikush trokiti në portë. Ishte një botues që kërkoi të shkruante recensione për vepra artistike dhe muzikore.

– Po ju jap tre gine në javë, – i tha botuesi. Kjo shumë e vogël në ato kushte, iu duk e madhe shkrimtarit ndaj i tha:

– Po merrmëni në shërbim, pra, për gjithë jetën.

* Thekëri njihej si gazetar, por ende jo si romancier, sepse ato pak romane që kishte shkruar deri atëherë kishin kaluar pa lënë gjurmë. Ai kishte në kokë plane, ide të ndryshme e personazhe, por këto i kishte të paorganizuara në një sistem dhe nuk arrinin të shprehnin fizionominë e kohës së tij. Një natë u zgjua duke thënë dy fjalë: “Panairi i kotësive”.

– U hodha përpjetë nga krevati, – tregonte ai vetë, bëra tre rrotullime nëpër dhomë dhe thirra me zë të lartë si i çmendur:

– “Panairi i kotësive”. Kështu ai gjeti titullin e romanit që u prit shumë mirë dhe u përkthye në shumë gjuhë.

* “Panairi i kotësive” u botua, siç ishte zakon atëherë, në formë dispence, me fashikuj. Fashikujt e parë nuk patën sukses dhe botuesi deshi ta ndërpriste botimin. Kur një revistë autoritare botoi një recensë ku ngrihej lart vlera e veprës së re, atëherë libri i Thekërit u bë i pavdekshëm. Botimi i parë nuk i kaloi të gjashtë mijë kopjet, kurse çdo roman i Dikensit në atë kohë shitej të paktën njëzet mijë kopje.

– I kam pasur të gjitha sukseset, – tregonte, vetë Thekëri – përveç shpërblimit në para.

* Pas romanit “Panairi i kotësive” Thekëri shkroi romanin tjetër “Pendenis” me karakter autobiografik. Ai e shkroi në fillim në kopje dhe pas ripunimit vajzat ia kopjonin në të pastër pjesë pjesë. Vajza e vogël që nuk ishte më shumë se dhjetë vjeç, kur arriti në çastin që protagonisti vdes, nisi të qante dhe tha:

– Jo, jo, baba, nuk dua të vdesë! Bëje të shërohet!

Dhe për ta qetësuar të bijën, babait iu desh që t’i premtonte se Pendenis do të shërohej.

TICIANI Veçelo (1447 – 1576) piktor i shquar italian

* Ishte nxënës i Xhorxhiones^. Në studion e tij pikturoi një pikturë “Xhudita” si mësuesi i tij. Të gjithë e morën si vepër të mjeshtrit dhe e lavdëronin Xhorxhonen duke i thënë se ajo ishte vepra më e mirë e etij. Mjeshtri duhej t’u përgjigjej njerëzve se ajo ishte vepër e nxënësit të tij. I mërzitur nga lavdërimet që i drejtoheshin atij për veprën e Ticianit, ia lëshoi studion nxënësit të tij.

* Në rininë e hershme Ticiani ishte në një shtëpi për të fjetur. E futën në një kënd poshtë shkallëve, ku u shtri mbi bar. Me ngjyrat që kishte ashtu në gjysmerrësirë nisi të pikturojë në mur një zjarr të bukur me flakë dhe tym. Kur u ngrit i zoti i shtëpisë në mëngjes hapi portën dhe iu duk se po i digjej shtëpia.

* Ticiani, kërkoi të hante në një pijetore. Në fillim i vunë tryezë përpara, por dyshuan se mos ishte pa para në xhep,, sepse ishte veshur keq. Aty nuk i sollën as edhe një copë bukë.

Atëherë ai nxori penelat dhe ngjyrat, dhe pikturoi një tryezë të shtruar me të ngrëna dhe me një shishe me verë të kuqe.

Të habitur prej pikturës së bukur i dhanë të hante falas.

Krisje pranguse

 

Shakullohet cikama e njelmët e lotit

transplantit të Bermundeve,

ku mbrumun asht bula e ashtit.

 

Lastareve të hukamës

rrezitin hej,

jargues  përulen sterkalat

e refrenit të bulktheve.

 

Mrizon molisjen erozive

kreshpërim i hojm i dihamës.

 

Timbri duhitës i gjakut platitet,

trajtën e shkamit

marrin gjymtyrët e shiut,

kjo rrenqethje e tultinës

shemb torsin e apologjis sime prej beduini.

Nga Albert Vataj

 

Vetvetja, si qënje së brenshmi dhe së jashtmi

Persiatje filozofike

Nga Albert Vataj

Vetja jonë nuk është një koncept filozofik i sofistikuar. Ajo është një formë shprehje e realitetit personal, vetvetor. Pika e thyerjes së këtij dimesioni qenësor është pikërisht aty ku vetëdija joën ka rol bashkues për të dukshmen dhe të padukshmen. Pikërisht aty ngjizet sfida. Jo tjetërkund ne përballemi me atë që jemi dhe duhet.  Është një trajtë e shumëformshme së brendshmi, duke mbetur rreptësisht e pandryshuar së jashtmi. Si pa kuptuar vetja jonë shumëfishohet. Ajo e bën këtë, duke ruajtur besnikërisht vetveten, atë vetvete që shihet. Vetëm atë. Tjetërqysh ajo shpërfaq shprehje përgjatë rrugetimit për të përmbushur misionin. Vendosmeria për të ruajtur të pandryshuar vetveten, është një karakteristikë dalluese. Ndryshimet rrethanore, e bëjnë këtë së brenshmi nesh. Aty është e pamundur të hyhet. Madje, edhe vetvetja e ka të disiplinuar këtë mundësi. Shpesh, ose në të shumtën e rasteve, vetvetja është e painteresuar të shohë mundësitë dhe të shfrytëzojë shanset për të penetruar në të, duke e konsideruar mëse të mjaftueshme, sipërfaqen. Pranimi i të sipërfaqshmes është një ngasje që na ysht gjithnjë e më shumë drejt thjeshtëzimit të pjesëmarrjes në vetvete, dhe në realitetin rrethqarkues, nesh.

Na lipset të jemi tjetërkush, dhe e bëjmë këtë vullnetarisht dhe me bindje se asgjë në veten tonë të sipërfaqshme, nuk ka ndryshuar. Në vazhdë të së gjithes, vetja vihet, ose jemi ne që e përballim me shumë rrethana, që e yshtin atë të ndryshojë dhe duke u tjetërsuar, të përshtatet. Dashtazi, ajo masë fizike e ka dëshmuar se e epërmja e gjanave, hyjnorja e tyne është duka, është pamja, është sipërfaqja. Thua se ne nuk mund dhe ska pse duhet të jemi tjetërçka vetëmse një panoramë, një shkrepëtimë blici, një negativ, apo një impresion estetik i derdhur në një katërcepësh telajoje. Në këtë të tashmë, kur shumë gjana jepen kryekëput ndjesive të sipërfaqshme, është ajo, duhet të jemi ne që s’duhet të ndryshojmë. Brenda nesh, një univers i tërë lëviz. Vërshimi i të shkuares, të tashmes dhe mirazhet e së ardhmes, e kanë transformuar atë në një shtjellë rrapëllitëse. Ngulmi drejt triumfit, përnga zotërimi, motivimi dhe egoja, janë dhëmbëzimi i ingranazheve që duke u kacafytun ndërvedi, bajnë që kjo makinë të lëviz, të ecën, të synojë. Anipse ne si individ, spaku kemi pranu derimtash dy bote, atë të jashtmen dhe atë së brenshmi, kjartazi kena pranu njiherash, se duke qenë dual, shfaqemi dhe jemi, kurrsesi njisoj. Vullnetlirë ose jo, ne kena dakordësu këtë formësim, dialektikën e të qenit kështu, alkiminë e vetvetes në të dy dimensionet. Bota përreth, gjithashtu, dukshëm shfaq ngulmin për me na pranu të dyfishtë. Anda për me përngja brendisë asht dhe metet një andërr e kakohëshme. E gjithmonshme munem me thanë, metet kjo dëshirë. Qasjet për me i kundru si të njëjta, asht ngushtësisht nji udhë empirike, që jo gjithnji gjehet e  përjashtume si mundësi.

E kahershme është qëndresa për të vazhduar së qëndruari jashtë. Anipse jemi ne. Është vetëdija jonë, janë kushtet rrethanore, nevoja për të ndryshuar, domosdoja për tu përshtatur, gjithëkëto që na mbajnë jashtë fortesës së vetvetes. Dhe këtë e bajnë duke na leju për me mbetun të shumfishum, si dëshmi e së vërtetës së kjartësuar në njësinë që sheh gjithnji vetveten.