Armët e përkrenarja Skënderbeut, 40 mijë vizitorë në një ditë

Armët e përkrenarja Skënderbeut, 40 mijë vizitorë në një ditë

Një dyndje e jashtëzakonshme njerëzish për të vizituar armët dhe përkrenaren e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Muzeun Historik Kombëtar. Të mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të qenë pjesë e festimeve të organizuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me mijëra njerëz shfrytëzuan rastin që të vizitonin edhe Muzeun. Menaxhimi i gjithë asaj turme njerëzish do të kishte qenë i pamundur vetëm nga punonjësit e MHK-së, të cilët kishin thirrur në ndihmë edhe forcat e rendit, që këto ditë kanë qenë të shumtë në numër. Njerëzit kanë pritur në radhë me orë. Burra e gra me fëmijë në krahë, të rinj, por edhe të moshuara me shami të bardha në kokë, pritën me durim. Hyrja ishte organizuar në grupe. Ndërsa një grup njerëzish dilte nga pjesa e pasme e Muzeut, grupi tjetër drejtohej për në Pavijonin e Mesjetës, ku ishte edhe interesi më i madh i vizitorëve.
Numri i vizitorëve
Mësohet se nga dita e ekspozimit, 22 nëntor, deri në mbrëmjen e 27 nëntorit, numri i vizitorëve i kalonte 100 mijë, ndërsa dje ishte dyndja më e madhe. Sipas punonjësve, numri i vizitorëve gjatë ditës së djeshme ka kapur numrin e rreth 40 mijë vetëve. Për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të njerëzve, shumë prej të cilëve kanë ardhur edhe nga Kosova, Muzeu Historik Kombëtar ka hapur dyert 24 orë. Jo vetëm gjatë ditës, por edhe përgjatë orëve të natës, Muzeu ka qenë i hapur. Hyrja është e lirë. Në fillim u diskutua edhe mundësia e hyrjes me biletë, por me atë dyndje do të kishte qenë e pamundur pajisja me biletë. Duket se MHK nuk ishte i përgatitur për një vizitueshmëri kaq të lartë. Gjatë ditëve të para kanë shkuar për ta vizituar të organizuar nxënës shkollash e studentë. Ardhja në Shqipëri e armëve të Skënderbeut ka ngjallur një kuriozitet të jashtëzakonshëm për të parë nga afër objektet e Heroit Kombëtar, gjatësinë e shpatave, njollat e gjakut që thuhej se ende dukeshin mbi tehun e shpatës, përkrenaren me kokën e dhisë… E kuptohet komentet ishin nga më të ndryshmet. Kënaqësi e përzier me habi. Shumica e njerëzve që vizituan dje Muzeun Historik Kombëtar, kurrë më parë nuk kishin hyrë në një muze. U deshën armët e Skënderbeut që të vërshonin mijëra njerëz në dyert e Kombëtarit.
Objektet
Dy shpatat, përkrenarja, një gravurë dhe faqet e kodeksit erdhën në Tiranë nga Muzeumi i Vjenës, ku qëndrojnë për gati 5 shekuj. Këto objekte, të cilat janë vlerësuar 35 milionë euro, janë siguruar nga kompania e sigurimeve “Sigal Uniqa”. Ato u vendosën nga specialistët austriakë në një vitrinë të xhamtë, e cila është sjellë nga Austria dhe do të jenë po ata që do t’i lëvizin prej aty. Pavijoni i Mesjetës, ku janë vendosur objektet e Skënderbeut, është pajisur me kamera sigurie, të cilat janë nën vëzhgim 24 orë në 24 dhe survejohen në kohë reale edhe nga Muzeu i Vjenës. Gjithashtu godina është pajisur me sistem alarmi, që sinjalizon për çdo lëvizje në ambientet e Muzeut, pas mbylljes së tij. Në marrëveshje me qeverinë austriake, ato do të qëndrojnë të ekspozuara deri në datën 13 janar, për t’u kthyer sërish në Kunst Historisches Museum në Vjenë, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor 1578, ku duka i Urbinos Marius Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand të Tirolit, i cili shquhej si koleksionist i veshjeve dhe armëve të princërve dhe prijësve luftarakë, se do t’i dërgonte armët e Skënderbeut. Më 15 maj të 1579, ky i fundit e falënderon dukën e Urbinos për armët e Skënderbeut. Këto objekte përmenden sërish në letrën e dukës Von Arescot më 25 korrik 1588. Armët e Heroit nuk ishin të shënuara në inventarin e vitit 1585, por në vitin 1593, në fletën 69 shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e ‘Georgen Scanderbegg’”.

Rënia e Shkodrës më 23 prill 1923

Rënia e Shkodrës më 23 prill 1923

Më 23 Prill 1913 mbasdite, një telegram që mbërriti në zyrën e Postë Telegrafës së Vlorës, njoftonte Ismail Qemalin se Shkodra, e rrethuar prej 7 muajsh nga Malazezët, kishte rënë. Telegrami vinte nga Tirana dhe nuk jepte më shumë hollësi. Ai ishte një kopje e telegramit që Komandanti i Shkodrës, Esat Pashë Toptani i kish dërguar Konsullit të Përgjithshëm të Italisë në Shkodër, Karlo Mançineli Skotti:
“Qysh prej 7 muajësh fortesa e Shkodrës, pa marrë asnjë farë ndihmë nga askush rezistoi me gjithë forcat e saj. Sot me keqardhje, rezervat ushqimore ekzistuese në fortesë mjaftojnë për të ushqyer trupat vetëm për një ditë. Meqenëse punët qëndrojnë kështu, i bindur plotësisht se përveç dëmeve të tjera për qeverinë e për vendin nuk mund të përfitoja gjë, gjer sonte në mbrëmje, në bazë të kushteve këtu të bashkëngjitura, po ja lëshoj llogoret milicisë malazeze e po nisem për Tiranë. Ju vë në dijeni se qysh prej ditës së nesërme, qyteti do të kalojë nën administrimin e qeverisë malazeze
Valiu Administrues e komandant i trupave Osmane
Esat”

Ndarja e Shqipërisë, pengu i atit të mëvetësisë së Shqipërisë-Ismail Qemalit.

Ndarja e Shqipërisë mbeti pengu më i madh i Ismail Qemalit. Në kujtimet përpara vdekjes, ai rrëfen: “Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ja kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore.”

Figurë

Më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha nën ndikimin e Italisë dhe Austrisë, dhanë vendimin përfundimtar. Në një dokument me 11 pika ato njihnin shtetin e ri, përcaktonin një mandat 10 vjeçar kontrolli që mbikëqyrej nga Komisionin Ndërkombëtar i Kontrollit me përfaqësues nga fuqitë e mëdha dhe caktuan për sigurinë në vend ngritjen e një xhandarmërie që do drejtohej nga oficerë suedeze. Me tërheqjen e Suedisë, kjo ju ngarkua ushtrisë holandeze. Shqipëria përcaktohej principatë autonome dhe e trashëgueshme. Princi do të vendosej brenda vitit në mirëkuptim nga 6 fuqitë e mëdha. 29 korriku, është dita e njohjes zyrtare ndërkombëtare të shtetit shqiptar, deklaruar nga Kuvendi i Vlorës, 9 muaj më parë, më 28 Nëntor 1912.

Vjen një princ dhe një dukë

Mars 1913, banorët e Vlorës që gjendeshin në afërsi të Skelës, u befasuan kur dalluan një anije të re, të ndryshme nga dy fregatat e vjetra greke që ruanin qytetin, të hynte në bankinën provizore të portit. Ajo ecte shpejt dhe për befasinë e të gjithëve kishte ngritur lart flamurin shqiptar bashkë me atë francez. Njeriu i parë që zbriti nga jahti luksoz ishte Mark Kakarriqi, djali i ri që kishte pritur Ismail Qemalin në Stacionin e Tristes në nëntor 1912 dhe që tani po vinte në Vlorë me dy personazhe mjaft interesantë. Njëri prej tyre ishte Princi Gjika me gjak shqiptar, tjetri Duka Ludvig Ferdinand i Monpansjes, nga dera e Burbonëve. Duka kishte mbërritur në Shqipëri, për t’i paraqitur Qeverisë së Vlorës, ofertën e tij për Mbret i Shqipërisë. Edhe pse këtë gjë e vendosnin qeveritë e 6 fuqive të mëdha. Duka i Burbonëve e ftoi Ismail Qemalin për mëngjes në jaht dhe pati me të një bisedim mjaft miqësor. Ndër të tjera, ai pranoi që të merrte nga Vlora në Brindizi një delegacion prej 7 përfaqësuesish të Qeverisë së Vlorës që do të shkonin në Londër pranë Konferencës së Ambasadorëve.

Qeveria provizore

Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe 4 të tjerë u nisën po atë mbasdite. Ata udhëtuan me jahtin privat të Dukës deri në Brindizi e prej këtej me tren deri në Paris. Ismail Qemali pati takime interesante në Romë e Paris e më vonë në Vienë, por takimet më të rëndësishme do të ishin në Londër. Përfaqësia e Qeverisë Provizore u vendos në Hotel “York” dhe ajo shoqërohej në pjesën më të madhe të kohës, nga Lordi Herbert, një mik i Shqipërisë. Ata patën takime me gjithë Ambasadorët e Fuqive të mëdha, përfshi mikpritësin e konferencës, Ministrin e Jashtëm britanik Eduard Grej. Grej dukej i ftohtë dhe fare pak racional. Po të mos lësh mënjanë një batutë që pjesëmarrësit aty e kanë kujtuar gjithnjë më vonë. Në hyrje të Foreign Office, Isa Boletini u detyrua të linte koburen që mbante gjithnjë me vete. Në mbyllje të takimit, ku Grej kish qenë miqësor kryesisht me Boletinin i qe drejtuar këtij të fundit:

–          Gjeneral, shtypi do të shkruajë nesër që Isa Boletini që s’e çarmatosi dot as Mahmut Shefqet Pasha, u çarmatos në Londër!

–          Jo besa, as këtu jo, tha Isa Boletini duke nxjerrë nga xhepi i brendshëm një revolver të dytë!

Në fakt, Eduard Grej refuzoi t’i njihte pretendimet e shqiptarëve. Në fund të shekullit të XX, pasardhësi i tij, Ministri i Jashtëm Robin Kuk, deklaroi gjatë luftës së Kosovës më 1999 në Parlamentin britanik se ai i kishte shqyrtuar dokumentet e konferencës së Ambasadorëve dhe se vendimi i saj kish qenë i detyruar nga momenti:

Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar”, tha ai!

Delegacioni qëndroi edhe ca ditë në Londër dhe kësaj here si adresë e tij jepet Rruga “28 Bruton Street U1”, afër “Bond Street”. Me gjasë kjo ka qenë shtëpia e Aubrey Herbertit, ku ata u takuan edhe me Edit Durhamin.

Në fund të Marsit delegacioni u kthye sërish në Vlorë. Në kthim Ismail Qemali nuk qëndroi më në shtëpinë e Xhemil Vlorës, por përshtati si seli të qeverisë, ish godinën e karantinës së portit. Një godinë e vogël, por me ballkon. Po ai ballkon ku Petro fotografi do ta fiksonte më 28 nëntor 1913, bashkë me shumë firmëtarë të tjerë të aktit të pavarësisë. Në një prej fotografive më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

Si nisi në Londër, shqyrtimi i njohjes së Shqipërisë

Më 17 dhjetor 1912 konferenca e Ambasadorëve në Londër me insistimin e Austro – Hungarisë mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Ajo pranoi në parim njohjen e vendit të ri dhe deklaroi hapjen e diskutimeve për kufijtë e tij.

Eqrem bej Vlora rrëfen se si në natën e 20 Dhjetorit:

Në mesnatë gjithë qyteti vërshoi në shtëpinë e Ismail beut për ta uruar për suksesin e Qeverisë së Përkohshme. Ai ishte i zemëruar: “keq shumë filloi kjo lojë?! ç‘është kjo sjellje e çmendur?! Që në hapat e saj të parë Shqipëria u prit me këto krisma të marra!”.

Ismail Qemali kish të drejtë, por në 100 vitet e ekzistencës së saj, Shqipëria do të festonte edhe shumë herë të tjera me krismat e armëve që çanin qiellin. Ndërkohë, pas njohjes “në Parim”, Konferenca e Londrës kish nisur shqyrtimin e kufijve. Fuqitë e mëdha kishin qëndrime të kundërta në këtë pikë. Duke tentuar të ndalë daljen e Serbisë në det, Austro – Hungaria kërkoi një territor prej 42 mijë kilometrash katrorë për shtetin e ri të shqiptarëve. Ajo nisej nga parimi që shteti shqiptar duhej të shtrihej në ato troje ku shqiptarët qenë mazhorancë dhe në vazhdimësi territoriale. Rusia dhe Britania kundërshtuan ashpër. Ato sqaruan se kufiri i Shqipërisë duhej të vendosej në varësi të fatit të luftës, por ranë dakord në parim që “ta konsiderojnë” krijimin e një shteti shqiptar. Konferenca vendosi të dëgjojë të gjitha palët e interesuara për këtë çështje.

Më 2 Janar 1913, tre përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga u pritën në audiencë nga ambasadorët e fuqive të mëdha. Të pajisur me harta, të dhëna dhe argumenta të fortë historikë, të tre përfaqësuesit paraqitën pretendimet shqiptare për krijimin e një shteti prej 57 mijë km/katrorë. Ai përfshinte brenda kufijve të tij trojet e banuara kryesisht prej shqiptarësh nga Mitrovica në Prevezë, duke përfshirë brenda tyre edhe Janinën, Shkodrën dhe Shkupin.

Më 26 Janar, Konferenca priti delegacionin Grek i cili i çonte pretendimet e tij thuajse deri në lumin Vjosë, dukë futur brenda territorit të shtetit helen Korçën, Gjirokastrën, Përmetin, Himarën dhe disa vise të tjera. Vlora i mbetej Shqipërisë. Grekët këmbëngulnin se për këtë gjë kishin pasur një marrëveshje me vetë Kryeministrin e Shqipërisë. Më 14 Prill 1913, Ministria e Jashtme Greke, njoftonte Delegacionin në Londër se po ju dërgonte origjinalin e marrëveshjes sekrete të Ismail Qemalit me Kryeministrin Grek, Theotokis, hartuar më 22 janar 1907. Ndër të tjera, ajo i kërkonte delegacionit që t’i kërkonte mendim Ismail Qemalit nëse i qëndronte kësaj marrëveshjeje. Nuk dihet ç‘ka ndodhur me të, por në një tjetër telegram, sqarohet se Ismail Qemali i është përgjigjur përfaqësuesit grek:

Në kushtet e reja kjo marrëveshje nuk qëndron”!

Shteti Grek preu që nga ky moment çdo marrëdhënie me shefin e ri të Shqipërisë. Marrëveshja e Ismail Qemalit me Kryeministrin Theotokis e vitit 1907 është cituar në një seri librash në Greqi, por ajo nuk është botuar asnjëherë e plotë. Askush nuk e ka parë edhe pse, si pasojë e saj dhe e një marrëveshjeje të dytë me një shoqatë Pan Helenike, Ismail Qemali është parë shpesh me dyshim si njeri i grekëve. Për këtë me gjasë, ka luajtur rol edhe fakti që gruaja e tij, ishte greke. Por pavarësisht dyshimit kryesisht britanik dhe italian, asnjë rast nuk vërtetohet që Ismail Qemali të ketë favorizuar interesant greke.

Një javë më vonë mbërriti projekti Serb, i mbështetur fort nga Rusia, që synonte shtrirjen e Serbisë në dy variante deri në Durrës ose minimalisht, deri në lumin Drin. Duke futur brenda territorit të saj edhe Shëngjinin e Lezhën.

Gjatë shkurtit, Konferenca dëgjoi edhe pretendimet gjermane dhe ato ruse. Rusët kërkonin që shteti i ri shqiptar të shtrihej në një sipërfaqe prej 12 mijë km/katrorë. Italia mbajti një qëndrim të ngjashëm me Austro – Hungarinë. Por qëndrimet e tyre u dëmtuan rëndë nga rënia e qytetit të Janinës në duart e ushtrisë greke në 19 Mars 1913. Komandanti Turk i qytetit, me origjinë shqiptare, Esad Pashë Janina, refuzoi ta ngrinte flamurin shqiptar në qytet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe refuzoi ta priste si Ministër të Qeverisë së përkohshme të dërguarin e saj, Mithat Frashërin. Deklaroi se Frashëri ishte i mirëpritur vetëm si person privat.

Më 19 Mars 1913, në pamundësi për të rezistuar më, ai deklaroi dorëzimin e qytetit. Pas rënies së Janinës, Austro – Hungaria dhe Italia i modifikuan qëndrimet e tyre. Ose më mirë të thuhet, pushuan së rrezistuari. 3 ditë më pas, në 22 Mars 1913, konferenca mori një vendim që i njihte Shqipërisë një territor mjaft të ngjashëm me këtë të sotmin. Kufijtë e vërtetë të Shtetit Shqiptar u sanksionuan në Protokollin e Firenzes, më 1925. Shqipëria shtrihej në një sipërfaqe prej 28 748 kilometrash katrorë, nga 57 000 që kërkoi Qeveria e Vlorës. Zona të tëra të banuara prej shqiptarësh në Kosovë, Çamëri dhe Shkup, ju bashkuan Serbëve, Bullgarëve apo Grekëve. Territori shqiptar edhe pse u njoh, u përgjysmua.

Më 2008, pas një historie thuajse 100 vjeçare qëndrese, Kosova shpalli pavarësinë. Shteti më i ri i globit ka një sipërfaqe prej 10887 kilometrash katrorë. Nëse territori i saj dhe i Shqipërisë bashkohen, ato përbëjnë një sipërfaqe prej 39 656 kilometrash katrorë, afro 3000 më pak se sa Austro – Hungaria dhe Italia kërkuan për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve!

Figurë

Dokumenti i parë i Shtetit Shqiptar dhe firma e parë e një Kryeministri të Shqipërisë

Telegrami që jepte sihariqin e madh

Pas nënshkrimeve, Kuvendi vendosi ngritjen e një qeverie provizore që do të administronte vendin dhe zgjodhi si kryetar të saj Ismail Qemal Beu. Dom Nikollë Kaçorri do të ishte zëvendësi i tij. Ismail Qemali u bë Kryeministri i parë i Shtetit Shqiptar. Në orën 20.00 të mbrëmjes, në drejtim të Elbasanit dhe më pas Tiranës dhe gjithë qyteteve të Shqipërisë u nis ky telegram:

Kongresi u hap. Indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u zgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet shteteve të mëdha me kabllo. Ju urojmë

Pak minuta më vonë, kreu i qeverisë i diktoi Qemal Karaosmanit këtë telegram që u përhap në gjithë Shqipërinë:

Sot u hap kongresi i përbamun prej përfaqësuesvet të gjithë Shqipniës dhe vendosi proklamimin e indipendencës së Shqipnies dhe formimin e Qeveriës së Përkohshme. Kryesia e Qeveriës dhe formimi i këshillit m’u ngarkue mue. Lutem e shpallni në qendrat e në për ndënprefekturat dhe ua komunikoni zyrtarisht konsujve t’atyshëm, tua na bamë me ditë edhe neve.

Qendravet

Deklarata e shkrume poshtë, të përkthehet shqip dhe të njitet në për muret n’emën të Qeverriës së Përkohshme, shkrue me nj’anë në turqisht e më tjetër anë shqip. Veç kësaj duhet që edhe me mjetet të tjera të pëlqyeshme t’i komunikohet e t’i njoftohet gjithë popullit.

Ismail Qemal

Ishte dokumenti i parë i Shtetit shqiptar dhe firma e parë e një Kryeministri të Shqipërisë!

Një orë më vonë, Ismail Qemali nënshkroi një tjetër telegram drejtuar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, por për dijeni edhe Qeverive të Romës, Vienës, Parisit, Berlinit, Petrogradit, në të cilin njoftohej se kuvendi kombëtar në Vlorë, me përfaqësues nga gjithë krahinat dhe besimet fetare në vend, shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Kërkesa për njohjen e shtetit të ri, shoqërohej edhe nga një paragraf që fliste për traditën Europiane të Shqiptarëve.

Menjëherë pas tyre, ai nënshkroi një tjetër telegram që u nis nga zyra e telegrafit Vlorë në drejtim të Cetinjës, Beogradit, Sofjes dhe Athinës. Veç njoftimit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali ju kërkonte qeverive:

“çdo veprim hostiliteti nga ana e ushtërivet tuaja mbrenda në truell kombëtar të tyne, ka me pushue së vepruemi dhe se gjithë viset thjeshtë shqiptare të pushtueme sot prej ushtërivet të aleatvet kanë me u lëshue prap”!

Ai i firmosi të dy telegramet si dhe disa dhjetra që u nisën atë natë deri në agim, me titullin:

FigurëIsmail Qemali, Kryetar i Qeverisë së Përkohshme!

 

 

Qeveria e Ismail Qemalit, vendi ishte në mjerim

Mbi 400 besnikët e Isa Boletinit u bënë forca e parë ushtarake, por edhe xhandarmëria e Qeverisë së re

Kuvendi i Vlorës zhvilloi 7 mbledhje, derisa ai u shpërnda më 7 dhjetor 1912. Sipas statistikave të studiuesit Artan Lame, nga 40 firmëtarët e pavarësisë, 27 ishin myslimanë, 11 ortodoksë dhe 3 katolikë. Delegati më i ri ishte Ferit Vokopola, 25 vjeç, ndërsa më i moshuari, Babë Dudë Karbunara, 70 vjeç. I fundit i firmëtarëve, Dhimitër Berati, ndërroi jetë në vitin 1970 në një aksident automobilistik në Romë. Ndër firmëtarët e pavarësisë, 1 u pushkatua nga regjimi komunist, 3 vdiqën në burg, 4 u arratisën, 6 u burgosën dhe 15 vdiqën në emigracion!

Historia e pavarësisë u manipulua shpesh gjatë 100 viteve. Në vitin 1937, në një biografi zyrtare të Mbretit Zog, u nënvizua fakti që Mbreti kish qenë në Vlorë dhe kish firmosur dokumentin më të rëndësishëm të historisë sonë. Në fakt, firma e Zogut nuk figuron në dokument, ndërkohë që procesverbali i mbledhjes së fundit të Kuvendi, më 7 Dhjetor 1912 shënon:

“Lajmërohet të ardhurit e delegatëve të Ohrit, Hamdi Beu dhe Dervish Hima; nga Starova Z. Hajdar Blloshmi dhe Mustafa Efendiu dhe nga Mati, Ahmet Muhtar Beu, Riza Beu dhe Kurt Agai”!

Pra Ahmet Zogu kish mbërritur me mandatin e Matit, plot 9 ditë me vonesë. Siç dëshmon edhe ai vetë në një telegram të datës 2 Dhjetor 1912 për Ismail Qemalin, nisur nga Tepelena:

U sgjodha përfaqësues i Matjes. Ndëshkruani për mua vendimet e kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhënin tuaj.”

Zogu la në heshtje shumë firmëtarë që ishin kundërshtarë të tij. Po kështu veproi Enver Hoxha që mbuloi emrat e kundërshtarëve politikë me një foto të pleqësisë që u vendos mbi dokument. Në vitin 1982, Hoxha deklaroi se xhaxhai i tij, Hysen Hoxha kishte qenë atje. Filmi “Nëntori i dytë” paraqet mbërritjen e Ismail Qemalit në anën tjetër të urës së Mifolit më 27 Nëntor 1912 dhe një person që i prezantohet: “Hysen Hoxha, delegat i Gjirokastrës”. Por Hysen Hoxha nuk u bë dot firmëtar i pavarësisë. Firma e tij nuk është në dokument dhe një procesverbal i mbledhjes së datës 3 dhjetor 1912 sqaron:

Sot ardhnë delegatët e Gjinokastrës, emrat e të cilëve janë këto: Myfit Bej, P. Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjinokastra dhe Veli Bej klisura

Hysen Hoxha, po ashtu si Ahmet Zogu kish ardhur me vonesë! Pavarësisht kësaj, të dy ata qenë delegatë të zgjedhur në atë kuvend.

Mbërritja e delegatëve të Kosovës

Ismail Qemali ishte në zyrën e tij mesditën e datës 29 nëntor kur e njoftuan se delegatët e Kosovës po hynin në qytet. Ai doli bashkë më shumicën e atyre që u gjendën në shtëpinë e Xhemil Vlorës, siç dëshmon sërish Dhimitër Zografi:

 “Të nesërmen priteshin të vijnë gjeneral Isa Boletini, Riza be Jakova, Mehmet Pashë Kalkandeli dhe disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Megjithëqë atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kish dalë përpara me flamurin tonë në dorë. Kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritnë nga kuajtë dhe iu falë flamurit, duke u puthur me ngashërim të madh. Riza beu, një burr i madh, ballëmadh, symadh, habitej dhe të zinte frika kur rrëfente veprat e tyre. ishte i plagosur në këmbën e mëngjër, po s`donte të rrëfente se e kish për turp, dhe na thosh që i kish dalë një çiban. Isa be Boletini është më i gjatë se Riza beu, rrëfen që është njeri i sivilizatur, i ëmbël në fjalët dhe me energji të çuditshme. Ç`rrëfejnë këta për barbarizmin që bënë serbët mbi shqiptarët pleq, gra dhe fëmijë, është një tmerr i madh që se përshkruan dot as penda”.

Mbërritja e delegatëve të Kosovës e ndryshoi edhe më shumë atmosferën në qytet. Mbi 400 besnikët e Isa Boletinit u bënë forca e parë ushtarake, por edhe xhandarmëria e Qeverisë së re.

Turqia njeh autonominë, por nuk ka vlerë

Po më 29 nëntor mbasdite, Ismail Qemali u njoftua se Qeveria Perandorake në Stamboll njohu autonominë e Shqipërisë dhe urdhëroi ngritjen e flamurit Turk, përbri atij shqiptar në gjithë zonat ku banonin dhe luftonin shqiptarë në perëndim të Perandorisë. utonomia, siç dëshmon Eqrem Bej Vlora, ishte 34 vjet e vonuar. Ajo duhej të ishte shpallur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tani nuk vlente më. Njohës i vjetër i rregullave administrative, Ismail Qemali i zbatoi ato me përpikmëri. Më 1 dhjetor u zgjodh Pleqësia (Kuvendi) me në krye Imam Vehbi Dibrën dhe më 4 dhjetor kjo pleqësi votëbesoi qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse qeveria i kish nisur mbledhjet që në datën 30 nëntor, ajo vendosi që mbledhja e parë, të konsiderohej ajo e mbasdites së 28 nëntorit 1912, mbledhja që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Ndryshe nga sa pritej, qeveria nisi të marrë masa të ngutshme për të administruar territorin e vogël që kontrollohej prej saj. Ajo ngriti ushtrinë kombëtare, xhandarmërinë, policinë, nxorri gazetën “Përlindja e Shqipërisë” dhe filloi të urdhëronte përfaqësuesit në të gjithë vendin që të zbatonin rregullat e saj. Qeveria mori në dorëzim fondin e perandorisë Osmane, duke lënë ligjet e saj në fuqi për administrimin e vendit.

Gjendje e mjerueshme

Ismail Qemali e dinte se vendi ishte në gjendje të mjerueshme. Në një dokument atij i njoftohej se në vend kishte vetëm 200 km rrugë kryesisht për karvane, 34 njësi industriale, nga të cilat 18 mulli bloje. Shqipëria që administrohej prej qeverisë së tij nuk kish asnjë metër hekurudhë dhe asnjë port modern ku mund të ankorohej një avullore. Mbi të gjitha nuk kishte një monedhë kombëtare dhe deri në mes të viteve 20, edhe pasi Perandoria Osmane ishte shpërbërë, u punua me lira turke, me stërlina angleze dhe me monedha në njësi floriri. Por problemi i funksionimit të Qeverisë dhe selitë e saj mbeteshin problem. Eqrem bej Vlora, i zgjedhur nënkryetar i Senatit, që mbërriti ato ditë në qytet nga fronti i Himarës ku po luftohej me grekët, kujton:

Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, këtë unë s’e mora vesh kurrë…

Më pas, ai kujton takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë:

Oborri, sallat poshtë e lart, shkallët, ishin të mbushura plot nga njerëz që s’i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin lëviznin diku tjetër pa teklif… Në katin e sipërm ishte një sallon i madh, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj, njerëzit ngjesheshin e shtyheshin, për të dëgjuar se ç‘thuhej atje brenda. Hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa m’u dhimbs.

 

Kush ishte problemi më i madh i qeverisë së re

Problemi më i madh i qeverisë së re mbetej ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohja e shtetit të ri nga fuqitë e mëdha. Më 20 Dhjetor 1912, Eqrem Bej Vlora po rrinte buzë vatrës në shtëpinë e tij, ngjitur me atë ku flinte Ismail Qemal Beu kur dëgjoi befas disa krisma që erdhën duke u shtuar. Në pak kohë ato u bënë me qindra, siç dëshmon ai vetë në kujtimet e tij:

Qëllohej nga të gjitha dritaret, mijëra gjuhëza flakësh çanin terrin e thellë të natës mjegullore… Dërgova dikë të pyesë në shtëpinë e Xhemil Beut (Ku rrinte Ismail Qemali) po aty nuk dinin gjë. Dola më 20 trima të armatosur të shoh. Nëpër muret e shtëpive kërcisnin plumbat si bizelet në xham. Përpara zyrës së postë – telegrafës gjetëm një turmë prej qindra vetësh që shtinin si të tërbuar në ajër. Atje u zbulua edhe e fshehta. Nga Viena dhe Parisi kishin ardhur telegrame private që thoshin se konferenca e Ambasadorëve kish njohur në parim “Pavarësinë e Shqipërisë”!”

Qeveria e Lushnjës dhe personalitetet e tjera që nderon Kuvendi i Shqipërisë

 

1. Sulejman Delvina (1884-1932)

Ministër, Kryeministër. Kryeministër i qeverisë i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë në vitin 1933. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare.

 

Eshref FRASHËRI (1874-1938)

(Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1922-1923) – (Kryetar i Kuvendit Kushtetues, 1924) – (Kryetar i Senatit, 1924-1925) – Qe një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes zv.kryeministër dhe drejtor i përgjithshëm i Punëve Botore në qeverinë e dalë nga ky Kongres. Kish përfunduar studimet universitare në inxhinjeri. U zgjodh Kryetar i Parlamentit Shqiptar që doli nga zgjedhjet e para parlamentare të prillit të vitit 1921. Më 1925 u zgjodh senator dhe në shtator të atij viti u caktua kryetar i Senatit. Deputet i parlamentit shqiptar në shumë legjislatura.

 

Mehmet Konica (1878-1948)

Ministër. Diplomat kariere dhe veprimtar politik. Anëtar i delegacionit të Qeverisë së Vlorës dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Në qeverinë e dalë nga kongresi i Durrësit u emërua ministër i Punëve të Jashtme, detyrë të cilën e mbajti edhe në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Në vitet ’20-‘24 shërbeu si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Në periudhën 1925-1939 ka shërbyer si këshilltar politik pranë kryetarit të shtetit shqiptar.

 

Mbreti Zog i Parë, 1895-1961, Ahmet Zogu

Ministër, Kryeministër, President, Mbret i Shqiptarëve. Krejt i ri, pas Shpalljes së Pavarësisë u angazhua në lëvizjen kombëtare e politike të vendit. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes, u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Caktoi Tiranën Kryeqytet. Vendosi bazat e shtetit të ri shqiptar. Në 7 prill të vitit 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria së bashku me familje. Jetoi si emigrant në disa vende, në Turqi, Angli, Egjipt dhe përfundimisht në Francë.

 

Ndoc Çoba (1870-1945)

Deputet, Ministër. Ishte delegat i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës dhe në qeverinë e dalë nga ky kongres ju caktua detyra e ministrit të Financave. Gjatë periudhës 1921-1936, kreu detyra të ndryshme shtetërore, ndërsa në vitin 1937-1939 qe kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Nuk u pajtua me pushtimin fashist të Shqipërisë. Drejtues i Mbledhjes së Konferencës së Pezës me qëllimin e bashkimit të të gjitha forcave antifashiste. U zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇl. Pas çlirimit të vendit arrestohet nga komunistët dhe vdes në hetuesi nga torturat.

 

Hoxhë Kadri Prishtina, 1878-1925

Deputet, nënkryetar i Këshillit Kombëtar, Ministër. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare jurist. Themelues dhe kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 1918. Një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Në vitin 1921 ishte deputet dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar. Në Kongresin e Lushnjës (27 -31 janar 1920), ku iu vunë themelet e Shqipërisë, Ministër i Drejtësisë u zgjodh Hoxha Kadri Prishtina. Vdiq në moshën 47 vjeçare.

 

Ali Riza Kolonja (1880-1930)

Ushtarak, politikan, Ministër. Ushtarak i lartë, politikan, diplomat. Ishte një ndër gjeneralët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që u themelua nga qeveria e Vlorës. Ministër i Luftës në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Ali Riza Kolonja, ishte përfaqësues i palës shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve të Shqipërisë (1921-1925). Ai ka luajtur një rol të veçantë për organizimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.

 

Sotir Peci (1873-1932)

Ministër, anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Rilindas i shquar. Figurë e madhe i arsimit shqiptar. Shtypi fjalorin shqip të Kostandin Kristoforidhit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) dhe drejtoi Mësonjëtoren shqipe të Korçës. Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe në qeverinë e formuar prej tij u emërua Ministër i Arsimit. Anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar.

 

Bajram Curri (1862-1925)

Heroi i Popullit, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare dhe një nga drejtuesit politik e ushtarak të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të vendit. Organizator i Lidhjes Shqiptare të Pejës. Zgjidhet anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918). Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh senator i Këshillit Kombëtar dhe u caktua ministër pa Portofol në qeverinë e dalë prej saj. Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë e Hasan Prishtinës (1921). Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe vazhdoi qëndresën kundër regjimit të Zogut derisa u rrethua dhe u vra në një shpellë të Dragobisë

 

Spiro Jorgo Koleka (1880-1940)

Deputet, Ministër. Veprimtar politik. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh senator i Këshillit Kombëtar dhe për një kohë të shkurtër ka qenë nënkryetar i tij. Ka qenë ministër pa Portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës si edhe deputet në Parlament (1921-1923), Ministër i Punëve Botore në disa qeveri në vitet në vijim. 

 

Hysen Vrioni

Politikan, diplomat dhe ministër në disa kabinete qeveritare. Delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjes, zgjidhet senator dhe emërohet ministër pa Portofol në qeverinë e dalë prej saj. Disa herë ministër i Drejtësisë dhe i Punëve të Jashtme në kabinetet qeveritare në vitet 1921-1931. Deputet i prefekturës së Beratit në vitet 1921, 1925 dhe 1932-1939.

 

Hasan Prishtina ( 1873-1933)

Arkitekt i Pavarësisë së Shqipërisë. Ideolog, vizionar, udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Tre herë deputet në Parlamentin Osman, ku luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare etj. Hasan Prishtina u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vlorës dhe kryeministër në qeverinë e vitin 1921. Ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes dhe deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar në vitin 1921. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare. Hasan Prishtina ndër udhëheqësit kryesorë të Komitetit”Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitet 1922-1923 shfaqet si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, duke marrë pjesë në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit (1924). Vdiq gjatë një atentati të organizuar kundra tij në Selanik (1933). Gjithë pasurinë e tij e dha për çështjen kombëtare shqiptare.

 

Isa Boletini ( 1864-1916)

Luftëtar dhe udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar. Hero i Popullit. Luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga përkrahësit e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë. Udhëheqës dhe organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1909-1912. Në ditët e shpalljes së pavarësisë, ai u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës, kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë?.

 

Naim Frashëri

“O malet e Shqipërisë dhe ju o lisa të gjatë….” Kush nga ne nuk i ka në mendje këto vargje të poetit tonë më të madh të Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, mendimtar iluminist dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës së Rilindjes Kombëtare. Morri pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe me penën dhe vargjet e tij iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe, të letërsisë kombëtare si dhe ngritjes së shkollave shqipe. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore, Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

 

Sami Frashëri (1850-1904)

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Dijetar, shkrimtar dhe publicist. Ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes. Në Stamboll, zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit me Shkronja Shqip, u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” u bë manifesti politik dhe ideologjik i Rilindjes, ku u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të arsimit, të kulturës e të shkencës. Ai shkroi edhe mjaft vepra të tjera, artikuj, libra shkolle për gjuhën shqipe, fjalorë etj…

 

Abdyl Frasheri (1839-1892)

Udhëheqës kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atdhetar demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare. Heroi Popullit. Ministër i Jashtëm i qeverisë së Përkohshme Shqiptare e formuar në Prizren. Abdyl Frashëri ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman. Ai u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, dhe ishte një nga hartuesit e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare. Abdyl Frashëri nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm.

 

Mehdi Frashëri (1874-1963)

Deputet, Ministër, Kryeministër. Veprimtar politik, publicist dhe përkthyes. Delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ministër në shumë kabinete qeveritare duke filluar nga viti 1919. Deputet i parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923 dhe kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936. Një nga ideatorët e themelimit të Bankës Shqiptare dhe të reformës Agrare në Shqipëri. Dënoi pushtimin fashist. Në përfundim të luftës largohet nga Shqipëria.

 

Dedë Gjo Luli ( 1840-1915)

Dedë Gjo’ Luli duket se kishte lind me pushkë. Prijës dhe luftëtar i Lëvizjes Kombëtare, për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Hero i Popullit. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës. Aftësitë e tij organizatore u shfaqën gjatë Kryengritjes kundërosmane në vitin 1911. Në bashkëpunim me qarqet patriotike, ai parashtroi në Memorandumin e Greçës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, megjithëse në moshë të thyer, iu desh të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Vritet në shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbë.

 

Imzot Luigj Bumçi, 1872-1944

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë: Klerik i lartë, veprimtar politik, diplomat. Mik dhe bashkëpunëtor i vjetër i Luigj Gurakuqit. U aktivizua në ngjarjet politike të vendit në prag të pavarësisë. Në vitin 1911 mori pjesë në bisedimet e kryengritësve shqiptarë të mbi Shkodrës me autoritetet osmane. Në dhjetor 1918 u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme që doli nga Kongresi i Durrësit si dhe kryetar i delegacionit të kësaj qeverie në Konferencën e Paqes në Paris. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar në Këshillin e Lartë.

 

Elez Isuf Ndreu (1861-1924)

 Elez Isuf Ndreu ka lindu ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Bir i Isuf Ndreut, nga një familje që do bëhej simbol i Dibrës. Strateg dhe udhëheqës popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare. Në krye të forcave atdhetare dibrane u ndesh me pushtuesit serbë. Tre herë forcat serbe ja dogjën kullat e familjes Ndreu. Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe udhëhoqi kryengritjen e armatosur në krahinën e Dibrës. Në janar të vitit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoron Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhrit të Franc Jozefit (dekoratë lufte). Ka marrë pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe vdiq në betejën e zhvilluar në Peshkopi kundër forcave të Ahmet Zogut.