Rainer M. RILKE: Arti s’ka bërë tjetër veçse ka treguar rrëmujën, ku gjendemi më së shumti

Rainer M. RILKE

Arti s’ka bërë tjetër veçse ka treguar rrëmujën, ku gjendemi më së shumti. Ai na ka frikësuar, në vend të na qetësonte e urtësonte. Ai ka dëshmuar se secili prej nesh gjendet në një ishull; vetëm se ishujt nuk janë aq larg, sa të mbetemi të vetmuar e të patrazuar. Secili mund ta ngacmojë tjetrin ose ta trembë, ose ta gjëmojë me patërshanë – vetëm ndihmë nuk jep askush.

I. Siç dhe e sheh, në fillim jemi ne. Si para gjithçkaje. Me një mijë e një ëndrra pas vetes dhe pa veprime.

II. Nuk arrij të mendoj dije më të shelbuar, sesa këtë të vetme: që gjithkush duhet të bëhet nistar. Dikush që shkruan fjalën e parë mbas një vijë-pauze shekullore.

III. Një gjë më bie në sy gjatë këtij vrojtimi: ne ende i vizatojmë njerëzit me aureola, njësoj si primitivët. Ata qëndrojnë para diçkaje të papërcaktuar. Herë para të artës, herë para ngjyrës gri. Herë në dritë dhe shpesh me një errësirë të mistershme nga prapa.

IV. Kjo kuptohet. Për t’i njohur njerëzit, duhet t’i vëmë veçan. Por mbas një përvoje të gjatë, do të ishte më mirë që vrojtimet e veçanta të vendosen në një lidhje midis tyre dhe të gjitha gjestet e tyre të shoqërohen me një shikim të pjekur.

V. Krahaso një herë një pikturë me aureolë nga të Trecento-s me një nga kompozimet e mëvonshme të mjeshtrave të hershëm italianë, ku figurat vendosen në një Santa Conversacione para një natyre ndriçuese, në ajrin e rrallë të krahinës së Umbrias. Aureola izolon çdo gjë tjetër, natyra vezullon prapa tyre si një shpirt i përbashkët, prej së cilës ato marrin buzëqeshjen dhe dashurinë.

VI. Mendo pak për vetë jetën. Kujtohu që ka shumë gjeste të gufuara dhe fjalë pabesueshmërisht të mëdha. Nëse ato do të ishin vetëm për një çast po aq të qeta dhe të pasura, sa edhe shenjtorët e bukur të Marko Basaitit, atëherë ti duhet të gjesh edhe natyrën, e cila hapet pas tyre dhe që e kanë të përbashkët.

VII. Por ka edhe çaste, kur një njeri shfaqet para teje i qetë dhe i qartë, falë madhështisë së tij. Këto janë festa të rralla, që ti s’i harron asnjëherë. Që nga ky çast, ti e adhuron këtë njeri. Domethënë, përpiqesh të vizatosh me duart e tua të brishta konturet e personalitetit të tij, ashtu siç e ke njohur në atë çast.

VIII. Të njëjtën gjë bën edhe arti. Ai është dashuria më e gjerë dhe e thjeshtë. Ai është dashuria e perëndisë. Ai nuk duhet të mbetet tek individi, që është thjesht porta e jetës. Ai duhet ta përshkojë atë, siç përshkon një pyll. Arti nuk duhet të lodhet. Për t’u vetëmbushur, ai duhet të veprojë atje, ku të gjithë – janë një. Nëse ai gostit këtë një, atëherë shpërndahet një pasuri e pafund te të gjithë.

IX. Se sa larg është ai nga kjo, mund të shihet në skenë, ku ai thotë ose do të thotë se si e sodit jetën, jo individin në qetësinë e tij reale, por lëvizjen dhe qarkullimin e shumë njerëzve. Kjo na bën të kuptojmë që ai i vendos njerëzit thjesht pranë e pranë, siç ndodhte edhe në epokën e Trecento-s, duke ua lënë atyre në dorë si të miqësohen me njëri-tjetrin, përtej ngjyrës gri apo të artë të sfondit.

X. Dhe prandaj ndodh kështu. Njerëzit përpiqen me fjalë e gjeste të arrijnë njëri-tjetrin. Ata pothuaj ndrydhin krahët, ngaqë gjestet janë shumë të shkurtra. Ata bëjnë stërmundime pa fund për t’i hedhur rrokje njëri-tjetrit, e janë pa të keq edhe lojtarë të këqinj, që nuk mund të kapin gjë.

Dhe, kështu, koha shkon me përkulje e kërkime – njësoj si në jetë.

XI. Dhe arti s’ka bërë tjetër veçse ka treguar rrëmujën, ku gjendemi më së shumti. Ai na ka frikësuar, në vend të na qetësonte dhe urtësonte. Ai ka dëshmuar se secili prej nesh gjendet në një ishull; vetëm se ishujt nuk janë aq larg, sa të mbetemi të vetmuar e të patrazuar.

Secili mund ta ngacmojë tjetrin ose ta trembë, ose ta gjëmojë me patërshanë – vetëm ndihmë nuk jep askush.

XII. Nga njëri ishull në tjetrin ka vetëm një mundësi: kërcime të rrezikshme, ku nuk rrezikohen vetëm këmbët. Një ecejake hopthesh të përjetshme krijohet me rastësira e hare, sepse ndodh që dy syresh i ndërsehen njëri-tjetrit në të njëjtën kohë, kështu që takohen në ajër dhe në këtë këmbim sfilitës janë po aq larg njëri nga tjetri, sa edhe më parë.

XIII. Kjo nuk është e habitshme, sepse fakturat për te njëri-tjetri, mbi të cilat kalojmë të bukur e festivë, nuk janë në ne, por prapa nesh, njësoj si te natyra e Fra Bartholomeo-s ose ajo e Leonardo-s. E megjithatë, ndodh që jeta kristalizohet në personalitet. Nga maja në majë filli përshkon lugina të gjera.

XIV. Në qoftë se dy a tre njerëz piqen së bashku, kjo nuk do të thotë se janë miq. Ata janë si kukulla, shtizat e të cilave ndodhen në duar të ndryshme.Vetëm kur të gjitha ato i drejton një dorë, atëherë lind e përbashkëta mes tyre, e cila i detyron të përkulen ose të godasin. Edhe fuqitë e njeriut janë aty ku përfundojnë shtizat, në dorën që mban e zotëron.

XV. Vetëm në orën e përbashkët, në stuhinë e përbashkët, në odën ku takohen ata gjejnë njëri-tjetrin. Vetëm kur të hapet një sfond prapa tyre, ata fillojnë të ndërliken me njëri-tjetrin. Ata duhet të kenë mundësi të mbështeten te një vendlindje.

Ata, si të thuash, duhet t’i tregojnë njëri-tjetrit kartat e identitetit, të cilat i mbajnë me vete dhe që kanë kuptimin dhe vulën e të njëjtit princ.

XVI. Qoftë kënga e një drite ose zëri i stuhisë, qoftë frymëmarrja e mbrëmjes ose gulçimi i detit që të rrethon – gjithmonë rri zgjuar prapa teje një melodi e shtrirë, e thurur nga mijëra zëra, tek e cila gjen vend ndonjëherë solo-ja jote.

Për të ditur se kur duhet të biesh në sy, kjo është e fshehta e vetmisë sate, sikundër është edhe arti i lëvizjes së vërtetë. Për hir të melodisë së përbashkët, çliroje veten nga fjalët e larta.

XVII. Nëse shenjtorët e Marko Basaitit do të kishin për t’i besuar diçka njëri-tjetrit veç pranisë së tyre të salvuar, nuk do të zgjasnin aty përpara, në pikturën ku prehen, ato duart e tyre të buta e të brishta.

Ata do të tërhiqeshin prapa, do të bëheshin të vegjël e do të shkonin për te njëri-tjetri mbi urëzat e tokës gumëzhitëse.

XVIII. Po kështu jemi edhe ne, që ndodhemi përpara. Përmallime të bekuara. Ato përmbushen diku në sfondet vezulluese. Atje ka lëvizje e vullnet. Atje ndodhin historitë, tituj të errët të të cilëve jemi ne. Atje janë mohimi dhe ndarja, ngushëllimi dhe pikëllimi ynë.

Atje jemi ne, ndërkohë që shkojmë e vijmë në ballinë.

XIX. Pa kujto njëherë njerëzit që gjete bashkë, ndërkohë që kishin mbi një orë që ishin takuar. Për shembull, të afërmit që gjenden në dhomën e vdekjes së njeriut të dashur. Njëri jeton në një kujtim e tjetri në një tjetër. Fjalët vërtiten andej-këndej, pa ditur gjë se për çfarë po flitet. Duart e tyre humbasin në hutimin e parë – derisa dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe.

Ata ulen, vërejnë sytë e heshtin. Kokat u qesin tym. Dhe janë më pranë njëri-tjetrit se kurrë.

XX. Përndryshe, në qoftë se njerëzit nuk i vë në heshtje një dhimbje e thellë, njëri dëgjon pak e tjetri më shumë nga melodia e furishme e gjërave në sfond. Disa pothuaj nuk e dëgjojnë fare. Ata janë si pemët, të cilat kanë humbur rrënjët dhe mendojnë se furia e degëve është fuqia e jeta e tyre. Shumë të tjerë nuk kanë kohë për ta dëgjuar. Ata nuk durojnë dot asnjë orë të vetme të këqyrin veten. Këta janë komb-humbës të mjerë, që kanë humbur kuptimin e të qenit.

Ata godasin në tastet e ditëve dhe luajnë gjithmonë të njëjtin ton të humbur e mononton.

Nga: Rainer M. RILKE

Përktheu: Florenc QOSJA

Advertisements

Arti i mirëmbajtjes se piedestaleve

Ardian Vehbiu

Ardian Vehbiu

Shqiptarët – si shoqëri dhe si shtet – u treguan të paaftë për të ndëshkuar, qoftë edhe simbolikisht, krimet e panumërta të kryera nga download (3)regjimi totalitar kundër qytetarëve të vet: vrasjet pa gjyq, dënimet e rënda për motive politike, torturat në hetuesi, konfiskimet e pasurisë, internimet, ndëshkimet e familjarëve të viktimave, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, përndjekjet e njerëzve në bazë të biografisë.

Kësisoj, ne nuk u ndamë dot me të kaluarën, as gjetëm dot paqe.

Edhe pse qëndrimi qytetar ndaj regjimit të djeshëm ka munguar në masë sa të madhe aq edhe zhgënjyese, interesi i publikut për protagonistët e viteve totalitare mbetet artificialisht i lartë – po të gjykosh nga materialet e shumta që gjen në mediat për atë periudhë. Megjithatë, këto materiale, siç kemi pasur rast ta themi shumë herë, nuk sjellin ndonjë reflektim të ri për atë periudhë, por, ose janë ripërtypje pozicionimesh politike të vjetruara, ose synojnë ta risjellin të shkuarën, të përzgjedhur e të filtruar, për t’ia kundërvënë së sotmes. Në përgjithësi, materialet arkivore, intervistat dhe rrëfimet për bëmat e udhëheqjes komuniste në vitet 1944-1990 i përmbushin të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si një formë e pornografisë dokumentare. Kështu, meqë fjalimet e plenumeve të KQ dhe diskutimet në Byronë Politike tashmë janë shteruar si burime, gazetat u janë vërsulur dosjeve të gjyqeve kundër “grupeve armiqësore” në vitet 1970-1980, duke botuar -pa kurrfarë aparati kritik- deponimet e nënshkruara prej të pandehurve,  dëshmitë (e inskenuara) dhe deklaratat e pranimit të fajit, të cilat qartazi duket se janë përpiluar nga hetuesit vetë, kanë dalë nga laboratorët e policisë sekrete ose nga stilografi i vetë Enver Hoxhës. Efekti i materialeve të tipit “si deshëm ta vrisnim Enver Hoxhën me bastun” është toksik, qoftë për brezat e rinj, që nuk e kanë idenë se ç’ndodhte në atë kohë; qoftë për të gënjyerit e viteve 1970-1980, të cilët vdesin që të gënjehen nga pak edhe sot. Paralelisht me këtë pornografi dokumentare, e cila mbështet shpifjen, intrigën në oborrin e Hoxhës dhe poshtërimin e viktimave të dhunës totalitare, po shtjellohet edhe rehabilitimi, me mënyra djallëzore, i përgjegjësve kryesorë për krimet e pashembullta dhe të dokumentuara të periudhës komuniste, si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Nëse njëfarë nostalgjie e turmës për udhëheqës karizmatikë dhe të kërbaçit mund edhe të kuptohet, sa kohë që shoqëria civile i ka qëndruar larg, ndoshta qëllimisht larg, ndarjes së qytetëruar me krimin totalitar, përkundrazi, është vështirë të kuptohet, dhe aq më pak të përligjet, qëndrimi i sotëm i disave, përfshi këtu edhe opinion leaders dhe historianë, të cilët haptazi po lëvdojnë cilësitë e udhëheqësve totalitarë, duke i prezantuar dhe rehabilituar këta si “burra shteti,” dhe duke anashkaluar, qëllimisht, krimet e tyre të rënda, që krime ishin madje edhe brenda kuadrit ligjor të kohës.

Në vetvete, figura historike si Hoxha dhe Shehu e kanë luajtur rolin e tyre në histori dhe tashmë nuk kanë ç’të bëjnë më, përveçse të vihen në dispozicion të atyre që duan t’i përdorin. Nëse rehabilitimi folklorik i udhëheqësve të shtetit totalitar mund të interpretohet si simptomë e zhgënjimit total, të miletit, me klasën e tanishme në pushtet dhe profilin etik të pushtetarëve sot, atëherë analistët dhe historianët që i hipin këtij kali të zgjebosur veç po duan ta shfrytëzojnë zhgënjimin e turmës, për qëllime të mbrapshta politike.

Turma i kujton me mall Hoxhën dhe Shehun, mes të tjerash, edhe si interpretë protagonistë të dhunës arbitrare dhe të kërcënimit politik masiv; sepse turma, që të riprodhohet në cilësinë e saj thelbësore si kope bagëtish, ka nevojë të mbajë në këmbë figurën e bariut, madje qoftë edhe kur ky bari tashmë s’mund të jetë veçse dordolec.

Intelektualët, përkundrazi, u heqin qimet nga xhaketat këtyre dordolecëve jo sepse i ka marrë malli për t’u ndier të kërcënuar prej tyre, por sepse e shohin këtë si një okazion të vyer, për të marrë drejtimin e kopesë; çka edhe mund ta arrijnë, po të kemi parasysh se diskursin kritik ndaj totalitarizmit, të paktën sa u takon aspekteve thjesht kriminale të atij regjimi, e ka monopolizuar një klikë e vogël dhe vetëshërbyese e së djathtës, të cilën e motivon më shumë dëshira për të larë hesapet, sesa bindja që, pa u ndarë me të shkuarën komuniste, shoqëria shqiptare nuk i bën dot të vetat ato parime politike që formalisht tashmë i ka përqafuar. Përkundrazi, e majta vazhdon t’i ruhet kësaj teme me mendjeshkurtësi karakteristike, meqë ende dëshiron votat e nostalgjikëve; dhe nuk ka as energji, as kapacitet që ta ripërkufizojë veten si alternativë ndaj pseudo-majtizmit politik të djeshëm.

Hoxha dhe Shehu kanë vdekur dhe u janë tretur kockat; sistemi totalitar në Shqipëri nuk ka asnjë shans që të kthehet; prandaj rehabilitimi i udhëheqjes totalitare duhet parë i tëri në kontekstin e sotëm politik, të zhgënjimit me retorikën integriste, pluralizmin, Europën, tregun e lirë; por edhe të ndezjes së retorikës kombëtariste, të ksenofobisë dhe të etjes për t’iu qasur dilemave dhe sfidave të shumta politike siç iu qas Aleksandëri i Madh nyjës gordiane: me shpatë.

Në thelb, rrëmbushja e kalkuluar për Hoxhën, Shehun dhe lakejtë e tyre nuk shqetëson pse është shprehje e nostalgjisë për të djeshmen; por sepse përfaqëson një vullnet politik të sotëm i cili nuk e pranon dot pluralizmin, dialogun, negocimin, kompromisin dhe të tjera karakteristika themelore të aksionit politik në një shtet modern dhe demokratik, si ai që parashkruan Kushtetuta; meqë pluralizmin, dialogun, negocimin dhe kompromisin i konsiderojnë si të fëlliqura tashmë përfundimisht, nga abuzimi i paskrupullt që ka bërë me to klasa e sotme politike, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet.

Kjo do të thotë edhe se Hoxha dhe Shehu, të rehabilituar si “burra shteti”, nuk po u shërbejnë aq komunistëve të vjetër e të rinj, që ende qarkullojnë në kulisat e politikës në Tiranë; por pikërisht fashistëve të vetvetishëm në mes tonë, ose të gjithë atyre që shpresën për shërim e shohin te higjiena e arbitraritetit në emër të “rregullit”, e ushtrimit të forcës dhe e dhunës së kulluar. A nuk ta thonë vallë, në Itali sot e kësaj dite, që Mussolini të paktën i detyronte trenat të vinin në orar?

*Nga blogu Peizazhe të Fjalës i autorit

Shëndeti i Drita Pelinkut lë jashtë sezonit artistik të Teatrit Kombëtar dramën e Mihal Luarasit, “Përjetësisht dashuria”

Drita Pelinku

Drama “Përjetësisht dashuria” e Mihal Luarasit, nuk do të jetë më pjesë e kalendarit të këtij sezoni artistik në Teatrin Kombëtar, për shkak të gjendjes shëndetësore të protagonistes Drita Pelinku. Teatri Kombëtar e filloi këtë sezon artistik me premierat e vitit që shkoi, një prej të cilave është edhe drama me autor dhe regjisor Mihal Luarasin, por pas aksidentit që Drita Pelinku pësoi në shtëpinë e saj, shfaqja nuk u ringjit në skenën e TK-së. Me gjithë optimizmin dhe dëshirën e aktores Pelinku, e cila deklaroi se do të ringjitej në skenë për të sjellë para publikut shfaqjen, kjo nuk është e mundur dhe “Përjetësisht dashuria”, nuk do të jenë në repertorin e TK-së. Vepra me protagoniste Drita Pelinkun dhe Vangjel Toçen është një refleksion realist i jetës. Një vepër me një temë aktuale, ngjarjet e së cilës zhvillohen brenda 24 orëve dhe që forcojnë idenë e vetmisë së brezit të tretë. Zarina është një grua besimtare dhe si e tillë nuk beson se Zoti i ka ruajtur një vend në parajsë të shoqit që ka qenë ateist dhe mëkatar. Por dashuria e saj për Dionin është më e madhe se gjithçka tjetër. Kështu ajo i lutet Zotit që të mos e ndajë nga Dioni në botën tjetër. Le të shkojë edhe ajo në ferr nëse Dioni do të shkojë aty, mjafton të jenë bashkë.

Shuhet Skënder Hasko, “Një gjeneral kapet rob” mbetet jetim

skender_hasko02

“Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”, këto janë vargjet, që Skënder Hasko ka mbyll librin e tij me kujtime. Pas një lëngimi të gjatë, shkrimtari i mirënjohur sidomos në botën e fëmijëve, Skënder Hasko, është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare. Njëzet vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, “Një gjeneral kapet rob”, i cili, në konkursin kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë . Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin për fëmijë, “Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”. Me krijimtarinë e tij të pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet magjisë së fjalës ka “shpuar” tejpërtej edhe malet, edhe detet, për të depërtuar në thellësitë e shpirtit e të mendjes së njerëzve.

Jeta dhe vepra

Skënder Hasko u lind në 2 mars 1936 në Dukat të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në vendlindje, kreu një kurs për mësues të ciklit të ulët dhe punoi mësues në Dukat nga viti 1953 deri më 1955, kur u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Flotën Luftarake Detare. Në fund të vitit 1958 u lirua dhe kreu një kurs për mekanik në Kuçovë dhe punoi në Uzinën Mekanike të Naftës të atij qyteti, deri sa u mor si aktor profesionist në Estradën Profesioniste të Beratit dhe, në të njëjtën kohë, vazhdoi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, për aktor. Në vitet 1970-1974 vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranë, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, degën e gazetarisë dhe u diplomua gazetar. Pas mbarimit të studimeve punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, shef i botimeve Teatër-Estradë në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Ndërkohë, mbaroi kursin e lartë për Ekonomi Politike. Në vitin 1976 u emërua Kryeredaktor i revistës për fëmijë “Pionieri”, ku qëndroi deri në vitin 1990, vit në të cilin e emërua Drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, ku doli edhe në pension.

Krijimtaria

Ka dhënë kontribut në prozë, poezi, dramaturgji dhe kinematografi, që e bënë të përjetshëm dhe të papërsëritshëm Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përçon mesazhe të fuqishme e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë është “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971. “Qysh atëherë ,–shkruan Skënderi në kujtimet e tij,-më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari, natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiodrama, si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa herë, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre, janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: “La Fonteni”, “Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”, “Tasim Gjokutaj”, etj. Varrimi kryhet sot, e mërkurë, 6 shkurt, në orën 12.30 në Dukat.

Roberto Bolano, romani i tij “2666” shkaktoi një ekstazë mes kritikëve letrarë

Roberto Bolano

Shkrimtari i ndjerë kilian, Roberto Bolano, që njihet me veprën e tij mjeshtërore “2666”, pas vetes la lënë edhe disa dorëshkrime të përfunduara dhe të papërfunduara, të cilat kanë filluar të botohen ngadalë. A do të bëhet Roberto Bolano një Tupac Shakur i letërsisë moderne? Ndoshta, sepse, edhe pse shkrimtari kilian vdiq në vitin 2003, veprat e reja të tij vazhdojnë të botohen edhe sot e kësaj dite. Romani i tij më i njohur “2666” është botuar pas vdekjes së Bolano, meqenëse autori atë e shkroi me përkushtim, jo vetëm për shkak se e dinte që po i afrohej vdekja, por edhe për arsye se i duhej t’ia siguronte familjes ardhmërinë financiare. Jo vetëm që ia doli, por edhe e çimentoi reputacionin e një gjeniu letrar, sepse romani “2666” shkaktoi një ekstazë mes kritikëve letrarë, dhe u përkthye në shumë gjuhë botërore. “2666” vazhdon të shitet shkëlqyeshëm, përderisa në vitin 2008 përkthimit të tij në SHBA iu nda çmimi prestigjioz National Book Award. Megjithatë, ky orman nuk është e vetmja vepër e Robert Bolano’s që u botua pas vdekjes së tij, meqë në vitin 2009 janë gjetur edhe disa romane e tregime të përfunduara dhe të papërfunduara, të cilat po botohen gradualisht. Në SHBA kohë më parë është botuar romani i Bolano’s “Woes of the True Policeman” (Telashet e një Polici të Njëmendët), për të cilin paraprakisht flitej se do të mund të ishte pjesa e gjashtë, e pabotuar, e romanit “2666”. Por, fjala është për një vepër të pavarur letrare, edhe pse ajo disi ndërlidhet me magnum-opusin e autorit kilian, pjesë e përbashkët e të cilit janë disa personazhe të tij.

Gjenden pas 500 vjetësh eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking

Mbreti anglez Rikardi III gjate betejes ku dhe humbi jeten

Analiza e ADN vërtetoi se skeleti me shpinë të harkuar i përket mbretit anglez që u vra 500 vjet më parë. Eshtrat e zbuluara nga një ekip kërkuesish britanikë gjatë muajit shtator në një parking në Leicester, Britaninë e Madhe i përkasin mbretit anglez, Rikardi III i cili u vra gjatë një beteje rreth 500 vjet më parë dhe ishte i fundit mbret britanik që dilte vetë në fushën e betejës. Skeleti i ruajtur në gjendje të mirë kishte shumë karakteristika të ngjashme me mbretin që drejtoi Britaninë në vitet 1483-1485, Rikardi III dhe që përshkruhet nga historia si gjakatar, pasi mendohet se ka vrarë dy nipat e tij të mitur për t’u marrë pushtetin. Shkencëtarët që konfirmuan lajmin e këtij zbulimi të rëndësishëm arritën në këtë përfundim pas analizave të ADN tek pasardhësit e Rikardit, të cilat provuar se ato përputhen plotësisht. Sipas të dhënave, skeleti ka shenja të goditjeve me heshtë, të ngjashme me ato që raportohen nga beteja ku mendohet se ai ka mbetur i vrarë në vitin 1485, në betejën e Bosworth. Në veprën e Shekspirit me të njëjtin emër, mbreti përshkruhet si i pamëshirshëm, gjakatar, me njërën dorë të paralizuar që nga lindja dhe gungaç, të dhëna që në fakt mund të jenë edhe pjesë e trillit letrar të krijuar nga gjeniu i letrave. Eshtrat u zbuluan në një zonë ku dikur shtrihej një shpellë, në të cilën zakonisht pushonte mbreti, e zbuluar nga arkeologët poshtë një parkingu. Historianët mendonin se eshtrat e Mbretit Rikard III u varrosën në manastirin françeskan të Grey Friars në Leicester, por kisha u shkatërrua në vitin 1530 duke humbur pozicionin e saktë.

slide_278603_2059569_free Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (1) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (2) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (3) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (4) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (5) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (6) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (7) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (8) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (9) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (10) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (11) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (12) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (13) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (14) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (15) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (16) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (17) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking (18) Gjenden pas 500 vjetës eshtrat e mbretit anglez, Rikardi III në një parking Mbreti anglez Rikardi III Mbreti anglez Rikardi III gjate betejes ku dhe humbi jeten Sendet e gjetura ne varrin e mbretit anglez, Rikardi III (1) Sendet e gjetura ne varrin e mbretit anglez, Rikardi III (2) Sendet e gjetura ne varrin e mbretit anglez, Rikardi III

Beatrix Ramosaj: Surpriza e radhës, një bashkëpunim me vëllain tim

 Beatrix Ramosaj  (3)

Edhe pse me pak vite karrierë, pasi është ende shumë ere, emri i saj nuk është i panjohur nga publiku shqiptarë, kjo është Beatrix Ramosaj. Ka tërhequr vëmendjen e publikut jo vetëm për zërin e saj por edhe për pamjen e cila duket se është një trashëgimi në familjen e saj, pasi kujtojmë këtu se është kushërira e Argjentina Ramosaj dhe mbesa e Albërie Hadërgjonaj, një këngëtare me shumë potence në muzikën e lehtë shqiptare. Beatrixi, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, tregon projekte e saj më të fundit ku si më të rëndësishëm nënvizon bashkëpunimin me vëllain e saj. Duke qenë maturante një pjesë të mirë të kohës, këtë vit do ia kushtojë studimeve, pa lënë anash sigurisht edhe pasionin e saj, muzikën.

Viti që sapo lamë pas ishte një vit i mbushur me angazhime të shumta. A u përmbushën pritshmërit tuaja artistike në këtë drejtim?

Sigurisht që po, por unë nuk kënaqem asnjëherë me atë çfarë bëj të jem e sinqertë, presë shumë më shumë nga vetja. Unë hyjë tek ata njerëz që punojnë shumë dhe që dëshirojnë të sjellin gjithmonë diçka të re për publikun.

Planet e tua më të afërta në muzikë cilat janë?

Momentalisht nuk kam ndonjë planë të afërm, sepse sivjet jam maturante dhe po i përkushtohem më shumë shkollës, pastaj kur të mbaroj provimet, ndoshta në verë, do të realizojë një këngë me vëllain Albanin, i cili është gjithashtu shumë i talentuar dhe jam e sigurt që do të ketë sukses të madh në karrierën e tij muzikore. Do të ishte një ëndërr realizimi i në bashkëpunimi të tillë.

Prej pak kohësh jeni bërë pjesë showbiz-it shqiptar, si një ndër këngëtaret më tërheqëse të skenës. Keni ndjerë xhelozi mes kolegesh?

Nuk i shoh njerëzit me atë sy dhe nuk di të jem e vetë e tillë. Njeriu duhet të ketë sfidë me vetveten dhe jo me të tjerët, publiku është ai që duhet të na gjykojë. Në skenë jemi “nudo” pra shihemi nga të gjithë dhe përse duhet të kemi xhelozira, por si në çdo fushë tjetër të artit, sigurisht që xhelozia është në doza shumë të larta.

Tashmë pas suksesit të viteve të fundit keni nisur të jeni pjesë e clubeve ku këndohet live nëpër Tiranë. Sa e rëndësishme është për ju kjo pjesë?

Normalisht që ka rëndësi të madhe, çdo fundjavë unë jam afër me publikun, më ndihmon me emocionet, dhe pjesa më e rëndësishme është që të kënduarit live më bënë shumë mirë për vokalin. Më jep shumë kënaqësi të qenit pranë fansave dhe artdashësve të muzikës sime.

Ju studioni për kanto, në liceun artistik. Si është marrëdhënia juaj mes muzikës së lehtë dhe asaj klasike?

Po është e vërtet. Unë jam në vitin e fundit në liceun artistik “Jordan Misja” dhe studioj për kanto, nisur nga ky fakt, mund të them se është e njëjta gjë. E dashurojë muzikën klasike ashtu si edhe muzikën e lehtë, nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra.

Edhe kushërirat tuaja janë këngëtare, si i keni marrëdhëniet me to dhe këngëtaret e tjera të skenës shqiptare?

Kushërirat i kam si motra dhe shkojë shumë mirë me to, pastaj me këngëtaret e skenës shqiptare gjithashtu lidhjet i kam shumë të mira, uroj dhe besoj se kështu do të vazhdojnë gjithmonë. Jam natyrë miqësore dhe mendoj se çdo kush ka vendin e tij.

Ju pengon shkolla për të qenë sa më afër muzikës apo koha është e mjaftueshme për të dyja?

Gjatë këtyre viteve nuk e kam ndjerë pengesën e shkollës po këtë vit, jam maturante dhe normalisht që dua ta mbyll vitin dhe provimet me sukses. Për këtë arsye mendova të bëj një pauz të vogël në muzikë dhe t’i përkushtohem më shumë shkollës. Për mua shkolla është primare, muzika është diçka e cila më mbush shpirtërisht por ajo është ede pjesë e shkollimit tim, duke qenë se studioj për kanto.

Shpesh herë jeni përfolur për pëlqime dhe simpati kundrejt meshkujve të ndryshëm. E ka gjetur Beatrix dashurinë e vërtetë?

Mund të jem përfolur pasi këto simpati janë normale për të gjitha vajzat e moshës sime, por nisur edhe nga mosha ime e re, është ende herët për të gjetur dashurinë e vërtetë!

Sa ka ndikuar familja në zgjedhjet tuaja dhe a ju ka mbështetur në rrugën tuaj?

Pa mbështetjen e familjes time nuk do isha këtu ku jam sot, dhe normalisht që për çdo zgjedhje që kam bërë jam konsultuar me ata. Kjo është gjëja më e mirë që kam bërë sepse asnjëherë nuk më ka dal keq.

A do t’u shohim pjesëmarrëse në ndonjë festival gjatë këtij viti?

Mbase po mbase jo, nuk jam ende e sigurt nëse dua të marrë pjesë në ndonjë festival.

Cilat janë projektet që do t’u ndjekin në vazhdim të këtij viti?

Po siç ju thashë edhe më lart, synimi im kryes për periudhën e parë të vitit janë studimet e mia dhe pasi të mbaroj provimet, projekti kryesor është bashkëpunimi me vëllain. Ju premtojë se do të jetë një sukses i madh, kam edhe disa projekte të tjera por për momentin mendoj t’i mbaj sekret dhe kur të vijë momenti do të jenë surprizë për të gjithë fansat e mi. Sa i përket bashkëpunimit me vëllain tim, e kam pasur në mëndje me kohë një bashkëpunim të tillë, por  mendoj se këtë vit ka ardhur momenti, që të bëjmë një surprizë për të gjitha admiruesit tanë.