Rozafa, legjenda dhe historia e qendreses

Figurë

Eshtë aziatik dhe kujton se hyrja në portën kryesore të kalasë është fundi i kalvarit të tij. Duket se është fillimi. “Nuk kam gja me Ju”, ma kthen i këndshëm bashkëatdhetari, që e shikon ndërkohë qyqarin e tejdetrave, mos i zhvasë ndonjë monedhë. Bash lek. I lë vetëm në diskursin e tyre me gjestikulacione. Sakaq duhet të jenë marrë vesh me njëri-tjetrin, ngaqë, nga pas, ndjej se ndaluesi, alias cerberi i Kalasë së Rozafës, nuk ndihet më të artikulojë tinguj.

 

Kalaja Rozafa – hyrja Ben Andoni

 

“Ejjjjjj! O karajfil! A i ke vesht të stampuem”. I ngrati që mezi e ka ngjitur kalldrëmin e rregullt deri në hyrjen e Kalasë së Shkodrës e shikon si Shvejku, dhe ofshan me gojën çapëlyer. Nxjerr disa tinguj zogjsh. Nuk kupton asgjë. Eshtë aziatik dhe kujton se hyrja në portën kryesore të kalasë është fundi i kalvarit të tij. Duket se është fillimi. “Nuk kam gja me Ju”, ma kthen i këndshëm bashkëatdhetari, që e shikon ndërkohë qyqarin e tejdetrave, mos i zhvasë ndonjë monedhë. Bash lek. I lë vetëm në diskursin e tyre me gjestikulacione. Sakaq duhet të jenë marr vesh me njëri-tjetrin, ngaqë, nga pas, ndjej se ndaluesi, alias cerberi i Kalasë së Rozafës, nuk ndihet më të artikulojë tinguj. Duhet të shikojmë Kalanë e Shkodrës për të cilën pak muaj më parë, një sherr i madh mbeti pa përgjigje, por edhe se është Shtëpia e Rozafës. Ishte kishë apo xhami, objekti brënda saj?! Pak minuta më vonë, rebusin e ngatëruar, thjesht ma sqaron një djalë. Quhet Agron Beqiri. Të paktën, më thotë kështu, ndërsa profesioni i tij është nga më të padëgjuarit për veshët e stërmykyr të kalasë: Shërbyes i Pëllumbave.

 

“Ku merret vesh këtu” – më thotë. Ky 35 vjeçar bën përditë një gjë, për të cilën qytetarët e tij të mbushur me aq mllefe dhe me pak histori pak e dinë… Në 08.00 duhet të jetë këtu dhe të merret me krijesat e tij, të cilat e presin me padurim. U sjell kallamoq, bukë, bar… dhe gjithë ditën ujë. E shikoj angazhimin e tij, teksa merr e jep me një pëllumb, që nuk i bindet dhe që i qëndron kryeneç sipër rrjetit… Falë tij, pëllumbat në këtë vend, e kanë kaluar qindshen dhe kjo koloni e tërë shpendësh paqësore, i bën shoqëri oborri i Kryezonjës Rozafë…

 

Kalaja, si dikur

 

Pak gjëra kanë ndryshuar në Kalanë e Rozafës. Por, ndërsa kam përshkruar oborrin e parë, në një nga muret, është fshirë një gjë që mungon dhe që i grishte aq shumë vizitorët në të shkuarën. Pas një hapësirë të pamatë, shumë shpejt afër derës tashmë nuk e shoh më parrullën, që dikur më ka bërë aq shumë për vete: “Shkodër, nuk të harroj kurrë”. Nuk e gjej më. Agronin, që e pyes, nuk di gjë, edhe njësoj, një bari që kullot delet aty edhe ai nuk di të më thotë asgjë. Vetëm më tall me shikimin e tij dhe me mirëqënien, që e shfaq me një bark të frikshëm. Të tillë bari nuk e kemi parë kurrë. Hulumtoj, atë që mund të ketë ndryshuar në këtë vend. Në fakt asgjë. Eshtë njësoj. Sërisht, e gjithë sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me tip portash mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Jam konsultuar shpesh më literaturë për këtë vend.

 

Një çift i ri studentësh, që shkëmbejnë puthje të harlisura mbi murin që rrëzohet mbi Bunë, më qësëndisin, sepse kërkoj instiktivisht për qeramikë. U dukem si rishtar. Vazhdoj i patrazuar e përfundoj në muret dalës të tij, ku janë të dalura drejtkëndëshe, që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës qëndrojnë rëndazi ambientet, që lidhen me një kullë rrethore, një depo, si dhe një godinë pak-katëshe, që duket se ruan dorën e venedikasve. Oborri i dytë zë pjesën qendrore të kalasë dhe falë një muri tërthor pa kulla, ndahet nga i pari. Brenda tij, kam dëgjuar se ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit. Janë katërkëndëshe dhe të mbuluara me qemerë, prej të cilave, uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Në një si tip stere, futemi me disa shkallë spirale dhe përfundojmë jashtë kalasë. Ruhet pastër një nga depot, është ende një “burg”, si dhe shenjat e kishës, që më pas është kthyer në xhami.

 

Intermexo

 

Bash luftë për të. “E po, ku merr vesh këtu i pari të dytin“ – ma kthen bariu, që është afruar vetë. Muslimanët me krishterët dhe argumentime nga më të sofistikuarat, më qarkullojnë në kokë, teksa më vjen ndërmend problemi. E si ndodh rëndom, do ishte Kumbarja e lekëve (Znj. Ris) për restaurimin e objektit, ambasadorja e shtetit amerikan, që do u kujtonte shkodranëve sherrxhinj, se Objekti mbi të gjitha i vlen turizmit të vendit. Duket se strumbullari i daljes në siperfaqe të përplasjes mes dy komuniteteve fetare kanë qenë lekët e një projekti për rinovimin e këtij objekti kulti, i cili u përzgjodh në muajin gusht të këtij viti nga Departamenti i Shtetit për Fondin e Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Granti prej 30 mijë dollarë do të zbatohej nga vetë ambasada e SHBA në Tiranë.

 

“Ku di gja unë”, më thotë Agroni. Po merremi bashkë me pëllumbat dhe japim me një “këmblesh”, pastaj një balli, që nuk bindet. Kapim, e marrim, na ikën dhe e kapim sërish sëbashku… ”Eshtë sëmurë”, më thotë i hidhëruar. “Nuk ka ngrënë fare”. Shqipëria ishte një nga 76 vendet e përzgjedhura për të marrë një financim të veçantë dhe kjo ishte hera e tretë për Shqipërinë, pas fondeve të akorduara për rinovimin e pjesshëm të kështjellës së Lezhës në vitin 2002 dhe fondit për ruajtjen e kishës së shën Nikollës në Voskopojë.

I kujtoj Agronit, që ka qenë dhe Gjon Pali II, që ka meshuar këtu në vitin e largët 1993, por kjo ka pak gjasa… t’i bëj përshtypje për të kujtuar. Kjo qoftë tek bariu, por edhe tek djali qytetar, që ndalon pasi e ka kapur të sëmurin dhe “e bind me dhunë” të kthehet në kafaz. Tashmë i qeshur më bën një përshkrim të familjes së tij, ku mungon vetëm stema heraldike.

 

Rezidenca ipeshkvnore e Shkodrës, shtëpia e ipeshkvit që përmendet si ‘domus episcopate’ në 1251, ishte para invazionit turk në qytet, afër kishës katedrale kushtuar shën Shtjefnit Protomartirit dhe përmendet në vitin 1403 dhe thuhet se ishte deri aty në vitin 1950, ku pat qenë hani i Ndokës, sikurse e dëshmojnë rrënojat e themelet, që shihen të mbuluara me dhe, dikur xhamia e Musllupit ishte dikur Kisha e Shen Shtjefnit…

 

Nëpër kala

 

“Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta, që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik”. Të duken si të përgjysmuara dhe kanë shumë lagështirë. Janë grishja më e madhe e fotografit, që ndalon duke marrë silueta platformash të tëra, që i mbulon rënia e diellit.

 

Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. “Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj,” shkruhet në literaturën për të. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në gypin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm, që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin.

 

Përveç hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete. Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë.

 

Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme, që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri”. Kjo përkryerje arkitektonike është e kuptueshme që ka qenë një kafshatë për të gjithë ata që e kanë provuar, që të hynë këtu. Jo më kot ajo mbrojti këtë vend nga dy rrethimet e egra turke, ajo e vitit 1474 dhe më pas ajo e vitit 1478-’79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema etj. Por, kalaja ka qenë një vend grishje i madh për këdo që ka dashur të vizitojë Shkodrën. “Nuk ka ndryshu kurrgja nga koha e Enverit”, më thotë dikush, që më sjell ndërmend udhëtarët e pakët të huaj që vinin dikur këtu.

 

“Mos u tallnin me varfërinë – thotë në një nga këto udhëtime artisti dhe dramaturgu i madh, Peter Ustinov për Shqipërinë e vitit 1966. Ambasadori i shquar i UNESCO-s dhe UNICEF-it është i mahnitur me Kalanë e Shkodrës në atë vit, por mbetet i zhgënyer me mbulimin e vuajtjes, që bëjnë shqiptarët e viteve ‘60.

 

“Pas drekës, ne u bashkuam përsëri me njëri-tjetrin në makinë dhe na dërguan që të shikojmë Kalanë e Shkodrës, e ndërtuar sipas shoqëruesit, në shekullin e 10-të para Krishtit. Por, që në momentin, që ai na kumtoi se Plani i Pestë pesëvjeçar do të mbaronte në vitin 1975, ishte i menjëhershëm për ne reagimi që të fillonim, që të dhënat e tij statistikore, t’i kalonim në vrimat e kripores”. “Ai na shoqëroi në pjesën më fotozhenike të Kështjellës, – kujton Ustinov – që ishte e mbështetur në kodër, dhe që dukej si një dhëmb i thyer në një copë çamçakizi. Në këtë vend, na tha se mund të bënim fotografi. Pak më vonë, kur zbritëm, ne pamë me sytë tona se çfarë pamje kishte fshati tipik shkodran, që ishte pranë liqenit. Shoqëruesi i shkretë nuk e kishte parashikuar se pikërisht atë ditë, rreth njëzet njerëz, shumë prej tyre fshatare të varfëra, pak fëmijë lakuriq dhe një burrë për të ardhur keq, që ishte i paralizuar, do të na shtriheshin dhe do të na shfaqeshin në rrugë”. Në fakt, tani nuk është se ka ndryshuar shumë, ndërsa mbrëmja pak nga pak po i merr dritën Kalasë.

 

Pak historik

 

Në shekullin V – IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Në shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Diokleciani e kthen në qendër krahinore. Më vonë bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj.

 

Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik. Kalaja e Shkodrës ishte kalaja e fundit që ra në shekullin e XV, kur më vitin 1479 Sulltan Mehmeti II e rrethoi me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Europë në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku, nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.

Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin…

 

Ndërtimi

 

I gjithë ky rrëfim nuk i bën përshtypje “shërbëtorit të pëllumbave”. Agroni ka ardhur që në mëngjez këtu. Dikur ka qenë kamarier në lokalin ngjitur me muzeun e kalasë, ndërsa sot është thjesht një nga punonjësit. Por, pronarit të saj i shkoi ndërmend diçka krejt e veçantë, ndaj në një nga kthinat e kalasë- ai mendoi që të ngrejë një vend për pëllumbat. I pari para Agronit i rrënoi dhe ndaj ai caktoi djalin e përkushtuar…”U katandisën 70 copë. Jan si rob. Veç goj nuk kanë”, më thotë. Ato janë krenaria më e bukur e këtij vendi. Nga pas ndjej aziatikun, që nuk orientohet dot sërisht. Për fat të keq është i mbyllur muzeu, ndërsa ai vetë duket se me kureshtjen e tij, nuk bën dot punë. Nga pas e tall çifti, që tashmë i kanë shkëputur buzët nga njëri-tjetri. Nuk e orientoj dot as me sy.

 

Ndërkaq, edhe Agroni jep shenjat e para të besdisjes. Më mbush kokën me fjalë dhe me teknologjinë e mbajtjes së pëllumbave, ndërsa më tregon se ky është profesioni i ri i tij dhe i vetëm me të cilin jeton. “Kjo është hera e parë që kam mbajtur pëllumba në jetën time”, më thotë. Largohemi me të. Tashmë muzgu është varur mbi kala. Dalëngadalë janë fshirë në horizontin e këmbëve të saj konturet e lumenjve, Drin e Buna, ndërsa nuk kontrollohet më fusha bregdetare përreth hyrjen në Liqenin e Shkodrës. Kështu zhduken dhe gjurmët e Balshajve që sunduan në Shkodër deri në vitin 1396, dhe pak nga pak e gjithë të tjerëve. E gjithë sipërfaqa prej 9 ha tashmë fle. Si në një kaleidoskop gjigand ngjarjet përplasen me njëra-tjetrën, por kujtoj vetëm, kohën kur Esat Pasha ua dorëzoi malazezëve Rozafën, që në ekstazë përkëdhelnin gurët e saj.

 

“Dorëzimi u krye në agun e 25 prillit dhe, vetëm pasi u largua edhe luftëtari i fundit shqiptar, malazezët ngritën flamurin e tyre në kalanë e Rozafës”. 25 Prilli ishte dita e 183 e rrethimit këtë herë për Rozafën. Kaq kishte mjaftuar të mbilleshin mbi 3500 viktima, disa mijëra të plagosur dhe të shkatërrohej i gjithë qyteti. Kaq kishte mjaftuar që Kalaja e Shkodrës të zgjaste përjetësinë e saj në kronikat moderne.

 

Ky rrëfim që ia bëj bashkëbiseduesit të fundit, nuk mjafton që të mbushë interesin e lodhur të aziatikut, që tashti i duhet që të përballet edhe me qësëndinë e bariut, që është në oborrin e dytë të Kalasë. Ky i fundit vazhdon e kullot i qetë bagëtinë e tij, ndërsa jep e merr me derëtarin, që këtë herë duket açik se është i njohuri i tij. E ka lënë të kullosë në kala- e qeshin ndërsa flasin me një gegnishte tepër arkaike, që u sjell pa fund kënaqësi, ngaqë nuk kuptojmë asgjë. Aziatikut i janë tejhapur sytë e mbyllura dhe kqyr. Ndërsa Agroni befas e ka gjetur një shfajsim për të na hequr qafe. E thërret një djalë nga klubi afër. Kuptohet se i braktis dhe pëllumbat, që ndihen më të qetë vetëm. Si në kohën e Ustinovit përsëri vendin e rëndon heshtja dhe boshnaja e vizitave…

 

Eshtë dimër. Kronikat e vitit 1913 tregojnë se ushtria malazeze hyri në Shkodër 24 orë pasi qenë larguar trupat e Esat Pashës. Të gjithë i mbanin sytë mbi kala. I dehte pa masë flamuri mbi Fortesën e dikurshme të Balshajve. Të gjithë e kishin ëndërruar që të flinin një natë me Rozafën, që nuk bëhej kurrë e askujt… Ikim dhe ne. Rozafa fillon përgatitjen e kahmotshme për të flejtur. Largohemi të përcjellë shëmtuar nga derëtari, kurse aziatiku ecën i lumtur teposhtë. Edhe një sy i fundit pastaj mbi Rozafë: Zotat i kanë falur përjetësi bukuroshes së shekujve.

Rozafa – gruaja e murosur

Figurë

Nga Arben Çokaj

– ese –

Rozafa është zanafilla e një qyteti të lashtë e legjendar. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot.

Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne.

Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.

Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:

Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.

A mos ndoshta ky mësim filozofik i orakullit, kjo simbolikë unike e veprimit, don të thotë, se kur ti humbet diçka të shtrenjtë, fillon dhe e vlerëson atë, që ti ndërton mbi këtë humbje?… Dhe kjo ndodh krejt natyrshëm në kohën e Rozafës, gruas që u muros për të dhënë jetë. Ajo u muros se thoshte orakulli, u martirizua për hir të zakonit, dhe kjo përbën forcën filozofike të vetë legjendës: flijimin si domosdoshmëri të padiskutueshme.

Por a janë të gatshëm vallë, të gjithë njerëzit të flijojnë? Jo, por në të vërtetë, po! Secili nga ne humbet diçka, dikush më shumë, dikush më pak, pa dëshirën tonë, pa vetëdijen tonë. Kjo ndodh po aq natyrshëm, sa ç’ndodhi me Rozafën. Por humbjet tona janë të vogla, individuale, ndërkohë që humbja e Rozafës u bë për hir të interesave globalë: ndërtimit të një muri mbrojtës për qytetin e Shkodrës.       

 

Gjekë Marinaj

RRËFIMI I ROZAFËS

Nën iluzionin

se një grua vlen më pak se një burrë,

Më murosën mua.

Nën idenë

se u ushqye me gjakun tim,

Kalaja gjeti forca të mbahet në këmbë.

 

Nën sikletin

se mund të thirrej dëshmitar,

Drini vazhdoi udhën.

 

Nën emblemën

e vet-sakrificës njerëzore,

Më kthyen në legjendë.

 

Nën pretekstin

se të gjithë patën të drejtë,

Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje”.

 

* * *

 

 

Legjenda e ‘Rozafës’

R O Z A F A

 

( është një gojëdhënë (legjendë), e përcjellur brez pas brezi )

 

– Historia e kalasë Rozafa –

 

“Krenare ngrihet mbi Bunën e gjanë e mbi qytetin e Shkodrës kalaja e lashtë e Rozafatit. Kur asht qitë guri i parë në themelet e kësaj kështjelle? S’dihet. Historia e saj tretet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të moçëm të kësaj mange. Nji gja dihet mirë e kjartë: ate e kanë pasë dikur labeatët e mandej ardianët, që ishin fise të forta ilire.

 

Kalaja Rozafa

 

N’atë kohë tanë bregu i këtejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme jase Triestën e ditëve tona, ish breg ilir. Ma vonë, u derdhën këndej romakët, tevona sllavët, normanët, venetikët, turqit e shumë popuj tjerë të huej. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si edhe vetë muret e kështjellës, janë lagë me përrej gjaku t’atyne që e kanë sulmue dhe t’atyne që e kanë mbrojtë. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndërtimi i kështjellës së Rozafatit ka nji gojëdhanë të bukur e të hidhun që na ka ardhë nga lashtësia jonë. Qe se ç’thotë kjo gojëdhanë. “…

 

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tanë. Tri ditë e tri net kjo mjegull mbeti aty. Mbas tri ditësh e tri netësh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullën. E naltoi dhe e shpuni deri në kodrën e Valdanuzit. Aty maje kodrës tre vëllazën punoshin. Ndërtoshin nji kështjellë. Po, murin që naltoshin ditën u prishej natën, e kësisoj nuk e naltonin dot. Na kalon aty nji plak i mirë. – Puna e mbarë, o tre vëllazën. – Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë, natën na shembet. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t’i mbajmë muret më kambë? – Unë di – u thotë plaku ~ po drue me jua thanë se a’ mëkat.

 

Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë. Plaku i mirë mendohet e pvet: – A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja? – Të martuem jemi – i thonë ata. – Edhe të tre i kemi varzat tona. Na thuej pra ç’të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë? – Në daçi m’e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t’ju thom unë. Ate prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot. Tha kështu plaku e shkoi: njitash u pa, njitash s’u pa.

 

Sa keq! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën. Kuvendoi në shtëpi, i tregoi vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të tana vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën: nuk kuvendoi në shpi, nuk i tregoi vashës së vet.

 

Nadje. Të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët shkapeten, gurët copëtohen, zemrat rrahin, muret naltohen. Në shpi, nana e djemve s’din gja. I thotë të madhes: – Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. Nusja e madhe ia kthen: – Besa, nanë, sod s’mund të shkoj se jam e sëmunë. Kthehet i thotë të mesmes: – Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. – Besa, nanë, sod nuk mund të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.

 

Nana e djemve i kthehet nuses së vogël: – Moj nuse e vogël… Nusja e vogël brof në kambë: – Urdhno, nanë! – Mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. – Besa, nanë, unë shkoj, po e kam djalin të vogël. Drue se don gji me pi e kjan. – Nisu, shko, se djalin ta shikjojmë na, s’ta lamë me kja – i thonë të kunatat.

 

Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e bjen në Kazenë; njaty ngjit kodrën e Valdanuzit, i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetnit e i shoqi. – Puna mbarë, o mjeshtër! Po ç’asht njikështu? Çekanët ndalen e s’shkapeten, po zemrat rrahin fort e fort. Fëtyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin.

 

E shoqja i thotë: – Ç’ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hidhet kunati i madh: – Ti paske lindë n’e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.

– Shëndosh ju, o kunetë. Po unë do t’ju la nji porosi: kur të më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të kjajë – me njanin sy do ta shikjoj, me njanën dorë ta ledhatoj, me njanën kambë t’i tund djepin e me njanin gji t’i jap me pi. Gjini m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali jem u trimnoftë, u baftë mbret e mbretnoftë!

 

Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë. Po rranxë tyne gurët janë edhe sod të lagun e të myshkun, sepse vahdojnë me pikue lotët e nanës për birin e saj… E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi.”

Aleksandër Moisiu në arkivin e Vjenës

 

Nga PJETER LOGORECI

Duke i bërë një analizë të shpejtë shkrimeve që janë publikuar për aktorin me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, kuptohet, që ai ka qenë një yll i skenës teatrore botërore me përmasat e një gjeniu në fushën e aktrimit. Është një fat i madh për ne shqiptarët që ai e zhvilloi karrierën e tij në vendet me tradita kulturore si Gjermania, Austria, Italia, Cekia… të cilët kanë të ruajtur dhe arkivuar historikun e teatrove të tyre kombëtare, ku karriera e Aleksandër Moisiut ishte për disa dekada dominante. Për rrjedhojë egzistojnë në këto arkiva, dokumenta që pasqyrojnë karrierën me fillime të vështira, por brilante të aktorit të përbotshëm Aleksandër Moisiu.

Shtetet ku ai punoi dhe jetoi, u përpoqën ti japin Moisiut identitetet e tyre kombëtare. Për kritikën italiane, Alessandro është një triestin i lindur (pa përmendur prejardhjen e prindërve emigrantë), përfaqesues i denjë i shkollës italiane të aktrimit. Në të vërtetë ai kaloi në Trieste një periudhë të vështirë të fëmijërisë së tij, me shumë probleme familjare dhe ekonomike për të cilat familja e tij u detyrua të largohet për një jetë më të mirë, drejt Austrisë.

Për teatrin Austriak, Moisiu u “zbulua dhe u formua” në Wien, edhe pse aty u përball me probleme të mëdha të integrimit, u nënvleftësua dhe ju mbyllën dyert e skenës si i paaftë dhe i patalentuar në fushën e kantos e të teatrit. Teatri gjerman i Pragës ishte vendi ku Moisiu gjeti përkrahje dhe ju hapën mundësitë për të filluar karrierën e tij si aktor. Në themel të karrierës së tij qëndron këmbëngulja e superaktorit austriak Kainz, i cili zbuloi tek djaloshi Moisi të ardhmen e teatrit modern dhe e drejtoj atë drejt Pragës ku punonin miqtë e tij.

Fillimi i tij në teatrin e Pragës me eksperiencat që krijoi,  ishte shkolla e vërtetë për artin skenik të Moisiut. Por talenti i pakufi i Moisiut me sukseset e njëpasnjëshme kërkonte një ambient më të gjerë, e të përmasave botërore siç ishte skena e teatrit në Berlin.

Mbas dyvjetesh e gjysmë deputimi në Pragë, ku mundësitë ishin të kufizuara, më 17 të dhetorit 1903 emri i Aleksander Moisiut shfaqet në afishet e teatrit të Reinhardt – it në Berlin me rolin e aktorit në dramen me temë shoqërore “Na dne” të Maksim Gorkit (te shkruar në 1902).

 

FËMIJËRIA E ALEKSANDRIT

I prapë, trazovaç dhe nxënës i dobët…

Gjurmët e Moisiut në Arkiv,  nga lindja, deri tek vite te konservatorit…

Në arkivën e Muzeut të Teatrit Austriak në Vjenë që është pjesë e Museut Historik të Artit,  gjendet fondi i Alexander Moissi.  Fondi është i ndarë në disa sektorë, në atë të FOTOGRAFISE ku gjinden dhjetra foto origjinale të aktorit. Sektori tjetër shumë i rëndësishëm është ai i LETRAVE DHE DORESHKRIMEVE ku gjendet korrespondenca e Moisiut me familjen, miqtë, kolegët apo telegramet e posta e tij.

Këtu gjej rastin të falenderoj të gjithë personelin e arkivës së Teatrit për gatishmërinë e përkrahjen në kërkimet e mija. Bashkëshortja e Aleksandrit, aktorja Johanna Terwin i dhuroj këtij fondi një pjesë të madhe nga dokumentacioni egzistues, në mes tyre edhe kujtimet e saj për momentet më të spikasura të jetës së tyre artistike e bashkëshortore.

Duke shfletuar pjesë nga kujtimet e pjestarëve të familjes mësohet që  Moisi Moisiu (1) dhe Amalia De Rada(2) u martuan në Trieste por erdhën në Shqipëri për të jetuar. Baba Moisiu (i besimit Kristjan Ortodoks) erdhi në Trieste, që atëherë ishte nën perandorinë austriake, në 1862-shin. Ai ishte tregëtar vaji, drithërash e lëkurash. Familja pati dhjetë fëmijë. Nga këto dy vdiqën pak mbas lindjes.

Tetë të tjerët ishin pesë vajza: Irena, Sofia, Melania dhe dy binjaket Epifania dhe Elvira, kurse tre djemtë ishin: Konstantini, Dante e Aleksandri. Fëmija i parë i familjes ishte Konstantini që lindi me 1864 e mbas dy vjetesh në jetë erdhi Dante. Aleksandri lindi me 2 prill 1879 në Casa Rolli (Riva Grumula) pranë portit në Trieste. Ai u pagëzua në kishën e Shën Kolit të Triestes simbas ritit Kristian Ortodoks grek.

Duhet shënuar që nga shkrimet e botuara, po ashtu edhe nga dokumentet që gjinden nuk ka asnjë pikë që të vërtetojë teorinë shumë të përfolur e të qenit Jude gjë e cila vërtetohet nga vetë familjarët dhe të njohurit e tij (Irmgard Rohracher në librin Alexander Moissi, faqe 3, Wien 1951).

Sipas shënimeve, mbas humbjes së 12 anijeve plot me mall të babait (1883) të cilat u mbyten nga stuhia në det, familja jetoi e ndarë.

Nëna Amalia që ishte kristiane nuk ambientohej dot në jetën e vështirë plot orientalizma e asaj kohe në Shqipërinë e osmanizuar nga turqit, u shpërngul të jetonte në Trieste së bashku me vajzat Irena, Sofia dhe më të voglën Melaninë. Kurse në Durrës, me babain Moisi jetonin të shkujdesur Konstantini, Dante, Aleksandri dhe dy vajzat binjake.

Aleksandri 4 vjeçar, i cili ishte fëmija i fundit, më i vogli, ishte i zgjedhuri i babait, i cili nuk kursehej për të plotësuar dëshirat e fëmijve që jetonin në ambientin mbytës të qytetit. Në moshën 6 vjeçare Aleksandri mori si dhuratë  nga babai një kalë, i cili i mbushi me gëzim jetën e botën e tij fëminore.

Shkolla  e kohës që preferonin fëmijët ishte për të dëshiruar, por edhe Sandri (siç e thërrisnin të afërmit) ishte nxënës i dobët. Në shkollë mësimet ishin në gjuhën greke, por në shtëpinë e Moisiut flitej gjithmonë shqip. Sandri ishte mëngjërash (shkruante e punonte me dorë të majtë). Në kujtimet e motrave ai përshkruhet si fëmijë i levizshëm, shumë i shkujdesur dhe me plot fantazi.

Motra Melani kujton: Aleksandri bënte kudo rrumujë dhe ishte i shkujdesur. Ai humbte gjithmonë gjërat e tij personale. Në kemi fjetur në një dhome me Sandrin dhe ai mundohej të kujdesej për mua dhe të me gezonte. Kuzhinierja jonë e vjetër me emer Gigia, kujdesej për ne gjatë ditës.

Kur Aleksandri nuk shoqërohej nga të tjerët nga shkolla deri në shtëpi, ndodhnin gjithmonë gjëra të papëlqyeshme: p.sh. një herë ra në kanalin e madh të ujit, një herë tjetër rrëzoi një shitës ëmbëlsirash dhe një grua me vezë…. e babai duhej të paguante dëmin….një herë bashkë me binjaket dhe Melaninë hëngrën dhe dëmtuan vreshtin me rrush të një verëpunuesi e babai përsëri duhej të paguante…një herë në dimër ai rrëzoi në det vëllanë e madh, i cili ishte i ftohur …

Mbas 4 vitesh në tokën shqiptare në vitin 1887 i ati e lejon të shkojë tek e ëma në Trieste. Kjo ishte një periudhë e vështirë për Aleksandrin fëmijë. Në Shqipëri ai shihej nga bashkëmoshatarët si “italiani” kurse në Trieste si “albanese” dhe kjo ndikoi që ai të mbyllej në vetvete dhe të mos shkonte mirë me mesime.

Si më i vogli ndër femijët, Sandri ishte gjithmonë nën diktatin e motrave. Ai ishte “fëmija i prapë i familjes” dhe shpesh e ndëshkonin. Shkolla nuk i pëlqente e aq më pak detyrat e shtëpisë. Në shkollën fillore u detyrua të përsërisë disa herë klasën për arsye të rezultateve të dobëta.

Tingëllimën e parë të zemres për teatrin e pat në Trieste kur pa në skenë aktorin e madh italian Ermete Novelli, i cili luante pjesë nga “Papa Lebonnard” dhe nga “Luigji i IX”. Së bashku me një teze të tij plakë, Sandri pat mundësi të ulej në një nga lozhat e fundit të teatrit që të shihte humoristët venecianë “Zago” e “Benini”. Më pas ndodhi ajo… që do t’i ndërronte jetën princit të vogël Moisi. Asnjëherë më përpara, i vogli nuk kishte menduar që, dikush pa mjete muzikore,  këngë apo muzikë do të mund të argëtonte një sallë plot me spektatorë që qeshnin si të çmendur.

Nëpërmjet artit të Novell-it Sandri futet në botën magjike të skenës e me fantazinë e tij fëmijnore arrin të shohë të ardhmen e tij në këtë fushë. Momentet e kësaj dite lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij. Në këtë kohë situata ekonomike në familje u rëndua shumë. Nëna vendosi ta dërgonte Sandron tek një kushëri i saj prift në Graz të Austrisë. Prifti premtoi ta ushqente dhe ta shkollonte atë. Kur çdo gjë po shkonte siç duhej, prifti u transferua e Sandros ju desh të kthehej në Trieste.

Dy nga motrat, me ndërmjetësinë e një kushërire me influencë në Vjenë arritën të punësohen si nënpunëse ministrie e kështu të siguronin të ardhura të mjaftushme për të jetuar të gjithë. Familja u shpërngul në Vjenë. Aleksandri këndonte shumë bukur dhe ishte deshira e nënës që ta dërgonte në konservatorin e Milanos, por pamundësia ekonomike e detyroi atë të ndiqte familjen në Vjenë.

Në vitin 1896 Moisiu zbret nga treni në Südbahnhof në Vjenë, ndërkohë që familja kishte në qira një hyrje me dy dhoma të vogla në Hiessgasse/ Landstrasse në bashkinë e trete, ku ishte sistemuar nëna me dy motrat. Për të ndihmuar sadopak ekonominë e familjes ai fillon të japë mesime të italishtes. Edhe pse ishte i veshur keq, trupvogël dhe i pa eksperiencë për veten e tij, edhe pse nuk zotëronte për vete gjuhën gjermane, ai arrin të ketë disa nxënës dhe të sjell në shtëpi drekën e ngrohtë për familjen.

Për Alessandron ëndrra e konservatorit jetonte. Me ndihmën e kushërirës së tij me influencë, të drejtorit italian të konservatorit Ferrucio Busoni e të profesorit të kantos Mancio arrin të futet në konservatorin e Vjenës. Fatkeqësisht mbas fillimit të mësimeve profesori Mancio vdes dhe zëvendësohet nga Prof. Forsten, i cili kishte një metodë të ashpër mësimore. Si student i konservatorit Moisiu kishte mundësinë të frekuentonte gratis koncertetet e operat. Edhe në konservator ai nuk arrin të bëjë hapa përpara. Nuk merr pjesë rregullisht në prova, në leksionet e kantos e të teknisës së frymëmarrjes. Në mësimin e harmonisë e të gjuhës gjermane nuk merr pjesë pothuajse aspak, gjë që profesori Forsten nuk e toleron e në fund të semestrit të parë i heq Aleksandrit të drejtën e studimit.

SHËNIM:

 (1) Në shumë shkrime nga autorë të huaj mbi Aleksandër Moisiun, shkruhet që babai i tij quhej Konstantin Moisiu. Babai i dha emrin e tij djalit të parë Konstadinit. Por në dëshminë origjinale  të lindjes se Aleksandrit ai shënohet Moisi Moisiu. Emrin Moisi Moisiu të babait e vërtetojnë  edhe pasardhësit nga familja Moisiu. Po ashtu edhe prejardhja e Familjes Moisiu nga disa autorë të huaj shënohet: ato vijnë nga Golemi, një vend në afërsi të Shkodrës…

 (2)Amalia de Rada vjen nga familja arbëreshe De Rada. I ati i saj ishte një mjek i njohur në Firenze, por nga autorët e huaj, shikohet me dyshim ky fakt. Ajo quhet një italiane në origjinë.

KUJTIMET E MOISIUT

Fillesat si aktor, një dështim, jetoja në varfëri ekstreme

Në gjendje shpirtërore të dëshpëruar, me këpucë të grisura, gjysmë i zbathur, me trupin e vogël që dridhej nga të ftohtit e dimrit të egër vjenez nën leckat që mbante veshur, ai endej  rrugëve të qytetit për të kërkuar punë. Kjo situate e ndoshta ndonjë ftohje e mëparshme bëhet shkas për një sëmundje të rëndë të mushkërive, e cila më vonë do t’i marre dhe jetën.

Duke shfrytëzuar njohjet nga konservatori, fillon të punojë si Claquere (person që paguhet të duartrokasë gjatë një shfaqje) në Hofoper, ku shkonte çdo natë. Gjatë ditës ai punon si ndihmësvarrimesh në Zentralfriedhof (varrezat qëndrore), ku asistonte ndër ceremonitë e varrimeve që në Vjenë janë shumë klasike, që më vonë i shërbej në krijimin e figurave artistike ku vdekja ishte pjesë në atmosferën e rolit, si te princi Hamlet.

Në këto ditë të vështira rastësia i solli një punë si figurant në Teatrin e qytetit. Më 19 shkurt 1899 ai nënshkruan kontratën me  drejtorin e Teatrit të qytetit Paul Schlenther, ku punësohej si figurant i përhershëm.

Moisiu tregon: në rininë time të hershme kur erdha në Vjenë, nuk u prita me tufa lulesh, por punoja shumë. Fillova si mësues i gjuhës italiane dhe fitoja vetëm 30 Kreuzern për një leksion gjë që nuk me lejonte të bëja një jetë normale. Deshira ime ishte të bëhesha këngëtar dhe arrita të hyj në konservator.

Mësoja të këndoja, por që të bëhesh këngëtar duhej të kishe një stad mesatar, për këtë më duhej të këndoja nga mëngjezi deri në  darkë. Isha shumë i mbingarkuar e ndodhi që nuk më eci mirë, që të përmirësoja situatën time materiale e ekonomike mora përsipër punën e ndihmësfigurantit në Teatrin e Qytetit.

Dielli më shndriti me fat e me mëshirë dhe me ndërhyrjen e një djali të Krachers, arrita të bëhem figurant. Kjo ishte punë shumë më e mirë se ndihmësfiguranti. Honorari im për çdo natë ishte 80 Kreuzer (1,35 Mark) që me mjaftonte për të shuar oreksin rinor të ditës, por vetëm me Würstel (Salcice)e bukë….

Por e rëndësishme ishte se isha në Burgtheater… E fillova punën me “Meister von Palmyra” (Mjeshtri nga Palmira). Mundohesha të isha në lartësinë e duhur; isha njeri nga turma e popullit grek…por krejt në fund të skenës…saqë kisha ndjesinë se regjisori nuk kishte besim tek unë ose turpërohej nga prezenca ime…krejt në fund të skenës …..që të mos me shihte kush, e kështu herë mbas here më duhej të dilja dhe të hyja prapë, në çdo akt, por përsëri në fund të skenës, krejt afër derës…

E kjo gjë ndodhi në shumë pjesë teatrore… O Zot, sa herë jam rrëzuar së bashku me heshtën që mbaja në dorë….Pastaj erdhi kthesa: në “Cyrano de Bergerac” isha në skenë si kadet. Në aktin e katërt “Gascogne” përfshihej nga stuhia dhe kadetët duhej të prekeshin nga era e të delnin…., e këtu unë u ndjeva shumë i shqetësuar e nuk dola…, për këtë mbas disa ditësh u thirra nga drejtori Schlenther që të sqaroja shqetësimin tim….dhe kaq ishte… unë që kisha menduar deri në atë kohë, që atje në fund ku isha nuk do të me vërente  askush, me besoni, mbeta shumë i befasuar…..

 (Fragmenti është marre nga disa shenime, kujtimet e tija.. të depozituara në Theatermuseum / Wien)

                                                             ***

Në shkrimin e tij “Debutimi im në Burgtheater” ai kujton: Isha në Vjenë. Isha shumë i ri e shumë i varfër, i  jepja mësime private gjuhe pak personave, të cilët patën besim tek unë. Në të vërtetë në atë kohë nuk kisha as idenë më të vogël se çka dëshiroja të bëhesha… Isha në kërkim të bukës, kisha uri të madhe e zorrët më këndonin në bark, kur rastësia e madhe më solli në Burgtheater si Komparse (Figurant)….

 

Uni- i brendshëm i artistit filloi të zgjohej tek ai. Pasioni i tij për teatrin jep frytet e para. Në skenë si figurant ai mundohet të krijoje figura sa më të besueshme për publikun. Një herë kur të gjithë figurantët duhej të dilnin nga skena, ai mbeti në skenë i rrëmbyer nga interpretimi i aktorit Ernst Hartmann që interpretonte Cyrano-n.

– Dil jashtë, thërret shefi nga prapa skenës, por ai i mahnitur mbeti aty deri në fund të aktit…. Një herë tjetër ndodhi që ai i prekur nga skena që luhej filloi të qajë me dënesë, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Njerëzit filluan të flasin me tallje për të “riun e apasionuar” që rrembehej shpejt…, por ai arriti të ketë vëmendjen e të gjithëve.

Është zakon i Burgtheatrit të Vjenes që hera-herës t’i japë mundësi talenteve të rinj të paraqiten para regjisorëve me pjesë të ndryshme, për të siguruar një vend pune “me rastin e shtesës së personelit” si aktor. Aleksandri me ndihmën e aktores Maria Urfus (që me 1910 u martua me Moisiun dhe më 1911 patën një vajzë të quajtur Beate), mëson pjesë nga “Uriel Acosta”, nga e famshmja “Narziss” dhe “Rikardi III” . Mikja e tij përpiqet shumë që krahas artit skenik të përmirësojë të folurit e tij në gjermanisht.

Kështu më 1 dhjetor 1899 paraqitet me interpretimet e tija para komisionit të regjisorëve të Burgtheatrit. Ai e ndjen vehten të kënaqur e të sigurt gjatë lojës së tij. Plot zell dhe furishëm fillon Aleksandri duke shpërthyer zjarrin që i vlon në shpirtin e tij prej artisti, në frazat që reciton. Fraza, rreshta, monologje në gjermanisht, të cilat nganjehere nuk i dinte kuptimin…

Aleksndri kujton: gjatë ‘Uriel Acosta’, drejtori Schlenther qeshte me gjithë zemer, por vetëm Narziss i pelqeu atij; tetë ditë mbrapa unë qëndroja në skenën e Burgtheatrit para kolegjit të regjisorëve. Kurrë nuk i mësova përshtypjet e tyre për pjesët e mia,  e me sa di unë: mendimet e Sonnenthal-it, Krastel-it, Leëinsky-it dhe Hartmann-it nuk kishin asgjë të mirë.

Por drejtori Schlechter besonte  tek unë, e kjo ishte gjëja më e bukur që më kënaqte në atë kohë: që drejtori Schlechter më shikonte mua si një aktor të ardhshëm… Ky ishte parashikimi i tij… Unë fillova të studioj e të mësoj gjermanisht nga gruaja ime që ishte aktore, Maria Urfus… Gjermanishtja për mua si i lindur në Itali ishte shume e papërshtatshme dhe e vështirë.

Kolegji i regjisorëve nuk reagon aspak nga pasioni e temperamenti i veçantë i këtij djaloshi 19 vjeçar. Njëzëri ato marrin vendimin:

“Alexander Moissi ist zum Schauspieler ungeignet”

Aleksandër Moisi është i paaftë që të bëhet aktor…. Megjithatë komisioni e lejon atë të vazhdojë të punojë si figurant, por që mund të thotë ndonjë fjalë nganjëherë…. megjithë akcentin e keq të gjermanishtes që ka…, por tashmë shpirti i tij nuk gjente më paqe dhe digjej për skenën… Më 31 Mars 1900 ai këndon në skenën e Shoqërisë  Tregtare të Vjenës në pjesën “Ehemann vor der Tür” (Bashkeshorti tek porta) me shumë sukses.

Sukses tjetër për tu përmendur ishte roli “Kusofkin”,  ku interpretoi vargjet e  Turgenjevit në pjesen “Gnadenbrot” (Bamiresia). Në një gazetë të kohës shkruhej: I riu Moisi dëshmoi për një talent të padiskutueshëm…Zeri i tij i shumëngjyrshëm, loja në pantomimë, sikurse edhe siguria e tij në skenë bëri përshtypje shumë të mirë… Kjo shërbeu që te Moisiu i ri të rritej besimi në vetvehte. Guximi i tij triumfoi mbi pasigurinë e mungesën e eksperiencës.

KAINZ ZBULON TALENTIN MOISI

 

Jeta e shthurur, rolet, kritikat dhe vlerësimet ekstreme

Në lokale nate këndonte e tregonte fëmijërinë e tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit…

Fati e solli që në nëntor të 1900, në  një teatër të vogël në Vjenë (Nußdorf) do të shfaqej nga një trupë e huaj pjesa “Die Räuber”. Dy ditë përpara shfaqjes Aleksandri mori përsipër një nga rolet kryesore, për të zëvendësuar aktorin që për arsye personale mungonte. Një ditë tjetër ai mori me shumë iniciativë mbi vete rolin e “Kosinsky-t” prapë si zëvendësues, sa që në grupin e figurantëve të Burgtheatrit, filluan ta quajnë “Aleksandri Shpëtuesi”. Për këto dy ndërhyrje ai mori shpërblim nga kolegu i tij, si figuranti më i vjetër i Theatrit  Moncza, një palë këpucë.

Më pas ndodhi që në komedinë “Tartufi”, ku ai luante shërbëtorin Lorenzo, emri Aleksandër Moisiu do të shtypej për të parën herë në afishet e shfaqjes. Aktori i madh Josef Kainz dhe Moisiu qëndrojnë bashkë në skenë, por ndodhi ajo që nuk pritej, duke u futur në skenë Kainz fillon të interpretojë:  “…. Lorenzo, o shërbëtori im, a është gati veshja ime…?? e më pas i hedh një shikim të shpejte pyetës Lorenzos…..

Kainz shtanget i befasuar nga sytë e shërbëtorit Moisi e nuk arrin të lëviz më, ai nuk mundet të flasë….. vakum…edhe pse dëgjonte sugjerimin e suflerit ….. Sy me sy vështroheshin të dy, kolosi Kainz që ishte legjenda e teatrit në të gjitha trevat gjermanisht-folëse dhe figuranti “i panjohur” Moisi…

Kainz arrin të shohë në shprehjen e syve të Moisiut – Lorenzo, ndjenjën e nënshtrimit e të fatkeqit, e po ashtu zbulon te figuranti i panjohur,  forcën, madhështinë e talentin e një aktori të ardhshëm….

Ai këshillon Moisiun në qarqet më të larta të hierarkisë teatrore. Drejtori Schlenther e sugjeron Aleksandrin te Angelo Neumann që ishte drejtues i Teatrit gjerman të Pragës, i cili i beson instinktit të Kanz-it. Me ndihmën e motrës së tij, Moisiu blen nga një tregtar rrobash të përdorura në Judengasse; një kostum, një kapelë (të cilën më pas e harron në tren) për 3 Gulden dhe udhëton për në Pragë.

Një kontratë 6-vjeçare e pret në Neues Deutsche Theater, ku ai për katër vjet rresht (1901 – 1904) aktron. Filloi me rolin e Elias në “Über unsere Kraft nga Björnson”, ku la gjurme të paharrueshme. Me pas  vazhdon me Franc Moor, Cyrano von Bergerac dhe Coupeau të Zolas në “L´Assomoir”. Jehona e interpretimeve të tij e ndau publikun në dy grupe kontradiktore, populli dhe shtypi.

Njëra palë kritikonte mënyrën e tij gjuhësore të folurit, aksentin e tij të huaj, si dhe mënyrën jo tradicionale të interpretimit, kurse grupi tjetër: admironte tingëllimin e zërit të tij kumbues dhe temperamentin e tij të zjarrtë që e pasqyronte në rolet e interpretuara. Erdhën më pas rolet e Gaspard në “die Glocken von Cornville”, Bonifazi në “Brüder Staubinger”, “La Main” një pantomime franceze… Vitet e Pragës e ndihmuan atë të kuptonte sekretin e magjinë e lojës aktoriale.

“Kur fillova punën, kujton Moisiu, në të vërtetë nuk dija ku qëndron sekreti i interpretimit të një roli. Mendoja thjesht me fantazinë rinore që arti i krijimit të rolit është të ngjitësh një mjekër false në fytyrë. Isha i bindur që sa më shumë të rrija në skenë aq më i spikatur do të isha, që unë nuk isha vetvetja por një tjetër të cilin e përcaktonte autori i tekstit.

 

Sa më shume që njihja boten, aq me shumë bëhesha i vetëdijshëm në personin tim. Me vonë kuptova që artin tim duhej ta ndërtoja thjesht mbi personalitetin tim. Jo me “maskim”, por me “demaskim”. Kërkoja lirinë time në çdo rol, për ta interpretuar atë në mënyrë të natyrshme dhe arrita ta zotëroj këtë. Kjo bëri që kur zgjidhja rolet, mundohesha t’i shihja personazhet brenda vetes sime…”

Ne Pragë ai bëri një jetë të shthurur, që i kujtonte fëmijërinë në Durrës e Trieste. Netë të tëra frekuentonte klubet “jo me zë të mirë”, pinte shumë, flirtonte me gratë…., që të njihte mirë JETEN e NJERËZIT – thoshte ai. Një nga biografët e tij (Paul Leppin), për këtë periudhë tregon që Moisiu ishte i palodhur dhe i rezistonte natës. Në kohën kur të tjerët fillonin të braktisnin lokalin, ai niste të këndonte meloditë “Die Stretta” italiane që përkëdhelnin zemrat femërore, deklamonte Shekspirin ose tregonte ndodhitë e fëmijërisë së tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit.

Vitaliteti i tij ishte i papërshkrueshëm. Të gjitha sa fitonte i harxhonte për qejfet e tij, pasi ndjehej shumë i vetmuar. Gjendja shpirtërore e tij në këtë periudhë ishte shumë e trazuar, gjë që pasqyrohet edhe në rolet e tij: i tronditur, sensibel, pasiv, i mbyllur në vetvete, i përmalluar… Thoshte që në rolin e Faustit, ai nuk luante gjendjen që përshkruante autori, por vetveten. Shpirti i tij i trazuar shpërthente ndër emocione të fuqishme, që i bënë rolet e tij të famshëm e të paharrueshëm.

Në shumë role ai arriti përsosmëri dhe sukses dhe filloi të mendonte të ndërtonte një karrierë të vërtetë, por në një teatër të përmendur si ai i Berlinit. Për këtë në vitin 1903 vendos lidhje me Max Reinhardt, i cili i premtoi atij një rol në sesonin 1904 – 1904 në një pjese të Gorkit. Më 22 nëntor të 1903-it. Moisiu ndahet nga Neue Deutschen Theater në Prag, ku për të fundit herë luajti rolin e Kozakut Beitler të Hugo Müller dhe Franc Roth tek “Von Stufe zu Stufe”.

Thuhet që për të udhëtuar për në Berlin ai mori nga miqtë e vet para hua, të cilat i harxhoi të gjitha në festën e ndarjes me miqtë. Në Berlin u gjend me 26 nëntor i shoqëruar nga gruaja e tij, aktorja Maria Urfus.

“Zotërinj, po ju paraqes aktorin e ri” – kështu  e prezantoi Max Reinhardt në ansamblin e tij Moisiun. Më pas ai përshkoi me fjalë të tjera besimin e palëkundur që kishte aktori i madh, por jo shumë i njohur. Në fillim edhe pse Reinhardt i kishte premtuar një rol tek Bernard Show “Der Schlachtenlenker” të cilin Moisiu e kishte përgatitur, ai nuk ia dha atë mbasi pat presion nga trupa e aktorëve.

Kështu që më 24 prill 1904, Moisiu u ngjit në skenën e teatrit të Reinhard-it në “Kabale und Liebe”, por nuk arriti që të bënte për vete dhe të integrohej në grupin e aktorëve. Ai vendosi të provonte në Osterndtheater të sapo formuar më 3 shtator 1904, i cili ishte nën drejtimin e Viktor Laverrenz dhe quhej Carl Weißtheater. Më vonë, ky teatër u emërua si skena popullore gjermane.

Në këtë teatër Moisiu mori pjesë në tri premiera: si Franz Moor në “Räubern”, si Golo në pjesën e Habbel-it “Genoveva” dhe si Mortimer në “Maria Stuart”, të cilat i dhanë mundësinë atij që të bëhej i njohur në qytet. Mbas pak muajve Reinhardt-i e mori Aleksandrin përsëri në teatrin e vet për të luajtur rolin e Philipp-it në “Grafen von Charolais” të Beer – Hoffmann, të cilin nuk ishte në gjendje të bënte asnjë nga grupi i Reinhard-it.

Kritika dhe publiku e pritën në mënyra të ndryshme aktorin e ri. Një pjesë e publikut u “tremb” nga e folura e tij dhe mënyra moderne e interpretimit, ndërsa pjesa tjetër (ajo më e shumta) u pasionua pas tij. Kritika njëzëri nuk e pranoi Moisiun për një kohë të gjatë deri sa puna, talenti e arti i tij me rolet e Kreon-it  të “Ödipus und die Sphinx”, me Osëaldin të “Gespenstern” dhe Moritz Stiefel në “Frühlings Erëachen” e bindi. Pas kësaj diagrama e ngjitjes se karrierës së tij ishte e papërmbajtur.

 

Luajti Romeon, Franc Moor, Claudion në Der Tor und der Tod, Lolon të Mbreti Lir. Në 1909 luajti Faustin dhe në festivalin e teatrit gjerman në Münich për herë të parë Hamletin, i cili u cilësua me vonë si një nga rolet me të famshme të tij, por me 1910-n ky hov i madh suksesesh u ndërpre nga një sëmundje mushkërish që e detyroj atë të pushojë  aktivitetin.

Atij iu desh të shkojë në Davos të Zvicrës, që është një vend kurash për sëmundjet e tuberkulozit. Pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje ai ju bashkëngjit trupës së Reinhardt-it gjatë turneut në Petersburg në maj 1911, duke marrë përsipër rolin e Edipit me të cilin korri një sukses të paparë aty, por edhe me pas në Berlin, Hamburg, Vjenë…

FUNDI TRAGJIK I MOISIUT

Ditët në agoni të aktorit të madh, fjalët, e miqve: Kafka, Cvajg e Pirandelo

Më 7 shkurt 1913, ai luajti premierë Fedjan nga drama e Tolstoit – “Kufoma e gjalle”, që është një ndër rolet më të arrira të tij. Çelësi i suksesit të Moisiut, do të shkruante kritika, është zëri i tij tingëllues, mënyra e shkëlqyer e të folurit, arti i artikulimit të fjalëve,  për të cilat më vonë ai u bë i njohur në të gjithë botën. Ai arriti të bëhej aktori i parë e më i famshmi në të gjithë botën gjermanisht-folëse.

Me fillimin e Luftës së parë Botërore ai u angazhua vullnetarisht si ushtar dhe u dërgua në frontin perëndimor si aviator, ku për merita ushtarake u gradua Leutnant dhe u dekorua me KRYQIN E ARTE, dekoratë e lartë ushtarake. Më 26 shtator 1915 mbas rrëzimit të avionit të tij në Francë, ai u kap rob nga francezët së bashku me bashkëluftëtarin e tij.

Më 2 mars 1916, gjatë një transporti nga kampi ku mbahej i burgosur bashkë me një grup ushtarësh u arratisën, por u kapën dhe u dërguan në burgun ushtarak në Toulouse. Kur një komision mjekësh vizituan burgun, ndërhynë pranë autoriteteve franceze dhe arritën ta dërgojnë për kurim të mushkërive në Arosa të Zvicrës. Gjatë jetës së tij Moisiu pati shume histori dashurie. Ai ishte “hyjnori” i grave të cilat prisnin në radhë mbas çdo shfaqje tek dera e kabinës për një autograf apo për ta takuar.

Thuhet nga biografët:  gratë që gjate shfaqjeve të tij uleshin në rresht të parë, nuk gjenin dot qetësi nga shikimet e tij këmbëngulëse e lakmitare, por njëkohësisht ishte dhe xheloz kur gruaja e tij vishte fustane që i zbulonin  pjesët e trupit. Ai u martua dy herë. Pas gruas së parë Maria Urfus (1910), me të cilën pati vajzën Beatrice (Moisi) von Molo të lindur me 1911, ai u martua me kolegen e tij nga teatri i Reinhard-it, gjermanen Johanna Terwin e nuk patën fëmijë.

Historia e dashurisë se tij me Terwin filloi kur luajtën  pjesën “Kufoma e gjallë” ku Terwin ishte cigania Mascha. Më vonë të dy luajtën shumë duete së bashku: Romeo e Xhulieta, Hamlet dhe Ofelia, Othello e Desdemona. Moisiu gjatë periudhës së tij në Berlin pati një lidhje jashtëmartesore me Hertha Hambach nga e cila u  lindi një vajzë (1922) që quhej Bettina (Moisi ) Berggruen.

Te dyja vajzat ishin artiste. E para ishte aktore, valltare e këngëtare kabareje që paraqitej me emrin e artit Beate von Molo, kurse e dyta Bettina Berggruen ishte aktore filmash. Një nga pasardhësit e vajzës Beate është dhe aktori austriak Gedeon Burkhard.

 

65 vjet mbas vdekjes së Moisiut, vajza e tij Bettina, e cila në atë kohe ishte 9 vjeçe kujton: unë nuk mund të harroj kurrë shprehjen e syve të tij, ato i  kam parë disa vjet më vonë përsëri, e ju nuk do ta besoni se ku….. te Picaso. Edhe Picaso si babai im kishte sy me vështrim hipnotizues e luftarak si ato të një Toreadorit që lufton me demat.. Sytë e babait tim ishin “të butë, të qetë, sy të vdekur si ato të statujave greke prej mermerit”…

Ndërsa Kafka e kishte vrojtuar kështu artistin tonë: një artist të cilit i rrjedhin vargjet nga koka e tij…(goja me zërin e mrekullueshëm, sytë që flisnin). Duket sikur në thellësinë  e syve të tij lëvizin arkiva fotosh bardhë e zi me lëvizje të ngadaltë fantazmash….Mumjet egjyptiane 2000-vjeçare kanë sy të tillë…të fiksuar e të thelle, pa shprehje, të trishtuar, por të paankesë, të rezervuar por prezent….vetëm në pikturat e Lorenzo Lottos mund të gjesh sy të tillë melankonikë, mesdhetar… Moisiu i rrëmben menjëherë njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij…

MOISIU E BËRI VDEKJEN PROFESION

“Gjatë karrierës se tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme….”

Në skenën e teatrit ai bëri VDEKJEN “Profesion”. Gjatë karrierës se tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme….Ai përjetonte vdekjen dhe “ashtu siç vdes në skenë Moisiu” nuk gjendet një aktor i dyte ta bëjë… Vetëvrasja  e tij tek Fedja, që është roli i tij i jetës, ka mbetur firma e tij në art – sikurse personifikimi i Tramp-i të Chaplin-i ose kostumi i bananeve tek Josephine Baker.

Moisiu, i pavdekshmi ylli i vdekjes … Ekspertet e teatrit shprehin keqardhjen që nuk u arrit të filmoheshin skena nga rolet e Moisiut. Një herë në vitin 1998 gjatë kërkimeve arkivore në Vjenë u gjend i mbyllur në një kuti llamarine një Film dokument: Moisi – Fedja në celuloid. Janë 55 sekonda xhirim, autori i panjohur…..segment filmi  që sot duket se vjen si një mesazh i Moisiut nga bota e përtejme…

Sipas një thënieje klasike: të zgjedhurit e “Qiellit” dhe gjenitë vdesin herët, të rinj… Ashtu edhe Aleksandër Moisiu, vdiq me 56 vjeç, në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik.

Është interesante për t’u treguar: një herë në ditët e para të vitit 1935, kur Moisiu gjendej në turne në Itali, dy gazetare e vizitojnë në gardërobën e tij aktorin e madh i cili përgatitej të luante në skenë rolin e piktorit Luis Dubedat të “Il dilemma del dottore”.

Për rastësi në këtë pjesë ka një skenë ku një gazetar pyet piktorin artist që vuan nga tuberkulozi: “Ju lutem shkurt me pak fjale na thoni diçka për sëmundjen tuaj dhe planet tuaja në të ardhmen?? Piktori Louis Dubedat – Moisi duhet sipas tekstit  të përgjigjet: Planet e mia në të ardhmen janë shumë të thjeshta.

Unë do të vdes….E kështu ndodhi në realitet, pak javë më vonë ai vdiq. Fjalët e fundit ai i foli në skenën e Sanremos më 12 mars 1935, gjatë një turneu në Itali.  Në rolin e Fedja-s tek “Kufoma e gjallë” shfaqja mbyllej me batutën: ….ndjehem shumë mirë… ndjehem me të vërtetë mirë…. e  më pas personazhi mbyt veten…

Në mars 1935 Moisiu vendos të kthehej në Vjenë, ku do të takohej me mikun e tij Stefan Cvajg i cili po përkthente në gjermanisht një komedi, që mbajtësi i çmimit Nobel, i madhi Luigji Pirandelo e kishte shkruar posaçërisht për të. Pritej që të vendosej për zgjedhjen e ansamblit e  fillimin e provave.

 

Natën gjatë udhëtimit në tren, e pushton një temperature e lartë dhe dhimbje gjoksi. Asnjeri nuk ishte në kabinën e tij t’i shuante etjen dhe ta ngrinte nga dyshemeja ku kishte rënë. Vuan shumë deri në mëngjes pa pasur ndihmën e njerëzve në tren, të cilët flinin në atë ore. Me 14 Mars 1935 treni futet në stacionin e Vjenës ku e shoqja e priste.

Ajo kishte me se dy muaj që nuk e kishte parë burrin e dashur. …..Ai po vonohet? Pse nuk po vjen, ai duhej të zbriste tashi….. përse nuk është në mes të udhëtarëve si gjithmonë?…. Seç ka një parandjenjë…dhe ja tek shihen dy punëtorë hekurudhash që mbajnë në krahë Aleksandrin.

Ai dridhej nga dhimbjet dhe ethet. E dërgojnë në hotel duke menduar se ishte vetëm një grip i rëndë. Mjeku  i urgjencës konstaton një ftohje në mushkëri dhe e dërgon me 16 mars në sanatoriumin Cottage, ku specialistet më të mirë të mushkërive, Dr. Bauer dhe Dr. Jagic  përpiqen ta ngrejnë përsëri në këmbë.

Edhe në këtë gjendje ai ka kurajë të ironizoje situatën e vështirë ku gjendej: Kësaj here asht një skenë vdekjeje e keqe, do të zgjasë shume…. I  lutet se shoqes që ta ktheje në hotel. Duke parë situatën e vështirë ajo i ndalon çdo kontakt me fansat dhe gazetarët, të cilët vërshuan aty, me përjashtim të mikut Bassermann dhe shkrimtarit Beer – Hoffmann. Fillon agonia, diagrama e  temperaturës lëvizë si e çmendur. Terwin i gjendet pranë, i lag buzët e thara, i lëmon ballin e djersitur, i mban dorën e lëshuar e të pafuqishme…

Në ditën e shtatë temperatura i lëviz nga 40° në 35 °, i bëjnë një morfinë që t’i lehtësojnë  dhimbjet e mëdha të gjoksit.  Ai vetë, Aleksandri i jep zemër së shoqes, e cila nuk kishte më shprese për jetën e tij. Atë dite më 22 mars 1935 rreth orës 14.00, nen veprimin e morfinës ishte i qetë, por i heshtur dhe i pafuqishëm.

I kërkon së shoqes me shenja, në mënyrë të pakuptueshme diçka për të shkruar. Dora e tij në këto minuta të fundit të jetës arrin me shumë mundim të shkruaj tri fjalë të palexueshme: Liebe….alles Liebe… dhe lëshohet në prehrin e gruas Terwin..

Aleksandër Moisiu vdiq  po atë ditë rreth orës 19.10 minuta. Arkivoli me trupin e tij u dogj në Krematorin e Vjenës i shoqëruar nga muzika Adagio e Beethovenit, luajtur nga dy miqtë e tij, muzikantet e famshëm Bruno Walter (në piano) dhe Alfred Rosé (në violinë).

Ishte hera e parë që në një ceremoni varrimi luhej një pjesë muzikore. Asnjë përfaqësues i Austrisë nuk mori pjesë në Ceremoninë e vdekjes. Sargu me hirin e tij ishte i mbështjellë me flamurin italian dhe ndërsa një grup i vogël nga miqtë dhe familjaret qëndronin në heshtje në kujtim të tij.

Gjatë ceremonisë funebër, aktori me famë Albert Bassermann nxori nga gishti unazën Iffland (4) të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin  e Moisiut të vdekur duke u thënë: ….ty të përket unaza Iffland-it…

Sargu me hirin e Moisiut, Johanna Terwin e varrosi në Tessin të Zvicrës, në varrezën e Morcote-s pranë vilës së tij mbi liqenin e Luganos. Aty gjendet një pllakë mermeri me mbishkrimin Alessandro MOISSI, 1879 – 1935, po në këtë vend (1962) do të varroset  edhe bashkëshortja Terwin.

Dëshiroj të mbyll shkrimin me një thënie të vete Moisiut në verën e vitit 1927, në Wansee të Berlinit në fjalën që mbajti në  varrimin e koleges Agnes Sorma, fjalë të cilat më vonë do të kishin të njëjtën  pasojë edhe për të: AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHE KURRE PUNEN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJE ATE SI një LIBER APO NUK MUNDET të SHIKOJE ATE në KANAVACE  E në GURE…..

Vjenë, 17 shkurt 2013

SHËNIM (3):

Unaza e Ifflandit – unazë e rrethuar me diamante dhe me gdhendjen e portretit të aktorit August Wilhelm Iffland i vdekur më 1814. Është si vlerësim dhe e mban aktori me i mirë në botën e Teatrit – gjermanishtfolës. Bassermann–i e ka mbajt që nga viti 1911 deri në ditën që e vendosi mbi trupin e Moisiut.

*Te gjitha referencat (foto, letra, dokumente, pjesë gazetash) janë marrë në arkivën e Teatrit Kombëtar në Vjenë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com

Jeta e trishtuar e Edgar Alan Poe

Figurë

Edgar Poe është një shkrimtar dhe poet amerikan, ndër më të njohurit dhe më të përkthyerit. I famshëm për poezinë e tij të zezë, të rrethuar nga mjerimi dhe misteri, quhet poeti që krijoi letërsinë kriminalistike dhe atë fantastike shkencore.

Edgar Poe ishte i pari shkrimtar i njohur amerikan, i cili provoi të fitonte jetesën vetëm nëpërmjet shkrimeve të tij, gjë që i solli një jetë dhe një karrierë me shumë vështirësi financiare. Poe cilësohet si një tragjedi e gjallë. Jeta e Poe-s ishte një shtrëngatë e ngjarjeve të pafata, të cilat frymëzuan edhe disa nga shkrimet e tij më gotike, romantike e të errëta.

I lindur në vitin 1809, ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore.

Ndërsa Poe jetonte në familjen birësuese Alen, patriarku Xhon Alen, një tregtar skocez, e nënvlerësonte Poe-n në të gjitha mënyrat emocionale dhe financiare. Ai madje nuk u adoptua kurrë legalisht. Në kohën kur Poe shkonte në shkollë, babai i tij birësues nuk i dha kurrë para të mjaftueshme apo mbështetje dhe shumë shpejt Edgar u detyrua të fillonte kumarin. Edhe pse Xhon Alen kishte trashëguar para të shumta nga xhaxhai i tij, paratë që i çonte Poe-s për veshje ishin të shënuara si borxh. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të Poe-s, ai mori rrugën për t’u bërë një shkrimtar i uritur.

Përpara se Poe të shkonte në shkollë, ai u lidh me një vajzë të quajtur Sara Roister, por kur ai u largua për në Universitetin e Virxhinias, vajza e detyruar nga babai i saj, i cili i shkatërroi dhe të gjitha letrat e Poe-s, u martua me një të pasur. Ata dukeshin të lumtur dhe kishin dy fëmijë, por në vitin 1844 bashkëshorti i Virxhinias vdes, duke i lënë familjes një pasuri prej 100,000 dollarësh me kushtin që gruaja të mos rimartohej.

Gjatë kohës kur babai birësues i Poe-s nuk i kthente asnjë nga letrat që Poe i shkruante, Françeska, nëna birësuese e tij, u sëmur dhe vdiq në vitin 1829. Shkrimtari nuk u lajmërua për këtë fakt dhe as për varrimin. Vdekjen e saj ai e mori vesh rastësisht kur shkoi për vizitë.

Xhon Alen u martua përsëri dhe vazhdoi jetën e tij, duke e shpërfillur plotësisht Poenë. Kur gruaja e tij zbuloi se Alen kishte fëmijë jashtë martesorë, ajo kërkoni që Xhoni ta mohonte djalin. Kështu ndodhi që kur babai i tij jo biologjik vdiq, e gjithë trashëgimia e tij i kaloi fëmijëve të ligjshëm, ku Poe nuk bënte pjesë, pasi nuk ishte birësuar kurrë.

Pasi Poe u mohua nga familja e tij e dytë, ai u përpoq të lidhej me të afërmit e tij të familjes biologjike dhe me vëllanë e tij Henri. Ky i fundit, për fat të keq, kishte vdekur nga problemet me alkoolin. Alkooli ishte një shqetësim dhe i Poe-s, prej të cilit kishte humbur shumë shpesh punën.

Gjatë kohës kur ai u kthye tek të afërmit, dashurohet pas Virxhinias, kushërirës së tij 13-vjeçare. Ata u martuan në mënyrë të fshehtë në Baltimore, duke gënjyer për moshën e vajzës. Poe në atë kohë ishte 26 vjeç dhe ceremoninë e dasmës e bënë pasi shkrimtari arriti të siguronte disa para nga shkrimet e tij. Fatkeqësisht teksa një ditë Virxhinia këndonte dhe luante piano e lumtur, ajo zbuloi se kishte tuberkuloz. Vdiq kohë më pas, duke e lënë Poenë e ri dhe të dëshpëruar.

 

Pas humbjes së Virxhinias, Poe ndihej bosh dhe këtë boshllëk vendosi ta mbushte me alkool dhe femra të tjera. Ai u fejua me poeten Sara Uitman, fejesë që u prish prej teprimit me alkoolin nga ana e Poe-s. Pas kësaj ai i hodhi sytë nga e dashura e tij e shkollës së mesme, me të cilën u fejua, por nuk arriti të martohej, pasi jeta e tij u shua.

Arsyeja e vdekjes së tij nuk dihet, por ka ndikuar për të alkooli, kolera, droga, sëmundjet e zemrës, epilepsia, tuberkulozi dhe faktorë të tjerë. Ai u gjet në rrugët e Baltimores i çmendur dhe i veshur keq, ku një kalimtar e dërgoi në spital, ku edhe vdiq. Fjalët e tij të fundit thuhet se kanë qenë: “Zot, ndihmoje shpirtin tim të varfër!”

Sikur të mos mjaftonte jeta e vuajtur dhe vdekja mizore e Poe-s, rivali i tij në letërsi vazhdoi ta poshtëronte edhe pas vdekjes, për shkak se Poe kishte shkruar disa kritika të ashpra për të. Rivali i tij Rufus Grisuord shkroi nekrologjinë dhe biografinë e parë të Poe-s, të cilat i mbushi me gënjeshtra dhe poshtërime. Ai e quajti atë një pijanec, një të droguar, një feminist dhe një njeri të pamoralshëm, i cili nuk kishte asnjë mik. Biografia e ashpër që rivali i Poe-s i bëri atij, rezultoi se kishte dhe anën e saj pozitive, pasi veprat e Poe-s filluan të shiteshin dhe lexoheshin shumë.

Pavarësia sipas Mustafa Krujës, Sotir Gjikës e Luigj Gurakuqit

Figurë

KUPTIMI I XXVIII NENDORIT PËR DJELMNIN SHQIPTARE (nga Mustafa Kruja)

Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqiprís së Ré” qi do dalë ditën 28 nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e ré” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’âsht në fel me kërcye.Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’âsht dashun t’a lodh mjaft mênden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzí të madhe prej kënduesve të ksaj fletoreje. Ah të kishem qênë dhe un poet, sa m’a kishte ânda me i a çue dikuj zêmrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bâmë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvêndin e Deshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit ! Por mue kët cilsí m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zêmra. Më vjen mâ tepër për dore me i thirrë mêndes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën t’eme kryesisht djelmnís, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë mâ shumë për argumenta qi munt t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e mâ së madhes ditë të historís së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.

Plot 20 vjet para, më 28 – XI – 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.Hân’ e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizondi i atdheut t’onë ; ishte tue lemë dielli i lirís. Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvêndi : flàmur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenshe në mes flàmur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin t’onë mbas katër shekujsh e gjymsë.Atypraty nji zâ i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zêmrash të lame nga çëdo mëkat : rroftë Shqipnija !” Brohorí të padame e lot mallëngjimi….

20 vjet para !

Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishi lemë edhe ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm : “ku janë ata burra qi ngritën për të parët flàmurin kombtar ?” E un ju përgjigjem : mâ mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave t’ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e deshirue këtê me gjithë zêmër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngîmë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i idés e i deshirit qi kan ushqye. Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si lânda qi merr me vete nji lumë për me e lânë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E mâ në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet t’ona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kênd nga deshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se mâ të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsis shqiptare kanë me qênë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tânë shijen e idealit të thjeshtë që ushqeni !

 

Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë bâmë veten flî për t’i a mbërrîmë asaj dite e mâ vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmênden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë deshmuer n’altarin e Atdheut.

“Por, do të më thoni, çfarë deshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnín s’e bânë Shqiptarët por Evropa ?”

Po, kështu thonë përnjimênd ata qi s’kanë çue as nji gisht dore për Shqipnín e lirë ; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekullí” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syvet të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej. E ça me thânë mbandej për nji tjetër kategorí Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bâhej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tâna armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lânë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shêmbun ? E mbasi panë se Shqipnija u bâ, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me bërtitun me sa u punoi zâni : ” rroftë Shqipnija “, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.

Shqipnín e bâni Evropa ashtu si bâni Jugoslavín, Çeko-Slovakín, Polonín, Rumanín e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sà i përket kontinentit t’onë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirín e tyne.

Shqipnín e bâni kombi shqiptar vetë. E bâni forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bâmë ballë me shekuj, si shkâmb graniti, valve mâ të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mângjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe mâ se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helinët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fés të përdorun pa fé shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruen fé, por jo kurrë kombsí. As fuqija magjike e besimit nuk i bâni me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.

Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsín me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsín e tij ; luftoi për lirí.

E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis âsht imponue si bazë e politikës ndërkombtare ? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsín shqiptare.

E si do t’a mohonte Evropa të qênët e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fés së krishtênë i ka dhânë nji Fatos si Skanderbegun e shumë gjak të derdhun për at qytetnim, për at fé e për lirí të vet.

Evropa bâni Shqipnin ? E pse mos me thânë mâ mirë, mâ drejt se Evropa e cungulloi, e përgjysmoi Shqipnin ? Shkëputi pjesët mâ të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë mâ zí se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshrire, jashtë çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në mâ të madhen apathí. Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarvet pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për lirí ; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’idés kombtare.

Dita XXVIII Nânduer âsht pa dyshim mâ e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar âsht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këtê kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zêmër në zín e gjâmën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zêmrat e atyne fatzezve. Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën e ka bâmë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë pa tjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidomos zêmrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.

Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjâje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk âsht burim pasunimi të veçantë, a mâ mirë me thânë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje qi s’e kanë lodhun kurrë mênden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo âsht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumnín e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.Lirija i gjân nji bime delikate qi lyp mâ të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë mâ të mira e mâ të plota. Toka e ksaj bime âsht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u bâ, tash duhet të bâjmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb mâ se nji gjymsë shekulli përpara.

Kjo âsht barra mâ e rândë e mâ e shênjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tânë kombit ndën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmní! “Shqipëria e Ré” Kostancë (Rumani) 1932

Gjashtë vjet pavarësi, XXVIII nëntor, (Nga Sotir Gjika)

Shqiptarët shikuan Europën t’i njihte një nga një në Shtete më vehte popujt e siujdhesës Ballkane, e sicilin prej syresh të rëndojë mbi Shqipëriën, nisën të mendohen thellë dhe përnjimênd për shka i tirej Atdheut të Gjergj Kastriotit. U bindën atbotë se tepër fort qênkshin rrêjtur një palë shqiptarësh që rrëke rrëke e patën derdhur gjakun e kulluar të vetin për lirin e Greqiës ; e u bindën edhe se Tyrqia as deshte me vërtet e as kish se qysh me e pritë mynxyrën që me vrap po turrej kaha lagjet e Dheut t’onë. Duheshin masa të rrepta për me e ndalë rrebeshin. Europa qe mbledhur në Kuvênd në Berlin e, me një çinizmë të padëgjuar, pat dekretue të çkëputeshin nga kurm’i Mëmëdheës e t’i u epshin Shtetevet të rinj të Ballkanit ngasra të tëra fjeshtë shqiptare. Shqiptarët u çuan e ngritën krye forra kundër paudhësiës europjane, tuj lidhë Besë. Qênë burra me fletë, i u paçim faën, të Parët tanë t’asokohe. Nga lëvizja e tyre lindi Lidhja e Prizrenit, të tre vjetët punim të gjallë kombëtar të së cilës kanë me pushtue faqen më të bukur të historiës së Përlindjes Shqiptare. Por athue se fuqia e e drejta shqiptare do t’a çvulosnin dot çka së bashku kishin vulosur në Kuvênd të Berlinit përfaqësonjësit e Europës, t’asaj Europe q’ishte Kali me krahë i të trië Perandorivet oligarqike që patën bërë më të madhin kob kundër qytetërimit, copëtimin ndërmjet të Polloniës ? Jo ! Europa i a shtrëngoi kështu rripat, i a ckërmiti dhëmbët Stambollit pse s’i shtrëngonte Shqiptarët t’i falshin Malit të Zi e kundër qëndresës të papërkulëshme e kreshnike të këtyre të fundit s’u turpërua të dërgojë anijet e saj n’ujërat e Ulqinit e të Tivarit!

Le t’i a lemë tani pakëzë fjalën Poetit q’e këndon me melankonië të trishtimtë por me kryelartësië shqiptari atë ndodhië të zezë :

 

Po n’a thonë se Malit t’Zi

Pjeterburgu i’a dha fjalën

Me hi mbrenda në Shqyptarí

Turbull Drini kû rreh valën ;

E veç m’kâmbë ushtrín ka çue

Ke Cetina Knjaz Nikolla

Malet t’ona me i pushtue

Kû i bân nâna djelmt sokola.

Shqiptarët i dhanë asisoj lëvizjes së tyre karakter ndërkombëtar e brênda e jashtë Shqipëriës i a filluan punës, ashtu sikundër s’kishin bërë pa ngjarë lufta ruse – tyrke. E pemët e veprimit tyre u dukën kur – tek kazani po ziente në Ballkan, që më vonë do të pëlciste me luftën ballkane – tyrke e Shtetet ballkanas, të lidhur ndërmjet sa për të coptuar Shqipëriën, e cila i a pati krreur me pushkë Qeveriës së Stambollit njoftimin e të 14 pikavet të njohura – Austro-Hungaria me Italiën i u duall zot të drejtavet të Kombit shqiptar në Kuvêndin e Londrës (1912-13) dhe prej Kuvêndit krryen ndërtimin e një Shteti shqiptar.

Më 28 Nëntor 1912 shqiptarët, të mbledhur në Vlorë nën kryesië t’Ismail Qemal Beut, ngrinin Flamurin kombëtar e ay shênj i shenjtë që për katërqint e ca vjet e kish shkretuar Vêndin me çdukjen e tija, dijl prap në shesht e, madhështor si qëmoti, fillonte me u tunt n’erë nëpër qytetet, katundet, fushat, malet e kodrat e Arbëriës jetike, tuj përhapë e tuj shtië gazin e shpresën nëpër gjindjet shqiptare. Qe mbushur një mrekullië e historiës. Europa më së fundi bënte, pas aqë kohe, vepër qytetnore.

Por atë çikëzë diell që shkrepi të ngrohë dhe të shkëlzejë lagjet e Shqipëriës, e zuri përnjëherësh reja. Të zeza ditë ka shkuar Vênd’i ynë që kur , pa e gëzuar dot mirë djellin e liriës, nisi të mos i vejë buza më gas. Sido na vate filli, prap flamuri valoi, po valon e do të valojë në Shqipërië.

Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit’e Përlindjes s’onë dhe ndër festat t’ona kombëtare âsht pra m’e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare.

Ne e pritëm, edhe sivjet, këtë ditë të shënuar, me atë brohorië dhe me atë dalldië që fuqia e shpirtit t’onë âsht e zonja të ndjenjë, të mbajtur gjithënjë, nga shpresa e nga besa, që janë për ne hyll’i karvanit se nuk do t’i mungojnë Atdheut ditë të bardha. Rroftë Shqipëria !

KUVENDI Romë, e Enjte, 28 nëntor 1918

 

 

 

 

 

Njëmbëdhjetë vjet pavarësi

DITA 28 NANDUER kujtime e mendime (Nga Luigj Gurakuqi)

Lufta e zgjedhjevet po zien në të katër anët e Shqipnìs, lufta e zgjedhjevet për Kuvendin kushtetues. Prîsat e popullit, udhëheqsit e Shqipnìs së rè, janë ndàm lagje lagje, kanë formuem grupe e partì e, kush me armën e së drejtës në dorë, kush me premtime të rrêjshme, me dredhì e me friksime, po mundohen me tërhekun sa mâ shumë antarë prej vetes, antarë të bindun, antarë mendimesh e idhès, apo me fituem sa mâ tepër miq të ditës e me kaparuem votën e tyne.Populli, populli i mjerë, ai qi vuen e paguen, herë u beson e u shkon mbrapa me bindje këtyne prîsave, herë tërhiqet edhe rrêhet prej tyne. Diku diku, populli hyn në ketë luftë pa marrë vesht akoma qëllimin, pa kuptuem mirë shkakun e saj.

Kuvendi kushtetues, ligja themelore, forma definitive e Shtetit janë fjalë të reja, janë idhè t’errta për tê.Pakë, ndër prîsa e udhëheqës, janë atà qi mundohen t’a zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, qi i thonë kjarisht të vërtetën e qi përpiqen t’a drejtojnë n’udhë të mbarë. Ka, mjerisht, mâ shumë asish qi thonë se, vullneti i popullit nuk do marrë para sysh e qi, ndonsè e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lêhet me u drejtuem vetëm prej atyne, pse atà vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me pregatitun fatbardhësin e tij.

Me gjithë këtê, lufta e zgjedhjevet po bâhet ditë për ditë mâ e ashpër; kundërshtimet e popullit po shtohen; këshillet e dredhìt e prîsavet vijojnë.

Por sot, ndërmjet tymit e trazimit të kësaj lufte, nji rreze drite po na duket për së largu, nji za i mallshëm po ndigjohet, qi rrall na tingëllon në vesh. – Asht agimi, qi sot ka skuqun majet e Kaninës, âsht brohorija e burravet, qi përshëndesin flamurin e ngrehun në Vlonë. Sot âsht festa e Ditës 28 Nânduer 1912!

Edhe atëherë nji luftë tjetër ziente në Shqiprì, por jo si këjo e sotshmja. Ishte luftë e përgjakshme, luftë e shkaktueme prej fqijvet t’anë, qi kërkoshin me fituem fushat e Shqipnìs, me rrëmbyem malet t’ona. Por Zoti premtoi ndryshe, Shqipnija duel më vete.

Andej festa e sotshme. Këjo ditë fatbardhë duhet të jetë nji ditë armëpushimi për nè, ditë qi, na përmendë sa e sa kujtime t’âmbla, qi na qorton e na ep mësime për kohën e ardhëshme.Në ketë ditë na këthejnë në mend kohët e zeza, kohët e mjerueshme t’atdheut, e pësimet e shumta të komit t’ënë nen zgjedhë të huej.Hijet e thata e të mrâjtuna të dëshmorvet tanë, qi dhàn jetën për me na fituem lirìn, na dalin sot përpara e na mësojnë se sa të shtrênjtë duhet t’a kemi atdhèn t’ënë, se si do t’i mprojmë kufijt e làm me gjak prej tyne, se s’do t’i harrojmë kurrë vllaznit e mbetun në robnì.

Por këjo ditë e lume, qi na kujton Kuvendin e Vlonës, kuvend i mbledhun në kohë të rrezikut e qi i hodhi themelin Shtetit t’ënë, na mëson edhe se si do të sillemi në këto zgjedhje, se si do të pregatitemi për Kuvendin e afërm, qi do t’i apë formën e Shtatutin definitiv këtij Shteti. Agimi i kësaj dite duhet të jetë agimi i jetës së rè të popullit shqiptar; rrezet e tija duhet t’i hapin syt këtij populli mâ tepër se këshillet e se premtimet t’ona.Guximi i atij grushti Shqiptarësh qi, tue pasun besim në gjallsìn e popullit, muer vdekën më sy e i u përgjegj, me shpalljen e mëvetesìs s’atdheut, kërcnimit t’anmiqvet qi kishin pushtuem tokët t’ona, duhet t’u vlejë për mësim edhe të gjithë atyne, qi përbuzin vullnetin e popullit, qi ketë popull duen t’a shtrojnë e t’a poshtënojnë me mjetin e paligjshëm të dajakut.Por le t’a dijnë mirë se edhe sot puna do të dalë ndryshe. Tue ndjekun shembullin e burravet të Vlonës e tue u mbështetun në të drejtat, qi i shigurojnë ligjët e Shtetit, jemi shigur se populli shqiptar ka për t’a shfaqun lirisht vullnetin e vet, ka për të vepruem ashtû si t’i a presë mendja, pa frike e pa trembje.

Rroftë Shqipnija e Populli shqiptar! Rroftë Dita 28 Nânduer!

“ORA E MALEVE” Shkodër, e Merrkuere, 28 Nanduer 1923

 (ad.ti/shqiptarja.com)

 

 

 

 

 

 

 

 

Kombi është akt besimi

Nga Ndue Ukaj

Çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të jesh shqiptar?

Një shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin, por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit, Jorge Luis Borgesi, te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.

Ajo më pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?

-Nuk e di, -iu përgjigj. –Është një akt besimi.

Kombi është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi, bashkohen rreth idealeve të veta, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij, (që është traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.

Nga kjo që thamë, del se kombin e ushqejnë marrëdhëniet e brendshme strukturore, që janë të fuqizuara sidomos nga kultura dhe gjuha, si shtyllat fundamentale mbi të cilat ngrihet dhe mbahet kombi. Këto elemente fundamentale, krijojnë heronjtë e një kombi, figurat eminente dhe etërit e tij, tek të cilat besojnë pjesëtarët e kombit, sidomos në çaste të vështira. Në këtë mënyrë, krijohet ndjenja e besimit dhe kështu kombi bëhet një akt besimi që vetvetiu i shuan dallimet e mundshme brenda vetes.

Për shqiptarët, kombi a është akt besimi?  Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët përgjigje unike për këto pyetje esenciale?

Po ta kërkonim një përgjigje në këtë pyetje, ajo do të varionte dhe do të varej nga kategorizimet që ekzistojnë brenda kombit. Kohezioni i brendshëm, te ne është prekur pikërisht në kohën kur shqiptarët jetojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kontekst,  përgjigjen sigurisht s’e jep të njëjtë ai që e ndjen veten brenda identitetit europian të shqiptarëve, në raport me atë që s’e ndjen. Për më tepër, kjo përgjigje vjen e komplikohet, nëse merren për bazë figurat kryesore kombëtare, etërit e kombit, rreth të cilëve kohëve të fundit janë shfaqur jo pak dallime. Këto dallesa, shpeshherë ngrehin pikëpyetje sfiduese para shqiptarëve. E një nga ato sigurisht është edhe pyetja, nëse është kombi ynë, një akt besimi, rreth të cilit ne ushqejmë ndjenjat e përbashkëta të përkatësisë apo kombi është një arenë ku ne vringëllojmë shpatat e ndarjeve?

Këto pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’ kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe edukatorët e këtij kombi. Këto dilema, vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese, sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar. Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te disa pseudo intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta qeveritare.

Debatet për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare. Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë Terezës. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por administruese.

Rihapja e këtyre temave, edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga mendjet më të mbrehta, Ismail Kadare ka shkruar një libër testamentar, “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme e ve shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të ardhmen.

Derisa të krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.

Historia s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.

Andaj, është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.

Realitet e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda nesh.

Do te ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale, psh. të  mendohet,  se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.

Nga këto përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje përfundimtare këtyre dilemave të makthshme.  Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja, për t’u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.

Ma shumë se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.

 

Empiria na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.

Faik Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se “…është nevoja t’i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i Shqipërisë”. Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot.

Shqiptarëve ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton agoninë tone te gjatë.

Përcaktimi kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e gjer me sot.  Devijimet neper kohë kanë qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese, por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.

SALIH MEHMETI: SCHMITT – NJË RRËFIM PËR NJË POST-MODERNIST

Figurë

 (…οὕτως ἐξ ἱστορίας ἀναιρεθείσης τῆς ἀληθείας τὸ καταλειπόμενον αὐτῆς ἀνωφελὲς γίνεται διήγημα. – ….nëse historisë i hiqet e vërteta, ajo mbetet bosh, një rrëfenjë e kotë. Polibi, Historia, 1.14.6) – Tash së fundi doli në shqip libri i Oliver Jens Schmitt ‘Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’ nga kompania ‘KOHA’, e njohur për botime të cilat vetëm sa rrisin inflacionin e librave me agjendë të caktuar. Buja mediale që i jepet si zakonisht historianit 39 vjeçar nga Austria është në përpjestim të zhdrejtë me cilësinë e publikimeve të tij. Përtej vernikut mediatik, librin ‘Kosova…’ e përshkon një përqasje e skajshme post-moderniste e të rrëfyerit historik. Me fjalë të tjera, ajo është veçse një mëtim arrogant se gjoja nuk ekziston një e vërtetë e vetme por disa sosh, të cilat ballafaqohen përhershëm nga interpretime shemra.

Në një përsiatje të shkëlqyer mbi po këtë problem, historiania amerikane Mary R. Lefkowitz nënvizon se ithtarët e post-modernizmit besojnë se asnjë rrëfim historik nuk mund të konsiderohet autoritativ, sepse studiuesit prore kanë motive politike, pavarësisht nëse janë ose jo të vetëdijshëm për to. Post-modernistët, me fjalë të tjera, besojnë se nuk mund të ketë objektivitet për asgjë. Sipas tyre, çdo pretendim është i dyshimtë, veçmas kur është i pranuar përgjithësisht si i njëmendët. Motivet e secilit historian duhet të qëmtohen, përveç atyre të post-modernistëve. Në format e tij më të skajshme, post-modernizmi mbështet idenë se faktet nuk janë asgjë tjetër përveç opinione, se objektiviteti i njëmendët është i pamundshëm, se nuk ka një të vërtetë por vetëm një mendim mbizotërues, ose një konsensus mbizotërues, në ndonjërën nga fushat e shkencës. Me një kritikë të ngjashme shigjeton edhe Noam Çomski, sipas të cilit post-modernizmi është i pakuptimtë sepse nuk i shton asgjë dijës empirike ose asaj analitike. Zaten, përqasja post-moderniste e Schmitt-it ngre qindra pikëpyetje, të cilave rrallëherë qëllon t’u japë përgjigje.

Oliver Jens Schmitt

Së këndejmi, dekonstruktimi që përvijon ky historian nuk ofron ndonjë version alternativ, që do të rindërtonte kënaqshëm kuadrin e së kaluarës së Kosovës. Libri ‘Kosova…’ gëlon nga lajthime trashanike, të bëra herë nga njëanshmëria e tij, e herë nga burimet e përcipta në të cilat mbështetet. Lajthimet e tjera metodologjike burojnë nga fakti që Schmitt-i është veçse një rishtar në shumë prej fushave të cilat gjakon t’i mbarështrojë. Leximi i rrëfimit të tij vështirësohet pamasë nga cilësia e dobët e përkthimit, i sipërmarrë nga Enver Robelli, që t’i acaron nervat nga gabimet e njëpasnjëshme ortografike. Për hir të së vërtetës, Schmitt teksa zhdrivillon historinë e Kosovës ndër vite, sipërfaq aty-këtu edhe pohime e interpretime korrekte, sidomos për mesjetën dhe falsitetin e disa pretendimeve serbe në lidhje me të ashtuquajturat emigrime masive.

Vetëdija etno-nacionale

Në zemër të interpretimeve revizioniste të Schmitt-it qëndrojnë përqasjet e reja moderniste, të cilat identitetin dhe vetëdijen etnike e kombëtare e shohin si zhvillim të vonë, kryesisht të injektuar nga elita të ngushta politike, etnike apo fetare. Duke përvijuar modelin konstrukstionist të identiteteve etnike e kombëtare, Schmitt i mëshon asaj që shqiptarët patën një zhvillim të vonuar të vetëdijes etnike, e rrjedhimisht edhe asaj kombëtare. Pasojisht, ai në mënyrë ad naseum e përdor termin ‘shqipfolës’ në vend të atij ‘shqiptar’, teksa përshkruan shqiptarët në kontekste të ndryshme kohore. Një formulim si ky (të cilin e përdor 42 herë në libër) ka nëntekstin se shqiptarët në të shumtën e herave paskëshin qenë sall një kategori linguistike, pa një vertebër etnike.

 

Historani austriak ka vetëm një ide të vagullt mbi çfarësinë e identitetit etnik, ngase përdor premisa të gabuara, të cilat s’pëlqehen aspak me realitetet historike. David Anthony në një përsiatje të gjithanshme mbi shoqëritë indo-evropiane, vërën në një rast se: “Politikat kundërshtuese kristalizojnë kush nuk jemi ne, megjithëse nuk jemi të sigurt kush jemi ne, dhe kësisoj luajnë një rol të dorës së parë në përkufizimin e identiteteve etnike” (The Horse, The Wheel, & Language: How Bronze-Age Riders from the Eurasian Steppes Shaped the Modern World, 2009, f.114).

Siç pikas me plotë të drejtë, lingusti i shquar italian, Guliano Bonfante, ndodh shpeshherë që një popull nuk i jep vetës një emër të caktuar. “Shpjegimi nuk është i vështirë – nënvizon Bonfante – përbashkësia e një populli ndjehet më tepër nga një i huaj sesa nga elementet e popullit vetë”. Një gjerman i ndjen mjaft fuqishëm veçanësitë regjionale të një bavariani, saksoni apo reniani, të cilat një i huaj rrallë i vëren. Në të njëjtën mënyrë, një italian shpesh e ndjen vetën mbi të gjitha si sicilian, milanez, venecian, napolitan, etj, kurse për një anglez ai është vetëm një ‘italian’ dhe asgjë tjetër. (G. Bonfante ‘The Name of the Phoenicians’ në Classical Philology, Vol. No. 1 (1941), p.10).

Arnavud kavim

Nëse trendi i studimeve moderniste vë theksin në rëndësinë e ndjesimeve subjektive të një grupi etnik (më tepër sesa në elementet kulturore e gjenetike), atëherë paradigma e Max Veberit meriton të përmendet gjatë trajtesave që qendërzohen rreth identitetit kombëtar të shqiptarëve. Sipas tij, etniciteti është shuma e asaj sesi e ndjeson vetën një bashkësi e caktuar, dhe si ndjesohet nga të tjerët po kjo bashkësi. Vëzhguesit perëndimor të shek. XIX, të cilët i ranë tërthoreve të Shqipërisë në tërë shtrirjen e saj klasike (prej Gjirit të Kotorrit deri në Korinth; prej Pindit gjer në Vardar e Moravë), patën rastin të njohin për së afërmi mendësinë dhe idiosinkracinë e shqiptarëve të kohës. Njoftimet e George Finlay, John Hobhouse, Charles Eliot e plot të tjerë, dallonin thekshëm ndjenjën e zbehtë fetare ndër shqiptarë, që ua lejonte atyre zhvillimin e një ndjenje të përbashkësisë, duke u leçitë nga të tjerët. Një element krejt i shpërfillur është fakti sesi ndjesoheshin shqiptarët nga autoritetet perandorake të Stambollit. Administrata osmane në të shumtën e kohës gjatë ndarjes së popujve vartës përdorte matricën fetare, me ç’rast shumica e popujve ortodoks të Ballkanit cilësoheshin formalisht si pjesë e miletit ortodoks, duke mos honepsur dallesat e thekshme gjuhësore midis tyre. Por këtu nxjerr krye një përjashtim i rëndësishëm e fort kuptimplotë. Siç vëren Charles Elliot, osmanët i ndjesonin si të njëjtë arnautët, qofshin ata muslimanë apo të krishterë (“Arnavud kavmi”). Ky element thelbësor nuk duhet të kalojë në heshtje, siç provon të bëjë Schmitt.

Shpikja e identitetit religjioz

Duke përdorur dendësisht cilësimin ‘musliman’ për çdo lëvizje politike e shoqërore në Kosovën e shekujve XIX dhe XX, ai jep një përshtypje të gënjeshtërt sikur këto tërthore të Perandorisë Osmane ishin amshueshmënisht të gozhduara në qerthujt e konservatorizmit dhe fanatizmit fetar. Në fq. 147, Schmit rreket të sqarojë se gjoja muslimanët shqiptarë i paskan shkëputur lidhjet me bashkëbesimtarët e tyre boshnjakë, vetëm kur këta të fundit me yshtjen e Serbisë u përpoqën të imponoheshin nëpër xhamitë e Kosovës. Ky pohim i thënë kuturu përgënjeshtrohet jo vetëm nga fakti që një “simbiozë e ngushtë” (po të përdorim termin e Schmitt-it) nuk ka ekzistuar asnjëherë, por edhe nga fakti tjetër që krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit hodhën poshtë prerazi rekomandimin e Stambollit për të luftuar në mbrojtje të Vilajetit të Bosnjës, i cili rrezikohej të gllabërohej nga Perandoria austro-hungareze. Krerë të rëndësishëm të Lidhjes, si Ali Pashë Gucia vendosmërisht kundërshtuan një gjë të tillë, duke këmbëngulur që formacionet ushtarake të Lidhjes të përdoreshin vetëm e vetëm për mbrojtjen e trevave gjeografike, në të cilat shquhej shumica shqiptare. Gazeta “Journal de Debat”, duke bërë fjalë për Lidhjen që kanë bërë shqiptarët, shkruante: “Ndërmjet kryengritjes së boshnjakëve dhe asaj të shqiptarëve ka një ndryshim: boshnjakët janë nxitur kryesisht nga fanatizmi fetar, kurse shqiptarët janë të mveshur nga ndjenja e kombësisë dhe nga sedra kombëtare pa kurrfarë fanatizmi fetar”. (Terxhuman-i Shark, viti I, 133, 29.8 (10.9), 1878, f.3).

Një studiues objektiv britanik si Noel Malcolm në librin e tij ‘Bosnia, a short history’ nuk përmend asnjë përpjekje të shqiptarëve për t’u implikuar në mbrojtjen e Vilajetit të Bosnjës në emër të motiveve fetare apo të lojalitetit perandorak. E nëse ka ekzistuar një “simbiozë e ngushtë”, ajo është thjeshtësisht politike dhe aspak fetare. Padyshim që Sami Frashëri jep përgjigjen më bindëse kur thotë se: “interesat e përbashkëta të myslimanëve të Bosnjës dhe të shqiptarëve i lidhin me serbët e malazeztë, të cilët që moti janë dushmanë të tyre…”(Terxhuman-i Shark,viti I, nr.109, 4 (16) gusht 1878, f.1-2).

Dardanët – përtej sterotipeve

Një nga pohimet më kundërthënëse me të cilat hapet libri është përshkrimi i përciptë që autori u bën fisit ilir të dardanëve, banorëve të kryehershëm të Kosovës. Sipas tij “Gjeografët antikë dhe historianët i përshkruajnë dardanët me vokabularin tipik të barbarëve: thuhej se janë të panjerëzishëm, të egër, por edhe trima dhe kryengritës” (fq.35). Schmitt nuk bën as rropatjen më të vogël për të depërtuar përtej paragjykimeve të autorëve grekë e romakë, të cilët qëllimshëm i demonizonin dardanët sikur gjithë fiset e tjera jashtë orbitës kulturore greko-romake. Burimi i krejt paragjykimeve të tilla i detyrohet faktit se shumë prej autorëve të moçëm kishin veçse një rravgim mbi botën e stërmadhe ilire e thrake ose shfrytëzonin thashetheme malicioze të kohës. Duke u nisur nga një fragment i gjeografit grek, Strabo, dardanët nga disa janë menduar si një popull i papastër e pa kulturë higjienike, i cili rronte në banesa të rrëmihura nën pleh.

Një paragjykim i tillë, prodhim i pastër i imagjinatës greke, ka marrë përgjigje të kënaqshme nga ilirologët ndërkombëtarë. Kësisoj, Aleksandër Stipçeviq beson se papastërtia tek dardanët “nuk ka pasur lidhje me shprehitë higjienike të dardanëve, por aty është fjala për larjet rituale, të cilat hasen te shumë popuj të tjerë” (A.Stipçeviç, Ilirët, Rilindja 1980, f.90). ). Edhe studiuesi anglez, Franklin Walbank është i prirur të besojë se kjo “mënyrë jetese vështirë t’u përshtatet pronarëve të pasur të skllevërve ose shërbyesve” (Walbank “Iliria e Jugut në shekujt III-II p.e.s në Studime Ilire I, Rilindja 1978, f.302). Por në të njëjtin fragment të gjeografit grek ekziston edhe një dromcë befasuese, e cila flet për shijet subtile të dardanëve rreth muzikës (teksti origjinal në greqisht jep këtë: μουσικῆς δ’ ὅμως ἐπεμελήθησαν ἀεὶ χρώμενοι καὶ αὐλοῖς καὶ τοῖς ἐντατοῖς ὀργάνοις. οὗτοι μὲν οὖν ἐν τῇ μεσογαίᾳ).

Më afër vërtetësisë qëndron pikëpamja në bazë të të cilës dardanët për një kohë të gjatë patën një formacion të mirëfilltë shtetëror, i cili i kundër-qëndronte thuajse barabartësisht shtetit maqedonas, më të cilin kishte fërkime të vazhdueshme. Ekzistenca e një ushtrie të mirë-organizuar (Diodori), klasa skllavo-pronare e fuqishme si dhe politika energjike e mbretërve dardanë përligj hamendësimin se dardanët kishin një jetë aktive politike, e cila nënkupton një sistem të përparuar shtetëror për kohën. Këto hollësi qëllimshëm lihen anash nga Schmitt, i cili synon shestimin e një paradigme se treva e Kosovës në mënyrë të përhershme, organizimin politik ia detyron forcave të jashtme (Perandorisë Romake-Bizantine, serbe dhe së fundmi asaj osmane).

Lajthime banale

 

Pena e Schmitt-it rrëshqet në gabime trashanike, veçmas në periudhën e mesjetës. Një rast eklatant është interpretimi i tij mbi betejën apokaliptike të nëntorit të vitit 1448, ku Skënderbeu nuk arriti t’i bashkëngjitej hunagerezëve të Huniadit. Schmitti në mënyrë krejt paushalle thotë se “Skënderbeu ishte kurthuar në zënka të vogla në Shqipërinë e Veriut dhe ishte vonuar të mbërrinte në lindje” (fq.46). Ky lajthim grotesk duket se ia kalon edhe atij të historianit rumun Radu Florescu, i cili pretendonte se Skënderbeu ishte burgosur nga Gjergj Brankoviqi (sic!). Por burime të besueshme nuk lënë shteg për dyshim: Skënderbeu u vonua jo pse kishte zënka në veri të Shqipërisë, por pse Brankoviqi për t’i trashur lidhjet e tij me Sulltanin, e kishte penguar Skëndërbeun që të kalonte mespërmes zotërimeve të tij feudale, që përfshinin një pjesë të mirë të Kosovës së sotme. Duke i zënë grykat kryesore të kalimeve, Brankoviqi pengoi ushtrinë e Skënderbeut që t’i dilte në krah Janosh Huniadit, trupat e të cilit pothuajse u asgjësuan nga një sulm i stuhishëm osman. Në vazhdim Skëndërbeu “që të mos mbetej fare pa u hakmarrë… dhe pa e marrë hakun me ndonjë farë veprimi për pabesinë e Gjergjit (Brakonviqit – shën. imi S.M), u lëshua me një herë kundër visevet armike të Dhespotit bashkë me ushtrinë e vet të mënishme dhe, pasi i plaçkiti gjerësisht, u vuri zjarrin dhe i shkatërroi me shpatë an’e mbanë” (Marlin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skenderbeut, Tiranë 1964, f.124).

Një interpretim i tillë pranohet edhe nga njohësi i thekur i historisë osmane, Donald Edgar Pitcher, i cili pohon se Brankoviqi luajti një rol në fitoren e Sulltanit në vitin 1448 (An Historical Geography of the Ottoman Empire from the Earliest Times to the End of the Sixteenth Century (Leiden: Brill, 1972), f.71). Një pasaktësi e panevojshme e Schmitt-it është supozimi i tij se nëna e Skënderbeut ishte nga dera e Brankoviqëve të Pollogut (fq.46). Ky hamendësim orvatet që përmes disa dromcave të hapërdara të sajojë praninë e Brankoviqëve në tërthoret e Pollogut. Historiani austriak nuk e peshon në kandarin e gjykimit faktin përmbajtësor, të nënvizuar sa e sa herë nga Marin Barleti, se treva e Dibrës së Poshtme (pra ultësira e Pollogut) gjer në afërsi të Shkupit banohej nga arbërit. Një traditë e rrënjosur që nga kronika e Gjon Muzakës e këtej lë të nënkuptohet se Vojsava ishte nga dera e fisme e Muzakajve. Në të mirë të këtij supozimi shërben fakti se Muzakajt përmenden në këto anë mjaft dendur gjatë përplasjeve të tyre të përgjakshme me sundimtarin serb të Prilepit, Krajleviç Marko.

Beteja e Kosovës

Një mangësi tjetër e Schmitt-it është trajtimi i përciptë i Betejës së Kosovës (fq.44). Ai nuk zë n’gojë aspak pjesëmarrjen e numërt të shqiptarëve, madje as të hungarezëve, vllehve, bullgarëve, etj. Duke qëmtuar ngjarjet që i paraprinë kësaj beteje të sertë, Schmitt në mënyrë fort paragjykuese sikur u lë fajësinë shqiptarëve dhe ‘vasalitetit’ të tyre ndaj osmanëve (në libër apostrofon luftën e Gjergj Balshës II, të ndihmuar nga trupat osmane, kundër mbretit boshnjak, Tvërtko). Për të mos i hyrë në hak të vërtetës, Schmitt do të duhej të ndriçonte faktin se përparimi osman në Ballkan u mundësua jo pak nga sundimtarët serbë, të cilët nuk shqiteshin nga mendësia partikulariste e interesave feudale. Madje edhe në apogjeun e fuqive të tij perandorake, Car Dushani i ofroi bijën e tij për martesë sundimtarit osman, Orhan. (Encyclopedia of the Ottoman Empire, Gábor Ágoston and Bruce Masters, 2009, f.517).

Vëllazëria Musiq

Një gabim tjetër i Schmitt-it është se ai e merr si të mirëqenë përkatësinë serbe të familjes fisnike të Musiqve (fq.41), të cilët sunduan në veri të Kosovës, në hapësirat prej Rashkës gjer në Kopaonik. Përderisa asnjë burim i shkruar nuk sugjeron origjinën e tyre serbe, historiani gjerman, Felix Kanitz përpiqej t’i nxirrte ata nga dera bujare e Musatëve të Molldavisë (1914: 142). Por përkime të forta kronologjike e një sërë faktesh të tjera i japin të drejtë supozimit se i pari i kësaj familjeje (çelnik Musa) ishte vetë Musa Arbanasi, personazhi i kudondodhur i rapsodive kalorsiake serbe.

Epiri në statistika

Duke prekur krejt përciptazi çështjen e popullsisë shqiptare që jetonte jashtë kufijve të shtetit shqiptar, historiani post-modernist austriak shprehet se “…popullsia shqiptare jo gjithkund ishte shumicë, për më tepër në shumë vende ishte pakicë sidomos në pjesën jugore të Epirit, i cili sot i takon Greqisë” (fq.141). Ka mjaft të ngjarë që Schmitt të jetë dorëzuar përballë një mali të tërë statistikash e njoftimesh mbi përbërjen etnike të Epirit jugor, të cilat dokumentojnë shumicën shqiptare. Të përputhshme me këto raportime janë edhe statistikat osmane, për të cilat edhe vetë akademiku grek, Michael B. Sakellariou, është i shtrënguar të pranojë se ato flasin për një shumicë të dukshme të shqiptarëve ndaj popullsisë e cila deklarohej si greke në Epir (shih ‘Epirus, 4000 years of Greek history and civilization’, Ekdotikē Athēnōn, 1997, f. 356). Për t’i zhdavaritë pikëpyetjet e tij, Schmitt-it i rekomandohet detyrimisht leximi i librit të K. Myrtilos – Apostolides Ὁ Στενίμαχος, (Athinë), në të cilën precizohet se: “…epirotët shpeshherë janë quajtur shqiptarë, ngase ata flisnin shqipen’ (1929: 34). Një përmasë tjetër e shqiptarësisë së Epirit është se viset më në jug të Gjirit të Artës, duke përfshirë krejt Akarnaninë cilësoheshin gjer vonë si shqiptare, ashtu siç kumtojnë Pouqueville, Hobhouse, Faverial dhe Reclus.

Kishat ortodokse, përpjekje për ri-interpretim

Duke komentuar përpjekjet e disa studiuesve shqiptarë të cilët thonë se kishat ortodokse janë ndërtuar nga shqiptarët katolikë gjatë shekullit të 14-të, Schmitt pa menduar dy herë i bjen mohit duke thënë se “ky ri-interpretim…nuk ka bazë shkencore” (f.283). Një gjykim kaq i cektë nuk i jep përgjigje faktit që në disa prej manastireve kryesore ortodokse në vendin tonë, enterieri shquhet për një ikonografi të begatë e cila ka përjetësuar elemente të botës shqiptare, të cilat më tepër duhen parë si një reflektim i përbërjes etnike të ortodoksëve që vizitonin këta tempuj.

Kosova Lindore

Një nga paragrafët më skandaloz të librit është vlerësimi i Schmitt-it për kryengritjen shqiptare të vitit 2000 në Kosovën Lindore, të cilën ai e trajton në kapitullin me titull paragjykues “Eksportimi i ekstremizmit shqiptaro-kosovar” (fq.270). Në faqen vijuese, ai thotë se kryengritja në këto anë u cyt nga luftëtarët e demobilizuar të UÇK-së. Ndonëse post-modernisti austriak u premton lexuesve se libri i tij “synon të ofrojë një vështrim analitik të historisë së një treve qendrore ballkanike, të shpjegojë dhe më pak të rrëfejë” (fq.15), autori me vetëdije ose jo përdor standarde të dyfishta vlerësimi sepse nuk trajton problemin e Kosovës Lindore në thellësinë historike për t’i gjetur fillin. Ai nuk komenton fare mbajtjen e plebishitit gjithë-popullor të shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me 1 dhe 2 mars 1992, të cilët në mënyrë të njëzëshme u shprehën për bashkim me Kosovën. Pra, lufta e vitit 2000 nuk është eksportuar nga “ekstremistët shqiptarë”, por është rezultat i agresionit të Beogradit për të mos honepsur vullnetin politik të shqiptarëve.