Shumë angazhime, pak kohë si të vendosim “rregull” në jetë

Fiksimi për të bërë sa më shumë gjëra gjatë ditës na shtyn që t’i shkruajmë gjithandej: në axhendë, në kalendarë, në celularë, apo në tavolinën e punës. Na ndihmon të qartësojmë kaosin, të çlirojmë mendjen

I shkruajmë në axhendë, në ditarë, në kalendarin e varur në mur, i shkruajmë në telefon, i ngjisim në frigorifer, kompjuter, televizor. Por pavarësisht kësaj nuk i përfundojmë kurrë të gjitha. Çdo ditë fshijmë disa prej tyre për të shtuar disa të tjera. Të paguash gjobën, të shkosh te dentisti, të prenotosh në restorant, t’i dërgosh mamasë urimet e ditëlindjes, të çosh fëmijët në shkollë, apo në orën e sportit: jemi të gjithë nën presionin e gjërave që duhet të bëjmë. Shkruaj dhe fshij, shkruaj dhe fshij, t’i gjesh fundin është shumë e vështirë. Sipas një studimi britanik, çdo të hënë janë mesatarisht rreth 150 gjëra të reja në horizont. Përse e bëjmë? A na duhet? A ekziston një metodë për të shkruar listën e preferuar? Manualë dhe ekspertë të ndryshëm prej kohësh po përpiqen t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Të përgatisësh listën e gjërave që ke për të bërë, tregon psikologu Roy Baumeister, autori i një libri të fundit për këtë temë, lidhet me një nevojë të dukshme njerëzore: përpiqemi të vendosim pak rregull në kaosin e jetës, e cila është bërë më e shpejtë, më frenetike, më stresante në këto dekadat e fundit. Por lista, tregon eksperti, nuk lidhet me sigurinë se do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi shkruar në letër, por për të qetësuar mendjen dhe për t’u ndier më të lehtë. Kështu të shkruash angazhimet, takimet, gjërat e ditës apo të javës, çliron mendjen për t’u dedikuar aktiviteteve të tjera më urgjente dhe të rëndësishme, si studimi për një provim, të bësh mirë punën, të zhvillosh kreativitetin. Ndërgjegjja se kemi shkruar diçka e duhet ta bëjmë patjetër, lidhet me ndjenjën e fajit, për faktin se e kemi shtyrë shumë herë. Libri i Baumeister, “Getting things done”, një tjetër guidë për këtë temë, na jep udhëzimet për të hartuar listën perfekte. Ajo duhet të ketë të gjitha gjërat që duhen bërë, nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të rëndësishmet, nga privatet tek ato profesionalet: të jesh sa më specifike që është e mundur, të jesh realiste, sepse askush nuk mund të presë t’i bëjë të gjitha brenda ditës dhe të ndjekësh rregullin e “2 minutëshit”. Nëse këto mjaftojnë për të bërë diçka, atëherë bëjë menjëherë, përndryshe shto diçka tjetër në listë. Studimi i “listës së detyrave” është diçka shumë serioze, ajo lindi nga zemërimi i supermenaxherëve gjithmonë e më të angazhuar dhe gjithmonë nën presionin e kohës, që e shohin çdo ditë tavolinën e tyre të punës të mbushur plot me gjërat që duhen bërë. Një studim i Universitetit të Berlinit e quan “Efekti Zeigarnik”, në emër të shkencëtarit që e ka krijuar. Mendja njerëzore funksionon ndryshe kur një punë duhet mbaruar, dhe ndryshe ndaj diçkaje që nuk është përmbyllur. Nëse ke akumuluar shumë punë që nuk i ke bërë, truri mbetet i paralizuar, por gjithmonë na jep shenja se duhen bërë, ndoshta më vonë. Ai na lejon t’i harrojmë përkohësisht, duke i “strehuar” në një rajon të veçantë të trurit, për të na i kthyer herë pas here deri sa t’i mbarojmë të gjitha ato që kishim për të bërë. Është e sigurt se të gjithë njerëzit, pavarësisht mënyrave, bëjnë lista apo mbajnë shënime mbi atë çka duhet të bëjnë në një ditë, në një muaj, apo në një vit. Vitin e kaluar doli në ankand një listë e bërë nga John Lennon, me disa pika shumë banale, si për shembull “blerja e marmelatës, thirrja e hidraulikut, apo rikthimi i një libri të marrë borxh”. Sepse ishte me të vërtetë i ngarkuar duke shkruar “Imagine” dhe nuk mund t’i mbante mend të gjitha ato që duhej të bënte. Në fund të fundit, thekson “Times”, edhe bibla hapet me një sërë gjërash që duhen bërë. Dhe në fund një frymëmarrje lehtësimi, për atë që bëmë, sigurisht me ndihmën e listës dhe pikave të shënuara në të.

Advertisements

Shko aty ku të çojnë rrahjet e zemrës

Bëj zgjedhjen e duhur

“Dëgjimi” i zemrës mund të na ndihmojë vërtet të mos gabojmë në jetë

Ndoshta këngët që na ftojnë të dëgjojmë zemrën tonë mund të kenë më shumë kuptim nga ç’mund ta imagjinojmë. Kështu shkruhet në raportin e një studimi të ri, që është publikuar edhe në numrin e muajit dhjetor në revistën “Psychological Science”. Subjektet që ishin më të vetëdijshëm për rrahjet e zemrës së tyre, i besonin më lehtë instinktit për të marrë mendime dhe në pjesën më të madhe të rasteve kjo sjellje rezultonte pozitive. Studiuesit e Universitetit të Kambrixhit, Barnaby Dunn, dhe kolegët e tij kanë marrë në studim 28 subjekte, të cilët do të luanin një ndeshje virtuale, ku mund të fitoheshin para duke zgjedhur një letër prej një grumbulli letrash. Qëllimi i lojës ishte gjetja nëse letra e tërhequr kishte të njëjtën ngjyrë me ato mbi tavolinë. Në fakt loja ishte e manipuluar dhe kishte gjasa që të fitoje sa herë të merrje një letër mbi tavolinë. Pavarësisht asaj që mund të zgjidhnin pjesëmarrësit, zgjedhja ishte korrekte në 60 për qind të rasteve, duke tërhequr një letër nga dy grupet si A ashtu edhe B. Ndërkohë që përqindja ulej në 40% kur tërhiqje një letër nga grupi C ose D.

“Në lojë mund të bëje zgjedhje të mira dhe të këqija. Kur merren vendime të gabuara, trupi jep një shenjë alarmi: shtohen rrahjet e zemrës”, shpjegon Dunn.

Instinkti? Avantazhet dhe dizavantazhet

Një studim tjetër i kryer nga Universiteti i Iovas kishte treguar se subjektet të cilët kishin marrë pjesë në një lojë të ngjashme me më shumë se gjysmat e letrave të trukuara fillonin t’i shmangnin “zgjedhjet e gabuara” para se të ndërgjegjësoheshin, apo sapo pëllëmbët e duarve fillonin t’u djersinin. Në eksperimentin e ri, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve në lojë të numëronin rrahjet e tyre të zemrës. “Nuk donim që të preknin pulsin me gishta, prandaj u kërkuam që të vinin në përdorim orët për të kontrolluar rrahjet”, tregon profesor Dunn. “Pjesa më e madhe e njerëzve thotë se nuk e ka idenë e frekuencës së rrahjeve të zemrës së tij, por në fund të gjithë arrijnë t’i numërojnë pa asnjë problem”. Eksperimenti tregoi se subjektet që arrijnë të numërojnë rrahjet e zemrës së tyre, e kuptojnë më mirë se cila është zgjedhja ideale që duhet të bëjnë, edhe pse ndoshta nuk janë 100 për qind të bindur. Subjektet e analizuara pohuan se nuk ishin në dijeni se një pjesë e letrave ishin të trukuara, madje as atëherë kur kishin zgjedhur dhjetë herë nga një letër: pavarësisht kësaj, sjellja e tyre tregonte se edhe pse nuk e dinin hilen e kishin nuhatur diçka të tillë. Një e katërta e subjekteve të përfshirë në eksperiment është “tradhtuar” nga sinjalet e dërguara prej trupit të tyre: “Ata individë ishin vërtet të stresuar”, tregon Dann.

Te këta subjekte, rrahjet e zemrës shtoheshin kur këta persona gjendjesh përballë një zgjedhjeje të mirë. Mes këtyre, lojtarët që ishin më të kujdesshëm në regjistrimin e rrahjeve të tyre të zemrës, vonoheshin në zgjedhjet e tyre, pavarësisht se ishin të vetëdijshëm për gjithçka. Kështu edhe intuita, si çdo gjë tjetër ka avantazhet dhe dizavantazhet e saj. “Njerëzit duhet të mësojnë t’u besojnë instinkteve të tyre, sepse vetëm atëherë do ta kuptojnë se arrijnë të marrin vendime të mira në momentet e vështira të jetës”, pohon autori i studimit. Kush është i vetëdijshëm për rrahjet e zemrës, ndoshta bën mirë t’i besojë intuitës kur bën një zgjedhje.

Pesë mijë hapa në ditë për të mbajtur trupin në formë

Ecja i bën mirë edhe portofolit. Jeta sedentare shkakton vdekjen e 600 mijë njerëzve në vit në Europë

Pesë mijë hapa. Kjo është distanca, e barabartë me 3 kilometra, që secili prej nesh duhet të përshkojë çdo ditë për të qenë në formë. Këtë e thekson edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rreshtuar dëmet e të ndenjurit pasiv në kontinentin e vjetër (Europë). Ecja nuk i bën mirë vetëm shëndetit, por edhe portofolit. Duke e lënë makinën në garazh mund të kursehen rreth 700 euro në vit. Nga këto, 400 lidhen drejtpërdrejt me koston e karburantit dhe mirëmbajtjen e makinës. Kësaj shifre i shtohen edhe 300 euro që çdo njeri shpenzon për të ndihmuar qytetarët e sëmurë të cilët kërkojnë ndihmë në mes të rrugës.

Rregullat

Rregullat bazë që duhen ndjekur, duke filluar nga dieta, aktiviteti fizik në bazë të moshës, deri te sugjerimet për të kuruar traumat e vogla, janë shkruar në manualin “Një shëtitje e shëndetshme”. Libri flet për shëndetin dhe mjekësinë e të shëndetshmëve: modelin e zhvillimit dhe strategjitë e komunikimit. Jeta sedentare shkakton 600 000 vdekje në vit vetëm në Europë dhe përfaqëson një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë. Diabeti, kardiopatitë, hipertensioni, kanceri, osteoporoza janë sëmundjet kronike që prekin më masë pothuajse të gjithë njerëzit. Këto sëmundje lidhen pikërisht me stilin e gabuar të jetesës. Ndoshta ju nuk e dini, por shëndeti fitohet dhe ruhet veçanërisht në tavolinë, që në fëmijëri.

Regjimi ushqimor

Sot modeli tradicional ushqimor mesdhetar konsiderohet ndër më efikasët në botë për parandalimin e obezitetit. Po ashtu, është një nga më të larmishmit dhe të balancuarit. Qytetarët duhet të marrin mesazhe të sakta në lidhje me ushqimet, nuk është e nevojshme që të heqin dorë në mënyrë drastike, por të përdorin këshilla praktike që na hyjnë në punë në jetën e përditshme. Njerëzit duhet të njihen me terapitë e reja, studimet e bëra në këtë fushë dhe cilësinë e jetës. Duhet të bëjnë më shumë sport dhe të hanë më pak: duket e vështirë, por nuk është aspak. Aktiviteti fizik ndihmon që t’ju pritet oreksi dhe të silleni në mënyrë më të ekuilibruar në tavolinë. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga një studim shkencor: marrja me një lloj sporti ndryshon psikologjikisht prioritetet tona, duke na nxitur që ta shohim ushqimin si diçka dytësore, që mund të shoqërohet me kënaqësinë. Kështu, dieta e shoqëruar me ushtrime fizike do të na ndihmonin të digjnim më shpejt kaloritë, sepse ndikon në zgjedhjet tona ushqimore. Një fakt tjetër i rëndësishme është se sporti rrit kontrollin frenues, ose më saktë funksionin ekzekutiv të trurit që na ndihmon t’i rezistojmë vendimeve impulsive dhe të dëmshme, shpeshherë përgjegjëse për një çrregullim ushqimor. Për këtë arsye, subjektet obezë duhet medoemos t’i nënshtrohen sportit dhe dietës, për të ndryshuar që në rrënjë një sjellje tepër të dobët kundrejt tundimit, gjë që sjell vetëm kile të tepërta. Ideale do të ishte që njerëzit të edukoheshin me mendimin e aktivitetit fizik, sepse shëndeti mendor është shumë më i rëndësishëm se ai fizik dhe kjo duhet t’i bëhet kulturë çdo njeriu që në vogëli. Pra, sporti është mjeti i domosdoshëm për të na nxitur që të mbajmë një dietë të shëndetshme ose të ndjekim një regjim ushqimor të ekuilibruar. Duke u ndierë të tonifikuar dhe energjikë, mund t’i rezistojmë më lehtë tundimit për të ngrënë ushqime kalorike dhe të dëmshme për organizmin, siç janë patatinat dhe ëmbëlsirat, edhe pse mund të kemi një formë fizike të shkëlqyer. Të gjithë e keni provuar që pas një ore palestër, ndjesia që kemi në stomak është një e vetme: uri! Kështu, për të mos çuar dëm një orë fizkulturë, mund ta kënaqni në mënyra të ndryshme stomakun tuaj: ushqimi më i shëndetshëm është një frut, mollë ose banane, ose pak fruta të thata në pritje të vaktit kryesor, siç është dreka.

Meryl e hekurt: Shkëlqimi dhe rënia e zonjës Thatcher, gruas më të “frikshme” në Angli

gty_1990_margaret_thatcher_

Një treshe e fuqishme femrash: Streep interpretuesja, Lloyd regjisorja dhe Morgan skenografja, për të treguar historinë e Kryeministres së parë të Britanisë së Madhe

Vitet ‘80, Kryeministrja Margaret Thatcher ilustron në Parlament politikën e saj, për të frenuar rënien ekonomike të Britanisë së Madhe. Me fytyrën dhe zërin e Meryl Streep, kostumet e errëta, flokët biondë dhe vargun me perla në qafë, gruaja e hekurt mes meshkujve, vajza e një farmacisti, nuk mund të dukej më e bukur dhe më e pushtetshme. “The Iron Lady”, gruaja e hekurt, si qeveria sovjetike e cilësonte këtë Kryeministre antikomuniste, na fut të dridhurat, sepse duket sikur koha nuk ka kaluar fare: edhe tani vendi është në krizë ekonomike, ka lindur nevoja e liberalizimeve, dhënies përparësi të nismave individuale, ndërsa punëtorët dalin nëpër greva, sindikatat protestojnë ndërsa korporatat janë në buzë të greminës. Ashtu siç dihet, zonja që shumë e kritikuan për politikat konservatore, e ringjalli ekonominë e vendit të saj. Politika e saj e refuzimit të komunitetit europian dhe mosbesimi te monedha e përbashkët janë të njëjtat me Anglinë e sotme dhe qeverinë e saj konservatore. Tani, në moshën 86-vjeçare, jashtë pushtetit, pasi u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 1990, vejushë që prej vitit 2003, Thatcher vuan nga demenca e pleqërisë që e ka prekur prej disa vjetësh. Ishte plotësisht e imagjinueshme që një aktore e madhe si Streep, një skenografe si Abi Morgan dhe një regjisore si Phyllida Lloyd, tri zonja në kulmin e karrierës së tyre nuk mund të linin t’u ikte nga dora një personazh kaq intrigues, një grua e moshuar që humbet në kujtime dhe harron të tashmen, që ka qenë një nga personazhet më të fuqishme në botë me një jetë ambicioze, plot arritje dhe triumfe, e më vonë humbja dhe dorëheqja, por edhe dashuria, jeta e përditshme familjare, si vajzë, nënë, grua. Filmi nuk mund të vinte aspak në dyshim aftësitë e jashtëzakonshme të 62-vjeçares Meryl Streep, ende shumë e bukur, si Thatcher 50-vjeçare në vitet ‘80. Me një fytyrë me pak rrudha dhe trukun e theksuar, Streep duket një zonjë e vërtetë, tamam siç Thatcher-i dukej në atë kohë. Filmi nis me një zonjë të vjetër të veshur keq, që blen qumështin në supermarket. I ka “shpëtuar” rojeve të shtëpisë, asnjë nuk e njohu. Shumë pak mund ta dinin që ajo grua ka qenë Kryeministrja e parë në Britaninë e Madhe, me mandatin më të gjatë nga viti 1979 deri në 1900, e zgjedhur tri herë rresht, pastaj e detyruar të japë dorëheqjen. Streep e dominion krejtësisht filmin, ndërsa skenat ku Margaret Roberts, vajza që nis karrierën e saj politike, duken krejtësisht të kota. Kjo e fundit interpretohet nga Alexandra Roach. Pastaj filmi tregon hap pas hapi se si kjo vajzë, që nuk dorëzohet asnjëherë, nis të ngjisë shkallët e karrierës në politikë. Pastaj skena të tëra i kushtohen njohjes së saj me një djalosh, me të cilin kërcen në mbrëmjen e shkollës, që më vonë bëhet një sipërmarrës i suksesshëm që i kërkoi të martoheshin. Ajo pranoi vetëm me paktin që ai të mos pretendonte që ajo të ishte një grua që të rrinte në shtëpi, të kujdesej për fëmijët dhe familjen, sepse dashuria e saj e vërtetë është politika. E kështu zonjusha Margaret Roberts u bë zonja Margaret Thatcher. Nga martesa lindën dy binjakë Mark e Carol, ndërsa në moshën 45-vjeçare, Thatcher do të hynte në Dhomën e Komunave për t’u bërë më pas ministre e Arsimit në qeverinë e Heath-it. Gjithë meshkujt që e rrethonin ia kishin frikën kësaj gruaje, e cila që në fillim tregoi se do të ishte ndryshe. Streep në Parlament shtrëngon buzët, bërtet si e çmendur dhe kërkon të dëgjohet në shtëpi, vazhdon të kujdeset për mëngjesin dhe është një nënë dhe grua shumë e mirë. Në film, kujdes i madh i kushtohet jo vetëm kulmit në karrierën e saj, por edhe rënies dhe momentit të dorëheqjes kur gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhet. Në fund, demenca dhe një jetë paksa e vështirë për shkak të sëmundjes. Të gjitha skena e përkryera të luajtura mjeshtërisht nga e madhja Meryl Streep, për t’i dhënë jetë një prej figurave politike më të mëdha të të gjitha kohërave në Angli.

Infarktet

Infarktet, më pak vdekjeprurëse

Këto dhjetë vitet e fundit është ulur numri i të vdekurve, falë ndihmës së dhënë në kohë, ushqimit më të shëndetshëm dhe lënies së duhanit

Është reduktuar numri i vdekjeve nga infarktet në Angli, por edhe në shumë vende të tjera të Europës në 10 vitet e fundit. Ky është përfundimi i një studimi të bërë nga Oxford University, i publikuar në ‘British Medical Journal’. Një tjetër risi pozitive: krijimi i një laboratori italian i qelizave staminale të zemrës, jo embrionale, por me të njëjtën potencë. Me pak fjalë, “rruga” për të rindërtuar zemrën e dëmtuar. Por ulja e vdekshmërisë, ende nuk do të thotë ulje e të prekurve. Në Europën Perëndimore shifrat tregojnë 300 infarkte në vit për çdo 100 mijë banorë. Më pak në Itali, por më shumë në Angli. Përkundrazi, më shumë se 400 në vendet e Lindjes dhe në SHBA (efekti-dieta të gabuara dhe duhan). Me rritjen e moshës rritet edhe rreziku. Po ashtu seksi mashkull preket më shumë: deri në moshën 60-vjeçare meshkujt goditen nga dy deri në katër herë më shumë se gratë. Vetëm pas kësaj moshe (përgjegjëse për këtë është menopauza), raporti femra-meshkuj është thuajse i barabartë. Me pak fjalë, një stil jetese korrekt për të reduktuar vdekshmërinë. Po ashtu, edhe një organizim i shpejtë për ta çuar të sëmurin me shumë shpejtësi në spital. Në përgjithësi, sot nuk mbijetojnë 25 për qind e të prekurve. Dhe pjesa më e madhe e vdekjeve ndodhin para mbërritjes në urgjencë.

Studimi

Kërkimi anglez ka analizuar më shumë se 80 mijë burra dhe gra që kanë pësuar një infarkt nga vitit 2002 deri në 2010 dhe ka verifikuar se si vdekshmëria është ulur me 50% për pjesën e popullsisë nga 65 deri në 74 vjeç, njëra nga më të rrezikuarat.

Nëse në vitin 2000 vdisnin 2 të “goditur” nga infarktit në katër të tillë, sot vdes një në katër. Motivet? “Përmirësimet në shërbimin kombëtar të shëndetit, shërbimi shëndetësor kombëtar britanik, zbulimi i ilaçeve kuruese dhe parandaluese dhe ndryshimet e domosdoshme në stilin e jetës, si reduktimi i yndyrave shtazore dhe rritja e konsumit të peshkut dhe e perimeve, por mbi të gjitha, reduktimi i duhanit dhe cigares, shkruhet në analizën e Oxford University. Kërkimi ka treguar edhe se në grupmoshat e reja nuk ka pasur të njëjtën rënie. Shkaku? Rritja e obezitetit dhe diabetit tek personat mes 35 dhe 45 vjeç. Ky është alarmi i vërtetë i kohëve tona.

Pas infarktit

Ekziston një problem. Pas infarktit, çfarë jete duhet bërë? Shpesh, në 30 të “mbijetuar” nga 100, zemra e plagosur bëhet e pamjaftueshme. Numri i këtyre pacientëve po rritet gjithmonë e më shumë. Ilaçet e reja në treg po përpiqen të evitojnë përkeqësimet. Në rastet më të rënda, ndihmat janë zemrat artificiale. Terapitë gjeneruese e bëjnë zemrën të funksionojë si përpara infarktit. Gjithsesi, deri më tani eksperimentet me qeliza staminale nuk kanë bindur.

Udhëzimet

Modifikimi i linjave të guidës bazohet në studimet më të fundit shkencore. Shumë prej tyre në pesë vitet e fundit kanë treguar se masazhi kardiak i jashtëm, i ndjekur nga veprimet e shpejta të ndihmës, rrit përqindjen për të mbijetuar një pacient me dy ose tri herë. Adoptimi i kësaj procedure do të bënte që vetëm në Europë të shpëtoheshin 100 mijë persona, nga 500 mijë njerëz që çdo vit humbin jetën si pasojë e një infarkti. Ndërkaq, në Europë personeli shëndetësor këshillohet të përdorë në masë defibrilatorët e jashtëm automatikë (DAE), që mund të gjenden në shumë vende publike. “Këto mjete janë shumë të lehta për t’u përdorur. Ndërkaq, komanda të thjeshta zanore të ndihmojnë ta përdorësh në të gjitha fazat e procesit, duke garantuar siguri të plotë. Defibrilacioni i hershëm, bashkë me masazhin kardiak, janë një faktor kryesor për të rritur mundësinë për mbijetesë pas një infarkti”, – thonë mjekët. Gjithashtu, është konfirmuar edhe rëndësia e hipotermisë terapeutike në trajtimin intensiv të pacientëve që kanë mbijetuar nga ndonjë infarkt. Bëhet fjalë për ta “ftohur” pacientin, duke e çuar atë në një temperaturë nga 32-34 gradë celsius për 12-24 orë dhe duke e mbajtur me mjete të thjeshta për t’u përdorur, siç janë edhe qeset me akull. Hipotermia terapeutike pas një infarkti rrit, mbi të gjitha, mundësinë që pacienti të rikuperohet pa asnjë lloj dëmtimi neurologjik.

Gratë truproja, treg në rritje

Gratë truproja, treg në rritje

Ka shumë vende në botë ku gratë e suksesshme duan truproja. Shpesh, ato duan që këto truproja të jenë femra gjithashtu.

Në Pekin, ekziston një shkollë, e cila është e bindur se tregu për femra truproje është në rritje. Drejtuesja e kësaj shkolle, Çen Jongxhing, tregon arsyen:

“Në Kinë, tregu i meshkujve truprojë është në rritje të qëndrueshme. Megjithatë, preferenca për femra truproje është rritur që nga viti i fundit. Shumë femra sipërmarrëse të famshme, yje të muzikës si dhe familjarët e tyre, fëmijët dhe prindërit, të gjithë kanë nevojë për truproje femra. Pra, ne jemi veçanërisht duke u fokusuar në trajnimin e femrave për t’u bërë truproja duke filluar nga ky vit”, thotë zonja Çen.

Në shkollë, kandidatet fitojnë aftësitë që ju duhen për të mbrojtur një punëdhënës të pasur.

Ato mësohen të grushtojnë dhe të shqelmojnë, të bllokojnë një sulm me thikë, të çarmatosin një preson të armatosur, dhe sidomos, të ngasin veturën shpejtë.

“Për të mbrojtur një preson të rëndësishëm, e domosdoshme është aftësia për të ngarë veturën shpejtë. Ngasja merr 40 për qind të kohës gjatë misioneve tona, sepse personi që ne e mbrojmë, është gjithmonë i lidhur me veturën, kur nuk është duke punuar apo pushuar. Prandaj, kjo është arsyeja që ne kemi trajnim të veçantë për ngasje”, thotë zonja Çen.

Duhet edhe rezistencë mendore që të jesh truproje. Shkolla gjithashtu punon edhe për një gjë të tillë.

Një instruktor vendos shishe prej xhami para një rendi të femrave. Një nga një, ai përplas shishen në ballin e secilës femër.

Sun Jixhajo, 22-vjeçare, mezi lëkundet. Ajo është gati t’i thyejë barrierat gjinore.

“Në Kinë, gratë shikohen si një grup i rrezikuar, dhe shoqëria gjithmonë i shikon nga lart. Megjithatë, pothuajse çdokush e shikon një truproje femër më ndryshe. Si një femër, unë jam shumë krenare të jem në gjendje të mbroj një burrë, madje edhe një grup njerëzish”, thotë Jixhajo.

Para se ajo dhe studentet tjera mund të bëhen truproje profesioniste, atyre ende iu duhet të kalojnë një kurs tetëmuajsh të ushtrimit të qëndrueshmërisë, arteve marciale, aftësi zbulimi dhe etikë profesionale të biznesit.

Por, kjo mund t’ia vlejë.

Të diplomuarat nga kjo shkollë mund të gjejnë një punë që paguhet mirë, me rrogë më së paku 800 dollarë në muaj.

Deri sa truprojat femra të jenë të rralla, kjo shumë do të jetë më e madhe se sa e shumicës së meshkujve që punojnë në këtë profesion.

Meshkujt pse vazhdojnë të jepen kaq zedhshëm tradhtisë

tradhtia bashkeshortove

Albert Vataj

Përse femrat nuk i lënë (me dinjitet) dhe të vazhdojnë rrugën e tyre?

Nuk ndihen mirë, por s’arrijnë të heqin dorë nga meshkujt që i bëjnë të vuajnë. Për fat të keq shpesh krijohen disa marrëdhënie të ngushta që zgjasin për vite, duke kompromentuar shumë jetë.

Ky reflektim ka lindur nga bisedat e shumta që janë me gra e vajza serioze dhe shumë autoritare, të cilat janë bërë viktima të dashurisë, sepse kanë zgjedhur burrat e gabuar. Por pavarësisht faktit që rriten e piqen, këto femra janë gjithmonë të prirura që të dashurohen pas tipave “problematikë”. “Unë për shembull vazhdoj t’i uroj vetes sime që të dashurohem pas djalit klasik shembullor: i fortë, i ndjeshëm, bujar, i kuptueshëm. Edhe pse jam e bindur që sado ta kërkoj nuk do ta gjej, të paktën kam imunitet ndaj meshkujve të bukur e joshës, të cilët edhe pse zyrtarisht kanë një të dashur, nuk lodhen duke joshur këdo që u del përpara, për të kënaqur më shumë egon se epshin seksual”, thotë një 35-vjeçare. Edhe pse sillen në këtë mënyrë të pakuptimtë, vazhdojnë ta quajnë veten “të ndershëm”, pavarësisht se si janë “gatuar”. Nuk janë aspak të ndërgjegjshëm që me sjelljen e tyre i bëjnë të vuajnë partneret e tyre.

Duke u bazuar te kjo sjellje natyrshëm lind edhe pyetja: Si ja bëjnë këto gra që rrinë përkrah tyre? Si mund të qëndrojnë me meshkuj që i poshtërojnë me sjelljet e tyre? Pse pranojnë që të bëjnë një jetë të palumtur?

Pavarësisht se çdo njeri ka të metat e veta, një mungesë e tillë respekti është e palejueshme. S’mund të ketë përgjigje për të… Mund t’ju duket e çuditshme, por ka shumë gra e vajza që e bëjnë, u qëndrojnë në krah burrave të tyre, madje edhe i mbështesin. “Një mikeshë e imja, shumë bukuroshe dhe e zgjuar, u dashurua marrëzisht pas një tipi, i cili e telefonon kur do ai, i lë takime vetëm kur thotë ai, sëmuret atëherë kur vendos ai, zhduket me ditë të tëra dhe rishfaqet pastaj sikur s’ka ndodhur asgjë dhe kur e sheh mikeshën time duke drekuar me ndonjë kolege, i thotë: ‘Nuk i the që bashkëjetonim…’. Po sepse tipi në fjalë ka një të fejuar vetëm atëherë kur i leverdis atij”, tregon një vajzë tjetër. “Pavarësisht të gjithave, ajo e duron dhe i gjunjëzohet përpara këmbëve sa herë që ai mërzitet dhe i thotë se do ta lërë”, shton vajza.

Përveç mërzitjes dhe lotëve që janë normale, situata vazhdon të jetë stresuese dhe plaga e hapur prej kohësh nuk arrin të mbyllet kurrë. Por përse këto femra nuk arrijnë të gjejnë forcën që të ndahen prej këtyre tipave? Ndihen keq, madje pranojnë çdo kusht, por nuk heqin dorë, sepse s’mund ta pranojnë mendimin që do t’i humbasin të dashurit e tyre, edhe pse i bëjnë të vuajnë shumë. Shpeshherë krijohen disa marrëdhënie të ngushta që zgjasin për vite me radhë dhe komprometojnë jetë të tëra. Ja një shembull konkret: një vajzë humbi 20 vjet nga jeta dhe rinia e saj, duke pritur kthimin e të shoqit (nuk ndodhi asnjëherë) që e tradhtonte sistematikisht.

Një zonjë tjetër kur zbuloi emrin e gruas me të cilën e tradhtonte bashkëshorti (kjo ishte një tjetër, e dinte këtë) u mendua mirë dhe vendosi që ta bënte shoqe në “Facebook” për t’i treguar një fotografi ku po puthej me të shoqin. Kjo ishte një mënyrë qytetare për t’i thënë armikes: “KY ËSHTË I IMI”. Sa keq që rivalja nuk do të bashkëjetonte me të! Një histori tjetër është ajo e një vajze, e cila prej vitesh jetonte me një burrë egoist. Vajza kishte hequr dorë nga shumë dëshira të sajat, deri sa një ditë i gjeti të dashurit të saj në telefon një mesazh të shkruar nga ai. Mesazhi i adresohej një tjetre: “Eja, jam vetëm”. Djali u justifikua menjëherë duke thënë: “Mos u merakos, sepse nuk erdhi fare”. Me këtë përgjigje çdo vajzë do ia kishte mbathur, por ajo sërish qëndroi në shtëpi duke e besuar.

Fakti që të çudit është se çfarë i shtyn këto vajza të qëndrojnë me të tillë meshkuj? Mos vallë kanë frikë t’ia nisin edhe një herë nga e para? Apo mendojnë se do të ngelen vetëm? A nuk do të ishte më mirë vetëm sesa përkrah meshkujve që i poshtërojnë? Nuk do të ishte më mirë të zgjidhnin një jetë ndryshe sesa të vazhdojnë të jetojnë me zemër të thyer me burra që i tradhtojnë?