Kristo Frashëri:Të gjithë më kanë kthyer kurrizin

Mira Kazhani

Për herë të parë Kristo Frashërin e kam takuar 5 vite më parë. Në atë kohë punoja në prapavijë për një projekt televiziv, të cilit gjatë një viti i bëra dhurata të vyera, siç ishte dalja për herë të parë në ekran e historianit që kurrë nuk kish pranuar një kamera. Ishte në fakt rezultat i disa vizitave rresht në shtëpinë e tij. Herë me portokalle në duar, ndonjëherë kaloja 2 ose 3 orë duke i lexuar veprat dhe shënimet e tij, dhe nuk di sa shumë provova që t’i hyja në zemër një burri të moshuar, i cili nuk doja që të largohej prej nesh pa i thënë disa gjëra. Më kujtohet se një ditë bleva kek, dhe ‘e detyrova’ të më priste në shtëpi duke i thënë se e kisha përgatitur vetë, vetëm për të. Pa mendjemadhësi, u ndjeva e vetëkënaqur që ia dola të bind një plak kokëfortë, të mençur dhe të lodhshëm për gazetarët që s’kanë durim të presin.

 

Sot kam vendosur që këtë intervistë t’ia bëj dhuratë vetes, pasi vjen një ditë dhe punëve të mira iu vë poshtë emrin tënd. Kam marr sërish kek të blerë tek ushqimorja aty pranë pallatit të tij. Ai ka pranuar në telefon që të takohet dhe çuditërisht më krijoi idenë që s’më kishte harruar. U habita disi, por gjatë rrugës mendova se memoria është diçka që duhet të jetë se s’bën e fortë te një historian, dhe tek Kristo Frashëri natyra mesa duket nuk është kursyer aspak. Ama dhe unë ia kisha nxirë me prezenca aq shumë sa diku duhet të kisha lënë njollë në kujtesë, e pranoj!

Gazetarja Mira Kazhani gjate intervistes me historianin dhe publicistin, Kristo Frasheri

Në shtëpi ndodhet një grua e cila më tregon se ajo është e turnit të pasdites, a thua se unë e di që aty punojnë 3 gra. Ai është 93 vjeç, për pak vite mbush një shekull jetë. Dalloj që këto vitet e fundit kanë lënë gjurmë sa për 10 vjet. Ai merr frymë përmes një pompe oksigjeni, dhe ka shumë kohë që nuk është në gjendje të dalë nga shtëpia.

-“Më ka marr malli të dal vetëm një herë dhe të ulëm buzë rrugës në një bar e të shoh njerëzit kur kalojnë”,- më thotë ai duke e shpjeguar me dorën që e lëviz sikur imagjinon qytetin, pemët, makinat që lëvizin dhe aromën e kafesë se lokalit. Nuk më ndodh të përlotem, por ndiej që mbase këtë detaj ai s’do e shohë dhe ia lejoj vetes një njomje qerpiku!

-Çfarë mendoni këto kohë? E kam fjalën kur nuk bëni histori, çfarë kujtoni, nëse reflektoni për jetën që jetuat?

-“Që jam ngopur me jetën. Që nuk dua t’ia nis nga fillimi dhe që po të ndodhte kjo do të isha bërë sërish historian, do kisha dashur shumë familjen time, nuk do isha bërë kurrë politikan. Ngopesh, moj vajzë ngopesh, – thotë ai me zërin e dobët dhe me një mallëngjim që sikur ngjitet nga barku e del mbi ajrin e tryezës.

-I lutem nënës që të vijë të më marrë, se nuk dua më të rri këtu”.

-Pse nënës? Pse jo gruas ose babait?

-“Nëna është dhembshuri, ndërsa babai është mençuri. Gruaja ka ikur para 17 vitesh, vijon ai. Kur kisha ende fuqi shkoja çdo të diel në varreza. Më mungon ajo. Në jetën time kam qenë me fat dhe kam patur mundësi të shkoj e të jetoj jashtë që para komunizmit, por unë kam zgjedhur familjen gjithmonë, nuk e kam lënë kurrë atë. Tani ajo më ka lënë mua”, – tregon ai me një inat që dihat bashkë me sondën që i dërgon oksigjenin.

-Kështu si po më flisni më trembët, jeta duket sfidë e madhe. Unë nuk e di a di të jetoj pa njerëzit që dua, – i them.

Ai qesh pak, dhe më dallon që mbaj shënime. Nuk e kuptoj atë njeri: nuk shikon më as TV, nuk lexon prej vitesh dhe mua më dalloi që shënoja çfarë thoshte. Por e kaloi shpejt me një fjali duke më thënë se të gjithë gazetarët janë hileqarë. Gjithsesi biseda vazhdon, dhe ai nuk tregon shenja pendese që pranoi këtë intervistë me mua. Mund të them se ka ndryshime të shpeshta të humorit, por është i vetëdijshëm për gjithçka. Kam frikë se e di çfarë është dhe Facebook e Twitter, aq i kthjellët është. E pyes dhe më thotë se ka dëgjuar në radio për to. Por nuk shfaq interes për pyetje që me siguri i konsideron humbje kohe. Ai është në një proces tjetër tashmë.

Më tregon se shikon shpesh në ëndërr nënën, e cila gjithmonë bën të njëjtin veprim.

-“Më prek në ballë, ma fërkon pak dhe unë aty zgjohem”. Kaq e shkurtër është jeta sa prekja e ballit të nënës sime në ëndërr, por tani jam lodhur, – më thotë ai dhe këtë herë më duket sërish ai plaku kokëfortë, por dhe pak sarkastik.

Kam shumë pyetje për të, por dua t’i bëj më të rëndësishmet.

-“Si do jetë Shqipëria pas 100 vitesh, ose kur të jem unë një grua plakë dhe e thinjur?

Unë nuk jam fallxhore, por duke u nisur nga 100 vite shtet, them se do jetë siç e deshi Ismail Qemali. E lirë, më vete dhe e mosvarur. Më vjen keq që as Deklaratën e Pavarësisë nuk lexojnë shqiptarët. Ismail Qemali ishte burri më i mençur e i kulturuar nga të gjithë ne të tjerët që erdhëm pas (ai flet duke përfshirë edhe veten e tij).

-Po Ahmet Zogu si ishte?

Ai më pyet se nga jam dhe i tregoj se origjina ime është për ironi nga i njëjti fshat, edhe pse nuk jam zogiste.

-Qenke nga Burgajeti! A e di ti që ka dy Mat-e, një të qytetëruar e një që kishte nga ata që ishin gati të bëheshin xhandarë për të jetuar. Fshati yt bën pjesë tek Mati i shkolluar. Shiko, Ahmet Zogu ishte një njeri i rritur me mësues në shtëpi. Ai u shkollua, ishte njeri i kulturuar. Bëri punë të mira për vendin. Pati edhe të meta, por nuk i mohohet emancipimi dhe përpjekja për të vënë shtet. Nuk jam zogist, por të mirat nuk ia mohoj si historian. Shumë veta bëjnë gabim që e quajnë Zogun malok.

Ai ka shumë dokumente mbi tryezë. Po përgatit një libër ku do t’i japë përgjigjen përfundimtare Janullatosit.

-“Do të bëj një shkrim dhe më pas librin. Me kaq e mbyll me Janullatosin dhe s’do merrem më me të. Ai ndryshon shumë argumente të miat dhe shpif mbi gjërat që unë kam thënë. Si të ta them, m’i ndryshon ato. Po të kishim ne shtet, nuk bënte kështu një Peshkop në vendin tonë. Ata tallen, sepse nuk mund të qëndrojë 20 vjet në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare një grek. Kur me status është që duhet të jetë një shqiptar. Kaq vite nuk kemi ne një peshkop?! Është tinëzare kjo moj vajzë,” – më drejtohet ai dhe duket sikur diçka e nervozoi. “Ah ç’më prishe gjakun se më çove në këtë temë! Ortodoks nuk do të thotë grek. Në Korçë nuk ka patur asnjë grek, tani na dalin mijëra. Në fshatin tim, në Frashër, nuk ka patur kurrë grekë, tani na del që paska grekë. Po të kemi qeveri zgjidhet kjo punë. Zogu dhe Enveri kanë qenë më konsekuentë me këtë çështje. Ata i treguan vendin Greqisë, por me pluralizmin të gjitha qeveritë kanë frikë. Kanë frikë se mos u kthejnë mbrapsht emigrantët.”

-Kush e zgjidh të ardhmen me Greqinë?

-Haga, – më përgjigjet ai direkt. Çështjet duhet të marrin një zgjidhje vetëm atje. Por nuk di se kur do realizohet. Greqia është e llastuara e BE-së. E ke parë sesi sillet? I kanë dhënë hua dhe prapë do i japin. Sa herë të kërkojë ajo. Ata e dinë se Greqia ka pozitën gjeografike. Ka dalje në Azinë Qendrore dhe në Afrikën Veriore, si dhe dalje në Detin e Zi. E mbron Europën nga dy kontinente. Ndaj kot sa lodhen, se sa herë do hapë gojën Greqia ata do i thonë: Na!

A mund të jemi fqinjë më të mirë?

-Se di, – thotë ai. Por me siguri këto punë nuk zgjidhen nga qeveri inferiore.

Meqë ra fjala tek qeveria, si të duket Edi Rama. Të pëlqen?

-Mirë më duket Edi Rama, por ende nuk është bërë i gjallë.

Kur thotë këtë gjë, mendoj se pleqëria është një fëmijëri e dytë. Janë aq të sinqertë dhe të paskrupullt. Humbasin muret e hipokrizisë dhe duan atë që kujdeset për ta. Ndërsa ai ma thotë këtë, unë shpresoj që në këto vite që rezistojnë përmes një pompe që harxhon korrent më shumë sesa një kondicioner i ndezur gjithë ditën, dikush të bëhet i gjallë. Edhe pse fëmijët ndihet që janë aktivë dhe e mbështesin nga larg. Ai po pleqëron në stacionin e fundit, i vetëm.

Biseda rrjedh tek Turqia dhe ngrohja e marrëdhënieve të qeverisë Rama me Erdogan.

-“Nuk shoh asgjë të keqe unë këtu. Turqia është një vend mik dhe që na do për shkak edhe të historisë që kemi. Ajo edhe politikisht është një gjetje, pasi qëndron si kundërbalanca me Greqinë. Si i thonë asaj fjalës, ‘armiku i armikut është miku im’.

Mos ndoshta më mirë me Turqinë sesa me BE-në?

-Jo, kurrën e kurrës. Kjo nuk do ndodhë askurrë. Shqipëria e ka vendin në BE. Bashkimi Europian është një superfuqi. Turqia duket e mirë nga jashtë, por është e krimbur nga brenda. Ajo kërkon vetë të jetë në BE, po zor se do e pranojnë me këto politikat islamiste. Ky Erdogani nuk duket ta ketë shumë drejt këtë kauzë. Më lakrat që ka në kokë ai, vështirë se e pranon BE.

Kush është mik i Shqipërisë?

-Mik, është zakonisht ai që s’i intereson të të hajë. Por mund të them që mik është SHBA, Gjermania, Franca, Italia e sotme, Britania. Këta na duan.

Ku do donit të kishit jetuar veç Shqipërisë.

-“Në SHBA jo, njëherë! Atje nuk ecën dot pa makinë dhe duhet të presësh të dielën që të takosh dikë, por e diela kalon shpejt, – thotë ai dhe duket se nuk i ka pëlqyer formati i ftohtë amerikan.

“Në Europë ndihem mirë, sidomos në Itali dhe Greqi. Jam si në shtëpinë time në këto vende. Njerëzit ecin në këmbë, flasin, qeshin, pijnë kafe. Kjo është jeta.

Ai është një dashnor i Europës. Ndihet linja perëndimore në të cilat mbështet idetë e tij. Që në moshë të re kur studionte në Itali, më tregon se vendosi të ishte një social-demokrat dhe i tillë mbeti gjithë jetën.

Frashëri  ka disa libra që presin dritën e botimit, por thotë se asnjë shtëpi botuese nuk i qaset, madje shprehet:- Më kanë kthyer të gjithë kurrizin. Askush nuk do t’i botojë.

Nuk është e vërtetë, i them unë në përpjekje për t’i zbutur mërzinë.

-Qenke entuziaste shumë ti gazetare. Do vijë një ditë që do më kujtosh e kuptosh. Të gjithë ikin një ditë dhe të kthejnë kurrizin.

Po për fat të mirë, i them unë me pak humor, jeta zgjat sa ajo ëndrra juaj dhe do bëj si do bëj.

-Zhgënjimet zgjasin ca më shumë, ose mbahen mend, – sqaron ai.

Ai mban mend gjithçka. Edhe thashethemin për rusen që legjenda urbane thotë se u marros pas Profesor Frashërit.

-Kush ta ka thënë këtë? – më drejtohet kur e ngacmoj.

Dikush, i them unë.

-“Nuk është e vërtetë. Ajo ishte studente që unë i udhëhoqa diplomën për një periudhë 6-mujore. E kam dashur shumë gruan time dhe familjen. Nuk ka patur të tilla gjëra. Janë gjepura këto dhe vë pak buzën në gaz, në atë pak buzëqeshje që ka mbetur nga rruga e gjatë, e kushedi çfarë ndërmend.

Sot që po e shoh me kujdes teksa shkruan një shënim në librin që po ma dhuron, dalloj që veç memories, pjesa tjetër po zbehet si shikimi i vagullt. Nuk është më ai burri hijerëndë që shfaqet në disa portrete të varura në mur. Ndihet në dhomë pasioni për historinë, për Shqipërinë, dhe kujtesa e aromës së kafes me gruan si dikur në ballkon në një pasdite pranvere, janë ato që sillen rrotull më shumë sesa hidhërimet. Tani mban mëritë e së tashmes dhe kryesisht me ata që thotë se i kanë kthyer shpinën. Gjatë bisedës kishte momente që ndihej i kënaqur, por ndonjëherë të krijonte idenë se po bezdisej. Gati mendova se as pleqëria s’ia ka zbutur egon, dhe se mbetet një burrë i vështirë dhe i përkëdhelur. Por tani që po bëjmë një fotografi bashkë dhe ai kujdeset të rregullojë jakën e këmishës së bardhë, më ngjan veç një njeri i butë që kërkon vëmendje të vogël dhe pak ngrohtësi para se të jetë tepër vonë!

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s