Kur zoti mposhti rregjimin komunist

Xhamia e Plumbit ne Shkoder

16 nendor 1990 Xhamia e Plumbit përgatitej që pas pesë ditësh, që të premten e 16 nëntorit, të bënte faljen e namazit për të gjithë shkodranët, që pa dallim feje do merrnin guximin ta ndiqnin këtë ceremoni. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që u përpin me vrull. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve iu përvesh punës. Do të ishte kleriku i njohur e i nderuar mysliman, 69-vjeçari Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, ai që do këndonte Ezanin dhe do falte xhumanë pas 23 vitesh heshtje. Në shtëpinë e familjes Myftia, u bënë shumë takime nga rinia dhe besimtarët e vjetër shkodranë. Kjo familje me tradita të vjetra kulturore, fetare dhe atdhetare, nga gjiri i së cilës kishin dalë klerikë të nderuar të besimit mysliman, në ato ditë të vështira, kur diktatura komuniste vazhdonte krimet e saj, pa marrë parasysh rreziqet, priti me bujari Hafiz Sabri Koçin. Të rinjtë, për siguri nga ndonjë incident i organizuar apo dhe i rastit, e morën Hafizin natën, pa gdhirë, dhe e çuan në shtëpinë e familjes së nderuar Myftia, pranë xhamisë. Djemtë e kësaj familjeje e shumë qytetarë të tjerë, e përcollën përmes popullit deri në tribunën e ngritur para Xhamisë së Plumbit. Dëshmitarët e asaj kohe kujtojnë se si pak çaste para fillimit të ceremonisë, Hafiz Sabri Koçi kërkoi që një djalë i ri duhet të hapte këtë ritual dhe t’ia jepte fjalën atij. Rasim Sokoli ishte ai që mes njerëzve të mbledhur, thirri një djalë, Ardian Golemin, i nipi i Haxhi Hafiz Abaz Golemit, dhe bashkë me të dhe Hafiz Sabri Koçin, hipën në tribunë, ndërsa i gjithë sheshi para xhamisë ishte mbushur si asnjëherë. Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë. Që në orët e para të mëngjesit, njerëzit lëviznin nga të gjitha drejtimet: nga ura e Bahçallëkut, nga ura e Bunës, nga Tophana, nga Parruca, nga Perashi, nga Tepja dhe Ajasma po grumbulloheshin në sheshin e Xhamisë së Plumbit, në oborret e shtëpive. Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje, dhe tashmë ishte fakt i kryer. Besimtarët myslimanë dhe bashkë me to të gjithë qytetarët shkodranë pa dallim feje, do i riktheheshin riteve fetare. Hafiz Sabri Koçi në një prej intervistave të tij kur ishte gjallë, shprehet se, “duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet nuk kisha se çfarë të humbja. I përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndieja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë. Dita e 16 nëntorit do të mbetet e paharruar në jetën time. E kam të freskët momentin kur u ndodha para një mitingu prej 55 mijë vetësh.

Advertisements

Ky kalërim epik i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

Ky kalërim epik i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, mishëron në të përditshmën e potershme kryeqytetase, ngulmin e shndërrimit të vlerave të tashme në gjithkohësi, në mbamendjen përnga historia nëpër atkohjen dhe atmotin e trazuem. Kësisoj mundena që tuj mos harru rrugën që ka marrë për të ardhur te ne, e sotmja, ne nuk trandena mëdyshjeve për me e gjet, sak, njat rrugë që mundet me na çu, atje ku na duhet me shku.

Monumenti i Skënderbeut në Tiranë i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Foto: Albert Vataj

Monumenti i Skënderbeut në Tiranë i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar.
Foto: Albert Vataj

Skëndërbeu në zemër të metropolit shqiptar, me kalerimin e tij derdhur në bronx qysh prej vitit 1968 na mrekullon hera-herë, na shkundëllin, do tjera raste, e na njëmend në trullosje e hapërdamje rrethanore ku pajada e gjejm vedin. Ndoshta, jo aq për të na kujt historinë e tij legjendare, dhe dalozotjen e tij të pashoqe derimtash, por ma s’shumti për me e derdh vetëdijen tonë nacionale  në mallështi të këtilla monumentale, me e përjetësu veprën dhe kontributin e sekujt ndër ne, në këtë kredhje të bronxtë, vepër e cila u realizua nga mjeshtrat Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço.

Albert Vataj

Vdekja është një nga temat e privilegjuara të letërsisë

Në të njëjtën mënyrë si erosi, vdekja është një nga temat e privilegjuara të letërsisë, e cila e përshkruan, e vendos në një sistem të ndërlikuar, e mvesh me vlera etike dhe simbolike. Ajo ngarkohet nga njeriu me aq shumë domethënie (më gjasë, edhe më shumë se erosi) sa do të ishte e pamundur të përmendeshin të gjitha, domethënie që e kanë prejardhjen nga kultura dhe ndërgjegjja kolektive. Në letërsi, “erashka” simbolike që e shoqëron mbushet ndoshta edhe me më shumë ngarkesë.

Thanatos

Në mitologjinë greke, Thanatos është hyu i vdekjes dhe shfaqet si një plakush mjekërmadh e me flatra, ose i mbuluar nga një mantel i zi. Thanatos përmendet pothuajse përherë bashkë me Erosin, hyun e dashurisë. Që të dy janë polet e një mekanizmi që rregullon mbarë ekzistencën, atë që Frojdi më vonë e quajti “parimi i vdekjes” dhe “parimi i kënaqësisë”. Erosi krijon jetën, Thanatosi e shkatërron; Erosi afron, Thanatosi largon; Erosi bashkon, Thanatosi ndan përgjithmonë. Por në lojën e kulturave, domethëniet edhe mund të përmbysen. Le të shohim si rrëfehet tema e vdekjes në disa autorë të caktuar.

Ugo Foskolo

Vizioni foskolian mbi vdekjen sa vjen e përvijëzohet më hapur në mënyrë përherë e më të qartë përmes leximeve të poezisë së tij. Në sonetin “Mbrëmjes”, shkruar në vitin 1803, fillon e merr jetë një bindje materialiste që pastaj bëhet më e shpërfaqur në veprën më të rëndësishme, “Mbi Varrezat”. Shprehja e përdorur për të përcaktuar të përtejmen, quajtur “hiçi i përjetshëm”, tregon se për poetin, pas vdekjes nuk ka më asgjë. “Mbi Varrezat”, vitet 1806-07, është një debat i hapur mbi ligjet e reja napoleoniane në lidhje me varrezat (dekreti i Shën-Klodit, 1804), të cilat duhej t’i kaloheshin Italisë. Me trajtimin e temës së vdekjes, Foskolo ndërkallet në rrymën e Shtatëqindës të poetëve metafizikë anglezë (Thomas Gray), por shpreh një materializëm të fortë: njeriu bën pjesë në ciklin e natyrshëm ku ka një ndërrim të vazhdueshëm të gjërave, për të cilin çdo gjë lind dhe është e thënë të vdesë, vazhdimisht. Mesazhi përfundimtar i poetit është të pranosh vdekjen si fat të natyrshëm të njeriut. Por nga ana tjetër, ky pranim nuk duhet të lejojë që njeriu të jetojë në mënyrë pasive, sepse megjithatë, është e mundur të bësh rrugën e historisë drejt një evolucioni të caktuar. Në këtë kuptim, kujtesa (e njeriut në veçanti dhe e shoqërisë në përgjithësi) është një element i rëndësishëm kërcënimi kundër harresës dhe hiçit drejt të cilit na çon vdekja.   «Monumentet e panevojshëm për të vdekurit u vijnë për hosh të gjallëve, sepse zgjojnë ndjenja virtuoze të lëna trashëgim nga njerëzit për së mbari” (letër e datës 26 qershor 1807 për abatin Eme Gijon)

Alesandro Manzoni

Murtaja e Të fejuarve përfaqëson mjetin e vdekjes përgjatë gjithë romanit. Përsa i përket kësaj, personazhi dhe rrëfyesi kanë këndvështrime të ndryshme që bëjnë të qartë kredon manzoniane, në lidhje edhe me problemet etiko-fetare. Klasikisht, ose më mirë: sipas biblës, murtaja është një “fshikullimë prej Zotit”, një dukuri me funksion purifikues që mbërrin në mënyrë ciklike për të ripastruar tokën nga e keqja dhe të ndëshkojë njerëzit mëkatarë. Manzoni nuk e kundërshton aspak këtë pikëpamje të vdekjes në romanin e vet, por as nuk e pranon tërësisht. Në fakt, ndryshe nga shumë çështje të tjera mbi të cilat shpreh drejtpërdrejt mendimet e veta, në këtë rast ai e lë çështjen të hapur, duke vënë në gojën e personazheve vetëm disa interpretime. Kështu, për Don Abondion, murtaja është si një “fshesë” që ripastron tokën; për At Kristoforin herë është një “ndëshkim”, herë përdëllim. Ama motivet bazë të çështjes kapërcehen, kalohen, sipas një qëndrimi tipik iluminist, prandaj dhe analizohen në mënyrë të hollësishme “shkaqet kryesore” të një fenomeni, pa hulumtuar “shkaqet dytësore”. Rrëfyesi, me zërin e vet, priret të thjeshtojë çështjen duke ndjekur një interpretim providencial, për të cilin “gjithçka është mirë kur mbaron mirë”.   “Qe një kamzhik i rëndë kjo murtajë; por edhe një fshesë; na fshiu ca disa njërëz, o bijtë e mi, nga të cilët nuk po çliroheshim dot

Xhakomo Leopardi

Koncepti leopardian i vdekjes shpërfaqet në mënyrë të qartë nga tërësia e veprave të tij dhe lidhet me konceptin që kishte ai për jetën dhe për dhimbjen. Te Zibaldone, dhimbja moderne i kundërvihet dhimbjes së lashtë: nëse më parë ajo interpretohej si një ndëshkim hyjnor, tashmë shihet si një element i përhershëm që shoqëron jetën e njeriut, një e keqe e pashmangshme para së cilës duhet të dorëzohesh. Prandaj, kuptohet se, në të kundërt me jetën ku mbizotëron dhimbja, sëmundja dhe ndjesia e pathemelsësisë së ekzistencës, vdekja merr konotacione pozitive. Te Dialogu i Federico Ruysch-it dhe mumjeve të tij, kori i të vdekurve shpreh pikërisht këtë koncept: vdekja është një moment pa dhimbje dhe i qetë, që shenjon, në mos fillimin e lumturisë, të paktën fundin e dhimbjes.   «Në ty, o vdekje, prehet / Natyra jonë cullake, / E lumtur jo, por e sigurt / Nga dhimbja e lashtë» (Dialogu i Federico Ruysch-it dhe mumjeve të tij)   «Ekzistenca në asnjë mënyrë nuk ka për qëllim as kënaqësinë dhe as lumturinë e kafshëve» (Zibaldone)   «Ekzistenca është një e keqe për të gjitha gjërat që përbëjnë universin» (Zibaldone)

Honore de Balzak

Koncepti cinik i historisë dhe marrëdhënieve njerëzore që Balzaku shfaq në Komedinë Njerëzore të tij, prek edhe temën e vdekjes. Në romanet e tij, pjesa më e madhe e personazheve vepron duke u nisur nga qëllime egoiste, nga një luftë e mbrapshtë për mbijetesë dhe mesazhi i gjithë veprës së tij, me hir a me pahir, është se, mirësia, bujaria dhe ndjenjat, edhe pse janë vlera shumë të larta, nuk kanë vend në shoqërinë njerëzore dhe janë parathënë të shkërmoqen nga të tjera vlera. Mes këtyre: arrivizmi, pushteti dhe sipërfaqësia. Në një tablo kaq negative të mekanizmave shoqërorë, vdekja nuk mund të mos bëhet një nga çastet më kulminantë të rrëfimit, ku shfaqet me qartësinë më të madhe degjenerimi i sistemit shoqëror. Marrim një shembull: romani Xha Gorjoi është historia e një njeriu, me mentalitet tipik borgjez, i cili ia del në një farë mënyrë të çajë në jetë. Edhe pse është me prejardhje të varfër, ka dy vajza të mrekullueshme, të cilat arrin t’i fusë në shoqërinë e lartë aristokratike, sepse është i pasur. Por modeli i jetës që u ka dhënë të bijave e shpërblen me të njëjtën monedhë: kur vdes, i vetëm në një pension të varfër, asnjëra nga të bijat nuk është te koka e tij; vetëm njëra nga të dyja kalon ta takojë, por vetëm për t’i kërkuar para që të shkojë në ballo. I vetmi vëzhgues i kontradiktës së jetës së zotit Gorjo është Rastinjaku, i cili merr mësim nga kjo ngjarje për të forcuar më tepër cinizmin e vet.   “Paraja blen gjithçka, madje edhe bijat. Oh! Ku janë paratë e mia? Po të kisha thesare për t’iu lënë, do të kujdeseshin për mua, do të më ndodheshin pranë. Do t’u dëgjoja zërin, do t’i shihja. […]. Që të dyja e kanë zemrën prej guri. Dashuria ime për to ishte shumë e madhe për t’u ndërruar me tjetër gjë. Një baba duhet të jetë përherë i pasur, duhet t’i mbajë fëmijët nën frerë, si kuaj që nuk mund t’u zësh besë“.

Emil Zola

Në veprën e Zolait, vdekja merr përparësi në romanet e veçantë se sa në tërësinë e veprave të tij. Një nga më përfaqësuesit në këtë kuptim, është padyshim Nanà. Ky roman, i shkruar në 1880, është historia e një vajze të llastuar e mantenutë, e cila vetëm për bukurinë e saj, arrin të bëhet një nga personazhet më të rëndësishëm dhe përfaqësues të jetës shoqërore mondane të periudhës historike në të cilën jeton, në Perëndorinë e Dytë. Gjithë figura e saj pra, është një metaforë e débauche të shoqërisë franceze nën qeverisjen e Napoleonit III. Vdekja e Nanàsë, e rrëfyer në faqet e fundit, bëhet një metaforë e fundit të asaj periudhe historike: trupin e saj e ruajnë prostituta të shoqërisë së lartë në Perandorinë e Dytë, ndërsa nga dritarja dëgjohet: “Në Berlin! Në Berlin!”, të bërtiturat e luftës së famshme franko-prusiane, e cila shenjoi edhe mundjen e tmerrshme franceze në Sedan. Mesazhi i Zolait është i qartë dhe i pangatërrueshëm: Franca, e cila nën regjimin e Napoleonit III jetoi në skandale dhe në kënaqësira si një prostitutë, është mundur në mënyrë të pashmangshme nga Prusia. Vdekja bëhet kështu, një mjet mesazhi që, siç ndodh përherë me Zolanë, ka ngarkesa politike.

Lev Nikollajeviç Tolstoj

Aty nga viti 1880, shkrimtari tregon një reflektim të tijin mbi kuptimin e jetës dhe vlerave të ekzistencës, të cilat duken edhe në tregimin e vitit 1886, Vdekja e Ivan Iliçit. Tregimi është një denoncim i shurdhët i gënjeshtrës dhe hipokrizisë së shoqërisë borgjeze burokratike, e cila duket se vihet në lëvizje nga mekanizma dhe marrëdhënie shumë të rrepta, por që në fund del se ëhstë zhgënjyese dhe e rreme. Protagonist është një funksionar i cili gjatë gjithë jetës ë vet asimilon dhe i bën të etët këto mekanizma e rregulla, aq sa beson se gjen kënaqësi e vetërealizim, por që bëhet i vetëdijshëm, nëpërmjet përvojës së dhimbshme të sëmundjes e pastaj të vdekjes, për gabimin e tij fatal. Vdekja në këtë rast, shfaqet si një çast çlirues dhe jo i lumtur, sepse lejon shkëputjen nga etiketat dhe nga opinionet që të ngjesh bota e jashtme, duke na hequr qashtërsinë dhe aftësinë për të provuar ndjenja autentike.   “Ndoshta nuk kam jetuar siç duhej,” i erdhi befas në mendje. “Por unë gjithnjë sipas rregullave kam vepruar?” i tha vetes së vet dhe përzuri menjëherë, si diçka krejtësisht të pamundur, atë zgjidhje të vetme të enigmës së jetës e të vdekjes”   «Dhe kur donte të mendonte se gjithë kjo ndodhte ngase nuk kishte jetuar siç duhej […], menjëherë ndërmendte se kishte jetuar përherë sipas rregullave dhe e përzinte atë ide të çuditshme

Marsel Proust

Në kërkim të kohës së humbur, vdekja është një element që ndan, që krijon dhimbje dhe që lë një bosh. Por kësaj domethënieje të vdekjes, e cila nuk është nga më origjinalet, i bashkangjitet edhe një tjetër, shumë më interesante, të cilën mund ta shohim në rastin e vdekjes së Bergotit, shkrimtarit. Vdekja e tij përshkruhet në vëllimin E burgosura: shkrimtari, i cili ka probleme me stomakun, shkon në një ekspozitë arti, por ndërsa vëzhgon tablotë e nxjerra aty, një dhimbje e fortë i shkakton vdekjen në mënyrë të papritur. Pasazhi i këtij përshkrimi është interesant, sepse tregon, sipas Prustit, se figura e njeriut dhe e artistit janë dy gjëra shumë të dallueshme nga njëra-tjetra: në të vërtetë, nëse njeriu vdes, edhe në mënyrë jo shumë dinjitoze, ndoshta se nuk i janë tretur mirë patatet si në rastin e Bergotit, është gjithashtu e vërtetë që, përkundrazi, artisti nuk humbet aspak nga dinjiteti i vet dhe vazhdon të jetojë në përjetësi, në kujtesën e njerëzve që e kanë dashur dhe në veprën e tij. Me fjalë të tjera, arti është i aftë t’ia rijapë jetën njeriut, dhe në këtë domethënie të tijën ka edhe funksionin më të rëndësishëm për njerëzimin.   “E varrosën, por gjatë gjithë natës funebre, nga raftet e ndriçuar, librat e tij, të radhitur në grupe prej tre syresh, ruanin si engjëj me krahë të hapur dhe ngjanin, për atë që nuk ishte më, simbol i ringjalljes së tij“.


Përgatiti: Elvana Zaimi

Shopenhauer : “Njeriu është një kafshë metafizike“.

Jo rastësisht, përgjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të shkuar, Kisha katolike i është rikthyer debatit thuaj të përjetshëm mes Arsyes dhe Besimit. Në çdo epokë, që nga Shën Agustini deri tek Kierkegaardi, mendimtarët e Perëndimit të krishterë janë munduar të dimensionojnë dhe ridimensionojnë Zotin.

Filozofi i madh Arthur_Schopenhauer

Filozofi i madh Arthur_Schopenhauer

Sipas prizmit të secilit, ata kanë përshkruar herë herë një burim ekstaze mistike, një arkitekt të Natyrës ose dhe një shtyllë të Moralit njerëzor. Konceptet e krijuara në këtë mënyrë qëndojnë në themel të pyetjeve dhe të vetë-pyetjeve që ngrenë besimtarët – por edhe të tjerët. Pasi jo gjithmonë Besimi mund të pajtohet me Arsyen dhe kjo, kryesisht për « faj » të të parit.
Fillimisht, Besimi mund të kqyret si një ndjenjë personale (ose kolektive) – e qënësishme, e patransmetueshme dhe e patjetërsueshme – që krijon bindjen e egzistencës dhe të prezencës së Zotit si një « fuqi supreme », e cila urdhëron sendet dhe qënien. Në këtë mënyrë, kjo ndjenjë mbetet subjektive dhe s’ka nevojë për arsyen për t’u ushtruar, sikundër dhe vetë pyetja « kush është Zoti? » nuk mund të marrë asnjëherë përgjigje. Si mund të paraqitet e « paparaqitshmja »? si mund të lidhet fjala apo shprehja me një « qënie », e cila mund të shprehet veçse me anë të një ndjenje?

Ja pra, i bie që të jetë arsyeja e cila duhet të shprehet lidhur me besimin – dhe mbi vetvehten, duke krijuar që në origjinë një diferencim mes këtyre dy koncepteve.

Intuitivisht, mund të imagjinohet se besimi qëndron diçka më poshtë se sa arsyeja, për të mos thënë se është inferiore ndaj të parës. Inferiore në kuptimin se të besuarit mbështetet dhe krijon tek besimtari një siguri subjektive, themeli i të cilës nuk mund të verifikohet : besimi është me përcaktim si iracional, një fushë e përveçme dhe personale që s’ka nevojë për asnjë ligj dhe në të cilën gjithçka është e mundshme.

Pra, një botë më vehte ku naiviteti i fëmijës bashkëjeton me ngultësinë e të çmendurit – e parë nga bota tjetër e arsyes, e drejtuar nga njerëz të rritur, të karakterizuar nga mendja e ndritur.

Sot, arsyeja kqyret si një veti e shpirtit njerëzor, aplikimi i të cilës na lejon të përcaktohen kriteret e së vërtetës dhe të te rremes, të dallohet e mira nga e keqja, të ndërtohet një sjellje e tërë që lidh vetvehten me mjedisin shoqëror.. Në këtë mënyrë, kjo veti e shpirtit mund të konsiderohet në disa plane njëherësh : shkencor, filozofik ose etik.

Megjithatë, përballë besimit, arsyeja gjendet në vështirësi pasi ajo nuk mund t’a trajtojë atë vetëm nëpërmjet filtrit të përçmimit. Në përputhje me kërkesat e saj të brendshme, arsyeja duhet të gjejë arsyen e egzistencës së besimit dhe me këtë rast, të propozojë një shpjegim « racional ». Përse njerëzimi që prej lindjes së tij është i lidhur me besimin dhe për më tepër, përse ai e ruan atë si një diçka fort të çmuar?
Përgjigja më e zakonshme dhe ndoshta klasike është ajo që e klasifikon besimin në rregjistrat e psikologjisë, të subjektivitetit ndjenjësor : njerëzit kanë patur nevojë të besojnë në « diçka » për t’u siguruar, për të shpjeguar të pakuptueshmen, ose fundja për të krijuar mjetet e mbizotërimit.. Pra me fjalë të tjera, besimi shërben për të mbushur në mënyrë imagjinare « defiçitin » e reales : mungesën e njohjes, mungesën e forcës, mungesën e kurajos.. A është kjo, përgjigja e vetme e mundshme? A mund të kënaqë të gjitha çfaqjet dhe aspektet e besimit? Ja ç’mendon pala « racionale » :

Diku në veprën e tij, antikleriku Volter shprehej :

« .. Ç’është besimi (feja)? A është të besuarit në atë çka duket si vetë evidenca? Jo, më duket evidente që egziston diku një Qënie e domosdoshme, e përjetshme, inteligjente; ky nuk është besim, është arsye. Nuk kam asnjë meritë të mendoj se kjo Qenie e përjetshme dhe e pakufishme, të cilën e njoh sikur të ishte virtuti, mirësia vetë, bën që të jem i mirë dhe i virtutshëm. Besimi qëndron në të besuarit, jo në atë çka duket e vërtetë, por në atë çka duket e rreme lidhur me gjykimin tonë. Aziatikët mund të besojnë vetëm nëpërmjet këtij besimi lidhur me udhëtimin e Muhametit në ato shtatë planetet, në mishërimin e zotit Fo, të Vishnusë, të Brahmës.. etj.. Ata nënshtrojnë gjykimin e tyre, ata dridhe përpara mundësisë të shqyrtimit , ata nuk duan të përfundojnë mbi hu, as edhe të digjen; prandaj ata thonë : unë besoj ».

Filozofi Niçe (Nietzsche), i përmendur për konceptin e tij të « vdekjes filozofike dhe teologjike të Zotit », shprehet :

« .. Shkenca dhe Feja jetojnë mbi dy planete krejt të ndryshme. E para i përket arsyes, dhe e dyta mbështetet mbi ndjenjën.. Kur ke besimin, nuk ke nevojë për të vërtetën.. ».

Marksi, gjykimet e të cilit lidhur me fenë tashmë njihen, diku shkruan :

« .. është njeriu që ka krijuar fenë, dhe nuk është feja që ka krijuar njeriun. Ajo është një realizim fantastik i qenies njerëzore, pasi qenia njerëzore nuk zotëron realitet të vërtetë. Të luftosh kundër fesë, është të luftosh në mënyrë të tërthortë kundër kësaj bote, për të cilën, feja është aroma shpirtërore. Fatkeqësia fetare është shprehje e fatkeqësisë reale dhe për të parën, një protestë kundër fatkeqësisë reale. Feja është shpirti i një bote pa shpirt, sikundër ajo është opiumi i popullit.. »

së fundi, Ajnshtajni, edhe ai, i shkruante dikujt në vitin 1954 :

« .. ajo çka keni lexuar lidhur mbi bindjet e mia fetare është veç gënjeshtër, natyrisht, një gënjeshtër që vazhdon dhe përsëritet. Nuk besoj në një Zot personal dhe asnjëherë nuk kam thënë të kundërtën, gjithmonë jam shprehur kjartë. Në qoftë se egziston në brendësinë time diçka që mund të quhet « fetare », do të ishte admirimi pa fund përpara strukturave të universit, për aq sa shkenca jonë mund të çfaqë ».

Megjithatë – edhe duke lënë mënjanë përvojën filozofike të Kierkegaardit, i cili predikon se besimi e tejkalon arsyen nga pikpamja e esencës, problemi mbetet fort i ndërlikuar. Mjafton të thuhet se Perëndimi identifikon të besuarit me pjesëmarrjen në një Credo, në atë që zakonisht quhet të vërtetat e Besimit. Nga ana e saj, kisha nënvizon faktin që kjo pjesëmarrje duhet kuptuar si një akt besimtarie të domosdoshme dhe të nevojshme për shëndetin shpirtëror të vetë njeriut.

Përfundimisht, a ekzistojnë sende ose ide, përkundrejt të cilave, besimi mund të pranohet si i vetmi raport logjik? Sende të tilla, për të cilat në të kundërt, do të ishte irracionale të imagjinohej dhe të pretendohej se mund të kuptohen ose të zotërohen vetëm me anë të arsyes?

Po sikur fusha e këtyre « sendeve » të ishte ajo e marrëdhënieve mes njerëzve, që ngrenë këto pyetje? Ja pra, edhe sikur këto marrëdhënie të presupozojnë një dialog – qoftë edhe të mbështetur mbi arsyen – ky i fundit, i zhvilluar mes njerëzve të lirë, mbështetet mbi fjalën jo vetëm si një « send » i cili duhet kuptuar me anë të arsyes por para së gjithash, si një « send » i cili duhet besuar.

Ja se si shprehet diku, pastori Martin Luther King :

« .. mund të egzistojë konflikti mes njeriut të fesë me shpirt të brishtë dhe atij të shkencës me shpirt të përmbledhur, por asnjëherë mes vetë shkencës dhe fesë. Botët e tyre respektive janë të veçanta dhe metodat e tyre të ndryshme. Shkenca kërkon ndërkohë që feja interpreton. Shkenca pajis njeriun me një njohje e cila është forcë, feja i jep njeriut një urtësi që shërben si kontroll. Shkenca merret me faktet, feja merret me vlerat. Ato nuk janë rivale të njera tjetrës. Ato janë bashkëplotësuese. Shkenca pengon fenë të fundoset në iracionalizmin e pafuqishëm dhe në obskurantizmin paralizues. Feja e përmban shkencën nga të zhyturit në materializmin e pakufi dhe në nihilizmin moral ».

Shkruar nga,Georges Xexo

 

Gjosho Vasija, një zë që kumbon në kushtrimin artistik të Shkodrës

Është ndarë nga jeta dje pas një sëmundje të gjatë kronike, humoristi shkodran, Gjosha Vasia. “Mjeshtri i madh”. Kush nuk e mban mend humoristin elegant shkodran, parodistin e kupletistin e mrekullueshëm me kitarrë,  imituesin e jashtëzakonshëm të disa zërave brenda të njëjtit kuplet, Gjosho Vasinë? Për shumë e shumë vite ai ishte ndër komikët më të preferuar në skenën e estradës e në ekranin e televizorit shqiptar, për ato aftësi originale që e bënin të pangjashëm me asnjë komik e humorist tjetër. I perskutuar që në vitet e para të rinisë së tij dhe i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, atij ju desh të mbijetonte në luftë të heshtur por të pandërprerë me diktaturën.Sepse, përveç “njollës” në biografi, ai kishte edhe atë eshkën përherë të ndezur në gjirin e tij, humorin e mprehtë e satirën e hollë që në çdo kohë mund të ndiznin zemrat e publikut. E diktatura e dinte që ajo eshkë mund të ndizte zjarr të madh, ndaj e mbante nën survejim të përhershëm, ja kufizonte deri në minimum mundësinë e skenës e të ekranit,por nga ana tjetër nuk mund ta bojkotonin tërësisht, sepse publiku e donte, edëshironte,e kërkonte praninë e tij, e duartrokiste. E çuan në fabrikën ecigareve në Shkodër e ai diti të ngrejë grupin më të mirë të estradave

amatore në vend, duke konkuruar edhe me estradat profesioniste. Suksesi i tij nuk u pëlqente sigurimsave, ndaj e transferuan punëtor në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Por, i persekutuari që nuk e hiqte buzëqeshjen nga buza se shpirti idonte gaz, komiku, shkrimtari, kompozitori e regjisori që ishin bashkërisht në personalitetin e Gjosho Vasisë, spikatën edhe atje.E ngriti grupin e estradës më të njohur,që mori famë në të gjithë vendin dhe kërkohej nga të gjitha skenat e Shqipërisë. Bile, në një festival kombëtar të estradave profesioniste, grupin e tij amator e futën të konkuronte me ato grupe që skenën e kishin profesionin e tyre, punën e tyre të përditshme. Por Gjosho Vasija, diti të ndërtojë një shfaqje fine, të bukur e moderne, me humor të hollë e të këndshëm, aq sa triumfoi mbi profesionistët dhe juria nuk kishte nga t’ja mbante dhe i dha vendin e nderit.Për grupin e Gjoshos, nuk ishte asnjëherë problem shitja e biletave,përkundrazi ishte problem se salla nuk kishte vende të mjaftueshme as në këmbë për të futur tërë publikun që ishte gati ta blinte biletën edhe me dyfishin e saj.

Gjosho, në lartësinë e 80 viteve moshë, që për fat të mirë as i tregon, prej më se 20 vjet jeton në azil politik në Itali. Falë internetit, pata fatin e kënaqësinë të lidhem me të. Ai më ka dërguar një tufë krijimesh, nga të cilat po zgjedh disa për t’ja paraqitur lexuesit.

Krijimet e Mjeshtrit të Madh, Gjosho Vasija, janë shkruar në gegnisht, në/shkodranishten e ëmbël, që i ka dhënë suksesin në skenë e në komunikimin me njerëzit.

 

Gjosho Vasija, humoristi shkodran me kitarren e tij ne shtepine ku banonte

Gjosho Vasija, humoristi shkodran me kitarren e tij ne shtepine ku banonte

Gjosho Vasija, humoristi shkodran ne studion e tij

Gjosho Vasija, humoristi shkodran ne studion e tij

Gjosho Vasija dhe Gezim Kruja, dy humoristet shkodran nderohen me titull nga Presidenti i Republikes, Bamir Topi

Gjosho Vasija dhe Gezim Kruja, dy humoristet shkodran nderohen me titull nga Presidenti i Republikes, Bamir Topi

Gezim Kruja dhe Gjosho Vasija gjate ceremonise se dekorimit ne Presidence

Gezim Kruja dhe Gjosho Vasija gjate ceremonise se dekorimit ne Presidence

Miku dhe artisti i Madh Gjosho Vasia u nda sot nga jeta.

Nje artist i madh por kurre i vleresuar as nga Shkodra as nga Shqiperia,me ndonje titull, Vjen nga kampet e interrnimit te Tepelenes ku jihet dhe dashuron te vetmen te dashur Berine Kaceli , pra Atleti Poeti publicisti humoristi kompozitori, me nje bote shume te madhe artistike dhe shpirterore me nje edukate te stilit precioz qe parapriu te gjithe artistave shkodran, eshte pikerisht ai qe nxorri ne skene per here te pare artisten e popullit Vace Zela.Zef Deden e sa e sa te tjere.Kalvari i tij qe nis me I persekutimin r tij si njeri,(nga arratisja e vellait) dhe mbaron sot me mergate ne Trieste qe nga viti 1991. Para nje viti shume i entuziasmuar me tha se Sokol Olldashi i ka premtu nje hyrje ne Durres..por sot shpirtrat e tyre si I Artistit dhe i Sokolit jane ne paqen e perjetesise dhe nuk kane nevoje per strehe me te mire se ne qiell. Humbja e jote Gjosho Vasia nje zbrastesi te madhe na la do na mungosh shume fizikisht por ne mendjet tona nuk do te shuhet thirrja e jote “ALEGRIIIIIA”

Shpirti yt pushofte ne paqe…

 

Paska nderruar jete Gjosho Vasija…Nje artist i madh,poliedrik,mjeshter humori,aktor,autor kengesh,satirist…Pati fatin e keq dhe jetoi ne nje kohe kur nje talent i madh si i tij ishte gati mallkim…ishte mallkim sepse jetoi ne nje kohe kur suksesi percaktohej me servilizem dhe jo aftesi,nje kohe kur mediokrit urrenin te aftin,kur anti-vlera ishte mbisunduese!Vdiq nje mjeshter qe nuk e merituam ta kishim ne mesin tone pasi asnjehere nuk ju njohen vlerat!U perndoq u internua gjithe jeten!

Me vdekjen e tij humori shqiptar u varferua kurse Parajsa fitoi duke u pasuruar me nje mjeshter…

U prehsh ne paqe Gjosho Vasija!

 

Po sjell me kete postim nje nga krijimet e tij:

 

“Metamorfoza e djallit…”

 

“Shih pashë bukën kë po shoh….

posi xhanëm nuk po t’njoh?

Kem pasë shpijat pranë e pranë,

…t’kam njoftë babë e t’kam njoftë nanë.

kemë luejtë bashkë në kohë t‘f’minis

masandej në moshë t’rinisë

shpejt u fute n’gji t’partisë

dhe u bane komunist

si ma i ndezti aktivist,

me nji fjalë të dhanë kulturë

tue vu gur e tue ba murë

me ndërtue at diktaturë”…

“Çka me bà… Asht mbyllë tash dera,

kanë qenë krejt do kohna tjera.”

 

“Vërtet kjenë do kohna tjera…

Komunizmi kje kolera,

kje trathtija, vrasja e mnera.

Injoranca deri n’bindje

do e çojmë atdheun në Lindje.

Edhe morët thikat n’dorë,

edhe niset pa hiç zor

me i ra tok’s kryq e tërthur

tue shtrij n’popull diktaturë

N’gjak u mbluene votrat tona,

helm u hodh mbi sofrat tona,

ç’u mbush toka me kufoma,

si e si me urdhën t’shkjaut

me ia nxjerrun shpirtin vllaut…

Sot besoj se kjo doktrinë

si e kalbun, qelbësinë

duhet vàr tek nji vitrinë,

ku sejcili kalimtar

të ndalohet, puna e parë,

e pa zor e pa poterë

do ta pshtyjnë nja 30 herë!”

 

“Ke të drejtë, mjerim çdo skaj,

por dhe nè nuk patëm faj..

Fill sa hymë na gjujtën n’rrena,

rrena e rrena, çdo orë rrena

erdh nji ditë e na u mbush ena

që besuem se me t’vërtetë

do t’i japim vendit jetë.”

“Sot ku je, çka je tue bà,

a po merresh me ndoj gjà,

me thye tokë a me prè drù,

ndoj pullaz me rregullue,

me kullotë kund dhen a dhì,

a por ndoshta je ndry n’shpi

fukara me lugë, pa lugë,

se ke zor me dalë në rrugë.

frigë se t’gjujnë fmija me gurë

si pjestar në ‘diktaturë?”

“Po, diçka kam ardhë vërdallë

mos me mbetë si peshku n’zall..

Shpejt u mblodhem, biseduem,

fillë nga triskat u liruem,

disa i hodhën ndër fekale,

disa i tretën ndër kanale,

se ma ftyra e diktatorit

nuk e dij ku a tretë prej zorit

por mbaj mend i bamun n’copa

copa e copa ku pat gropa –

Masandej si qethën dhentë

edhe ne i qethëm mendt

edhe fill e “no koment”

filluem punën n’Parlament.”

 

“Komunista në Kuvend???

Ti po rrenë a me gjithë mend,

Deputet me hy n’at prak,

ju që’i keni duer’t me gjak,

ju bash mjeshtrat e torturës,

baballar’t e diktaturës?”

 

“Njashtu asht, por kjo spjegohet….

Kur me drù pop’lli nënshtrohet

e me rrena përpunohet,

rrena e rrena e kaçarrena

deri që t’i mbushet ena,

e t’i bahet shqiptar ngratit

jo ma larg se tesha e shtatit,

ajo turmë harron dishprimin,

dhe miqësohet me rregjimin,

sa që deri diktatorin

për si babë e rreh krahnorin..

Sot prap jemi të nderuem,

të përshndetun, të trajtuem

kemi prona me 8 kate

e dikush me 12 kate….

Që ta dijsh Gjosho Vasija

asht e thjeshtë këtu historia…

Komunizmi kurr nuk vdes

sa t’kenë bota faqezes,

ai liviz ose ndrron ves,

der djè lkurë e n’diktaturë

sot me rrogë e me veturë,

der djè i kuq e sot bojë rozë

me nji fjalë e thanun n’prozë

ajo pëson metamorfozë,

pra nuk vdes, por rrin i gjallë

sepse kemë nji mende djallë,

e nji popull krejt budallë.”

 

“Kam ba mirë unë si shqiptar

që jam zhdukë si mërgimtar

mos me’i pà mà’ ata vrastarë,

njata qej, njata kusarë…

(www. proletari.com)

NDRE MJEDA, KLERIKU QË BASHKOI BIBLËN ME SHPIRTIN E MALËSORIT

 

Nga Dom Nikë Ukgjini

Mjeda si prodhues i artit origjinal shpreh bindjen se poezia qëndron lart mbi lirinë dhe robërinë. Andaj, më të drejtë poeti poezinë heroike i mbështjell më nocione hyjnore, do te thotë, i jep dimension të një përjetësie.

Ndre Mjeda nje nga poetet me te rendesishem te letersise shqipe

Ndre Mjeda nje nga poetet me te rendesishem te letersise shqipe

Fjala bari-bari-u, në latinisht –pastor-oris, në leksikun teologjik të krishterimit  ai që ruan që mbarështon besimtaret. Apo drejtues – kujdestar i  ngarkuar me një detyrë me përgjegjësi tek një bashkësi, etj, ai që është i ngarkuar të drejtojë dhe udhëheqë shpirtërisht besimtarët e vet. Në Besëlidhjen e Re, ky atribut i dedikohet  themeluesit  të krishterimit, Jezu Krishtit. Pas tij, ky atribut i  jepet shërbimit ipeshkvnor – ipeshkvijve apo dhe klerikut si shtresë më e ulët kishtare. Unë jam Bariu i  Mirë. Bariu i  mirë e jep jetën e vet për dele (popull). (Gjoni, 10,11.) Fjala Shpirt (hebraisht -ruah, gr-pnèuma, psychè) në kuptimin biblik, në të gjitha gjuhët klasike, ka një larmi kuptimesh si: Era, Frymëmarrja, Shpirti  i Njeriut, etj. Në kuptimin e Shpirtit, të njeriut, për sa kohë mbetet tek njeriu, kjo frymë hyjnore  i takon vërtet atij dhe bën mishin (korpin) e tij, pra të njeriut të pajetë, një qenie që vepron, gjallëron etj.

Më  ketë rast kemi parasysh kujdesin e tij  shpirtërorë   për besimtarët që iu ishin besuar prej Kishës Katolike dhe jeta e tij  shpirtërore   nga thithi nektarin e gjithë krijimtarisë së tij letrare. Shkrimi ka për qellim të hedh dritë mbi botën më pak të komentuar të poetit, si ajo, “sarx”, “pnèuma”, “psychè” nga e cilat, Mjeda u lind dhe u formua si talent i jashtëzakonshëm  dhe arriti të bëj për shqiptaret epokë në mënyrën e vet. Rrugëtimi  i poetit. Nisja për jetën e meshtarisë Ftesa për t’u bërë meshtar, (klerik) sipas biblës është një vepër Hyjnore. Zoti këtë ftesë e tyre ishte nxitur nga jeta e përshpirtshme qe kini prindërit, babait Jakut dhe e nënës Luçe, më ndërmjetësimin e Shpirtit Shenjt (Shpirtit të Zotit) dhe shpirtit të tyre të pastër për të iu kushtuar Zotit Hyj. Andrea (Ndreu) u lind më 20 nëntor 1866 dhe Lazri më 6 mars 1869 në Shkodër. Ata u linden nga një familje shumë e varfër dhe e vuajtur, por e ndershme dhe e përshpirtshme e ardhur nga Kryeziu i Pukës në Mjede, për ta vazhduar pastaj jetën në Shkodër. Në ketë kohë populli shqiptare lëngonte nga robëria e egër osmane, çetës se atyre klerikëve qe ruanin fe e atdhe ia bashkëngjiten  dy vëllezërit të cilët që në moshë të re, kishin vendosur të marrin rrugën e një udhëtimi të gjatë, dhe delikat për kohen, për tu bëre bari të shpirtrave e në veçanti popullit shqiptar. Nëna, Luçe edhe pse e vej, kishte dhuruar Zotit e kombit dy djemtë: Andre dhe Lazrin, duke i nisur për tu shkolluar gjatë viteve 1873- 1878 në Arqipeshkvin e Shkodrës dhe më pas në Seminarin Papnuer të Shkodrës i  cili udhëhiqej nga eterit Jezuit. Një rol të rëndësishëm në përkushtimin e jetesë kishtare të Imzot Lazrit dhe Dom Ndreut, padyshim e patën, famullitari i  atëhershëm dom Zef Shestani e  pasuesi, dom Engjëll Radoja, si dhe edukatoret e Shoqërisë Jezuite, të cilët këta të fundit e morenë Ndreun për ta brumosur në gjirin e tyre.

Mjeda hartues dhe përkthyes  i teksteve biblike

Ndre Mjeda që në moshë të re filloi vërtetua shumë shpejt, kur moshën 16 vjeçare qe dërguar nga Jezuitët në studime të cilat i realizoj gjatë viteve 1880-1895,  duke qëndruar në vende të ndryshme të Evropës, si: Itali, (Kremona, Chieri), Francë, (El Pog, Cosse-le, Vivien ), Kroaci (Kraljevica) Spanje (Porta Coeli- it, Ara Christi) e deri në Poleni (Krakovë), kur i përfundoj studimet e larta teologjike dhe u shugurua për meshtar i kishës katolike.

Mjeda ishte i  vetëdijshëm se arsimimi, dituria, shkenca, janë elemente të rëndësishme për njeriun, për të qenë i aftë për të dëshmuar përkushtimin ndaj Zotit, Atdheut dhe bashkësi e krishtere , Kishës. Andaj gjate qëndrimi nëpër universitet evropiane ju përkushtua studimeve. Pos hartimit të lirshëm të poezive në latinisht dhe shqip, shkrimeve poetike do përkthente, dhe libra të çmuar edukative-arsimore në  fushën e  letërsisë shqipe dhe letërsisë teologjike në shqip. Disa prej tyre u botuan gjatë jetës studentore si : “Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans” Jeta  e  Shën  Gjon  Brechmansit) jeta  e  një  Shenjti të  Shoqërisë  Jezuite,  Romë, 1888, “T’perghjamit  e  Zojs Bekume” (Përngjasimi i  Zojës së  Bekuar) Romë 1892, përkthyer nga spanjishtja, botimi dytë i Shkodër, 1927 etj.. Ketë aktivitet e vazhdoj edhe pas kthimit të tij në atdhe.

Ishte kjo një nisje e mbarë studentit të ri, për zhvillimin e mëtejshëm të arsimimit kulturor e fetar, të cilin e kultivoj tërë jetën. Qe nga dita e kthimit të tij në atdhe, në vitin 1899, i gjithë aktiviteti  i tij baritor  dhe intelektual, qe përqendruar në celebrimin meshave, të sakramente të ndryshëm, predikimin e Fjalës Biblike (Fjales së Zotit), në shuarjen konflikte dhe pajtimit në popull, etj., dhe  në  edukimi e  jetës sociale, arsimore e  kulturore të  popullatës, e  cila akoma  ishte e prapambetur e nga pushtimet osmane.

Mjeda, gjatë punës baritore, (shpirtërore), shumëvjeçare, në famullit: Vig, Mnelë, (1899-1900), Dajç të Zadrimës, (1902-1906),  Kukël (1906-1937),  dhe disa të tjera për rreth duke e pare nevojën mësimeve biblike në shqip, vazhdoj të merrej më përkthimin dhe hartimin e librave, shpirtërore, biblike dhe  teologjike, duke  e  shpalosur kështu talentin e  tij   të  rrallë si një intelektual   i spikatur i përmasave kombëtare por dhe evropiane. Ai, më pendën e tij të artë la gjurmë te dukshme në hartime të teksteve dhe përkthime nga gjuha: latine, italiane, spanjollë polake etj, të cilat për 30 vite më radhë u përdorën nëpër shkolla për edukimin brezave te rinj.

Mjeda, në këtë drejtim hartoi doracakun, “E diela nder Kisha t’ katundve”, Shkodër 1901. Më ketë doracak  populli i Zotit, duke lexuar do kishte mundësi për të kuptuar më mirë lutjet drejtuar Hyjit, nëpërmjet Meshës (Eukaristisë) Hyjnore, e cila është lutja më kulmore në jetën e çdo të krishteri  si dhe lutjet të tjera të përditshme. Më pas, hartoi dhe botoi librin për shkolla fillore, “Historia  Shejte” i  cili përmbante përshkrime të shkurtra të ngjarjeve biblike, botuar në Vjenë,

1915. Libri në fjalë, për shkak të rëndësisë së veçantë qe kishte dhe nevojave të popullit për të thithur njohuri të reja mbi etiken- moralin, sipas konceptit e jetës biblike etj., libri arriti të botohej tri herë në alfabetin e Agimit dhe një tjetër në alfabetin e Manastirit botuar në Shkodër, 1928

Mjeda,  talentin e tij  si përkthyes të ushtruar në shkollat jezuite evropiane, gjatë studimeve Filozofike dhe Teologjike, e shpalosi gjatë jetës meshtarake duke punuar edhe si anëtar i Kryedioqezës së Shkodrës, në famullin e Kuklit. Kontributin në pasurimin e letërsisë shqipe e dha duke ribotuar dhe botuar vepra të tjera fetare e letrare.

Ku pos “Historia Shejte”, Mjeda, për nevojat, e shtresës së lart intelektuale, përkthej dhe botoi librin e teologut të njohur të Kishës Katolike, Roberto Bellarmini, “Katekizmi   i  Madh”,– si një përmbledhje e shkurtër e mësimit të krishterë, botuar në katër vëllime, Shkodër 1927, dhe vëllimi  i pestë po aty në vitin 1928. Për edukimin e brezave rinj shqiptar përktheu librin e njohur tek rinia evropiane, “Shën Luigi Gonxage”, botuar në Shkodër 1927.

Duke vlerësuar rolin të cilin Zoja e Bekuar – nëna e Jezu Krishtit, kishte historinë e Kishës Katolike dhe nderimin që kësaj figure i jepte populli shqiptar, pendën e tij te mbrehur e vuri në funksion të saj, duke botuar pjesën e parë të librit “Lumnit e Zojës Bekume”, Shkodër 1929, të përkthyer që nga koha studentore. Më pas përgatiti një libër tjetër, “Jeta e se Lumes Virgjin Mri”, nxjerr nga vepra “Çeta e Profetëve” (Cunius Prophetarum) të Imzot P. Bogdanit, Shkodër,

1930.  Shkrimet e  tija kanë  rrezatuar dhe  për  revistat njohura si: Leka,  Hylli i  Dritës dhe Kumbona e se Diellës, etj., ku botoj artikuj të shumët, shkencore, kulturore, fetare, letrare- artistike etj..

Mjeda, më anën e hartimeve dhe përkthimeve brilante të këtyre teksteve, shpalos njohurit e të thella që ai kishte në fushën e filozofisë e teologjisë, lami këto shumë pak të njohur për popullin tonë, i  cili për faktin qe gjendej nën perandorin e egër osmane, nga këto mundësi  i ishte i privuar. Më këtë rast, gjuhëtaret, letraret, poetet, tanë nga Mjeda, do mësojnë se gjuha e jonë edhe pse ende e palëvruar, është e zonja të shpreh ndjenjat më thella njerëzorë ndaj Hyjit Nga librat e Shenjte (libra të frymëzuara nga Hyji) , mësojmë se zhanri poetik gjenezën e vet e ka qysh nga lashtësia. Populli i lindjes  si dhe Izraelitet si popull i zgjedhur  i Hyjit, kanë pasur prije të  fort për  prozë e  poezi. Poezitë shquheshin se  vepra frymëzuese mbinatyrore. Ato janë kënduar me instrument “Psalterion”  – korde hebraike. Poezia dhe proza, për ketë arsye në gjuhen biblike, quheshin “Psalme”, sipas kësaj vegle muzikore me ane të cilës behej përcjellja e këtyre këngëve (poezive). Psalmet ishin pjesë e lutjeve të caktuara për Tempull, më anë të cilave tregohej lidhja e ngushtë shpirtërore e popullit me Hyjin e Besëlidhjes së Vjetër. Psalmet si vlera me kulmore shpirtërore me anë të cilave tregohet qëndrimin e njeriu ndaj krijuesit, kanë hyrë në vazhdën e lutjeve të përditshme edhe në Besëlidhjen e Re për popullin e krishterë.

Vlera e tyre mbete e përhershëm, pasi klithma e shprehur prej autoreve të ndryshëm të këtyre poemave  me  himne,  lavde,  falënderime Hyjit,  kushtrim për  ndihmë, më  lutje e  ankime, mallkime, etj., burojnë nga vete natyra e njeriut-krijese dhe Hyjit krijues. Poetët shqiptare, të të gjitha kohërave, duke qenë klerik apo njohës te mirë të kulturës biblike, në fokus të poezive të tyre, krahas dukurive të shumta të jetës se përditshme, të natyrës qe e rrethon, kanë dhe trajtimin artistik të Zotit, Mbretërisë Hyjnore, dhe subjekteve të tjera të Biblike. Kur kemi të bëjmë me poetin Mjeda, ai, duke studiuar për 20 vite me radhë nëpër qendra me të njohura të Evropës, pati rastin të njihej shumë mire me vlerat më kulmore poezisë botërore dhe asaj biblike.

Mjeda, duke qenë klerik, dhe duke kuptuar mirë se shqiptari  i të tri besimeve e ndijën fuqishëm besimin në një Zot, në krijimtarinë e tij letrare – poetike, pos të tjerash, do shqiptonte qenësinë e se vërtetës Hyjnore dhe njerëzore si: drejtësia, flijimi, përvujtëria, dashuria, etj, të ndërlidhura shpeshherë, me  Hyjnë-Zotin, Mbretërinë Qiellore, Engjëjt, vdekjen, ngjalljen, si  emërues i përbashkët  i njeriu i të gjitha kohërave me ketë rast i shqiptarit.

Sipas Mjedës, shqiptaret si popull besimtar i  Zotit, duke e dashuruar Hyjin, do e dashurojnë dhe nderojnë dhe atdheun. Branko Merxhani, më të drejt do thoshte, se “Para së të mësojmë të për të menduar, duhet të mësojmë të dashurohemi. Duhet të mësojmë të besojmë”. Mjeda, duke i  dhënë veprimtarisë së tij  poetike këtë lloj trajtimi, ka arritur të shkëlqej në ketë fushë duke e bërë poet i përjetshëm. Po kështu, ai ka shkëlqyer në përkthime dhe hartime të librave shpirtërore, teologjike, duke u  quajtur një pasardhës i  denjë,  i  Buzukut, Budi, Bardhit dhe Bogdanit.

Mjeda, më poezinë e tij ka shprehur brendësin, shqetësimet dhe ndjeshmërinë e fuqishme për natyrën dhe njeriun mjere e të lumtur, si dhe për çdo gjë që atë e shoqëron. Në qendër të poezisë se tij, si klerik, qëndron qartë dhe thellë bashkimi dhe njësimi shpirtërorë e mendor  i njeriut. Sipas tij, njeriu, (shqiptari) si qeneje Hyjnore, pos që është i  lidhur më ambientin ku jeton, është i lidhur ngushtë  dhe më Zotin, më mbretërinë qiellore, vdekjen (morden), ngjalljen, parajsën, jetën e pasosur, kurse, shqiptari i  botës së krishterë, është i  lidhur  dhe më Jezu Krishtin, Engjëjt, Zojën e Bekuar, Kishën, festat e krishtera, etj.. Të gjitha këto nocione fetare i gjejmë kudo të shprehura në poezitë dhe prozën e Mjedës.

Krishterimi,  si koncept, te Mjeda ishte një mundësi dhe shpresë e madhe në përballimin e vuajtjeve të njeriut–shqiptar, që i shkaktoheshin  nga jeta primitive – fshatarësh dhe vuajtjeve që i  shkaktoheshin  nga robëruesit osman. Te  poemtha, “Lissus”,  , Mjeda,  duke thurur lavdin e heronjve tanë, hyjnizon sakrificat e atdhetare tanë, duke kërkuar nga Zoti që t’i shpërblej  për heroizmin e tyre për fe e atdhe: “Qe dëshmuesin, o Zot”, këndoshin,  “qi jetën, Për shejten fe, për Shqiptarin e shkrini, E  patundshme përherë shtyllë e mburoje. Ai diq o Zot, për mbas detyrës, por t’shkretën, Atme ti rueja, qi dikur pertrini, Ti n’qiell ndër mprojtsa t’ Shqiptaris rreshtoje”.

Ndërsa,  të  poezia,  “Vorri i  Skënderbeut”, –  një copë tokë ku prehen eshtrat e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, duke vlerësuar së tepërmi veprimtarin e tij si udhëheqëse i popullit tonë në mbrojtën e atdheut nga pushtuesit aziatik, poeti, varrin e Skënderbeut e ngritë në rangun e altarit Hyjnore: “E prej vorrit t’ktij farë trimit, Merrte uzdaj për vedi e mjera. Te ky lter i dashunimit Niste djelmt për luftna tjera”.

Edhe te poesia, “Mahmund Pasha”: ku përshkruhet kushtrim i  malësorëve në beteja kundër pushtuesit osman, e vdekja e pa lavdishme Kara Mahmut Pashës, poeti flet edhe për pjesë të jetës se tij si dhe çdo njeriut: vdekjen, ngjalljen, shpirti, Altarin, Hyjin, Shën Nikollin etj, nocione këto nga të cilat përbëhet jeta e çdo besimtari. “Se nji za shungulloj ku rri Hyji; Delni, o t’huejit, prei vendeve tona; Tjetër ligje e  flamurë ko nuk dona; U  betue Shqiptari e ngurroj, apo “ Mahmud pasha, Qe n’vorr Skenderbegu  ngrehu kryetin te kisha e Shë Nkollit…”

Mjeda si prodhues  i artit origjinal shpreh bindjen se poezia qëndron lart mbi lirinë dhe robërinë. Andaj, më të drejtë poeti poezinë heroike i  mbështjell më nocione hyjnore, do te thotë, i jep dimension të një përjetësie.

(shqiptarja.com)

Pikaso, gjithçka që kumtoi ishte liria

Nga Albert Vataj

Pablo Pikaso erdhi për të mbetur një piktor krejt tjetërqysh nga krejtkush mbërriti deri asohere. Kumtoi një art, pa rregulla, pa simetri, pa limite, pa kurrçka që morali u qas të orvatet përreth botës që ngjan një shpërthimi pa formë. Një plazmimi mbi letër të paanë dhe telajo që jo rrallëherë të përpinte nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe tek-tuk, copëza letre dhe bocete. Tançka prej të cilave kumtojnë një zgrip të thukët, nëpër të cilin shtegtoi piktori drejt yllit të tij gjithkahshndritës. Në jetën e vet të çartun, s’mori asnjë orë për të ndrequr sadopak formën njerëzore, të diktuar prej kallëpeve të kohës. Ishte shumëformësh, shumëçka në tjetërçka. Kremtoi me solemnitetin e bruztë identitetin e tij, si në pikturë, si në forma, si në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai kumtoi, me tërësinë gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një gjenialiteti që rritej nga format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i një prej rrymave më të fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e vet të krijimit, kubizmit.

Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj  si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit. Dukshëm me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv muri rrethues rregullash dhe limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere të frikshme arti dhe krijimi i deriatëhershëm e i derisotëm. Duke veshur fëmijërinë në pikturë, e hullit korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi dhe kjo qasje do ta nxjerrë në një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet akademike ishin dhe mbeten deri në fund për të, skllavëri e vullneteve të shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë, jo vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin e tablosë ku shtrihet portreti njerëzor i tij.

Piktore e Pablo Picasso 1881-1973

Piktore e Pablo Picasso 1881-1973

Portret i Pablo Picasso 1881-1973

Portret i Pablo Picasso 1881-1973

Guarnika e Pablo Picasso 1881-1973

Guarnika e Pablo Picasso 1881-1973

Pikture e Pablo Picasso 1881-1973

Pikture e Pablo Picasso 1881-1973

Më i potershëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë.  Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.

Pikaso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që lakuriqësinë e vishte me ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i tij mundi të ravijëzonte në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha kështu artit një dimension pa limite. I hapi qiejt dhe u dha zë dhe zemër gjithëçfarë pasionet e fshehta mbrunin duke e strukur në brendi shumësinë e impresionove dhe shkulmeve. Sakaq mëtoi diçka ndryshe në botëkuptimin dhe perceptimin artistik të kohës. E bëri këtë, ndoshta me kushtrim britës sa prishaqejfi shumë mendësi dhe mprehu urrejtjen e shumë anatemave. E bëri këtë dhe nuk mendoi se çfarë do të vinte pas, çfarë vendi do të zinte në eter ylli i tij.

Pablo ishte njeri supersticioz dhe sarkastik, baba i keq dhe shpesh një kafshë për gruan, shprehi e cila shpërfaqet në vizatime dhe piktura, në qëmtime dhe kumtime, ku rrebeshi mendor dhe emocional marrin drejtimin e ravijëzimeve mbi telajo dhe letër. Ai kishte përbuzje të neveritshme për artistet femra, të cilën gjithashtu nuk e fshehu. Siç nuk e bëri me asnjë nga çmenduritë e tij prej artisti relievthyer. Nga komentet më tipike për gratë dhe nga domethëniet, njëherazi të dendura, me penelata të forta dhe shumëformëshe është:  “perëndesha apo këmbësore”. I keqkuptuar apo i anatemuar, për kësi sajesash të bruzta dhe shpërthyese, njiherash edhe për vulgaritetin, dhunën dhe rrëmujën, ku i futi ai marrëdhëniet e tij me femrat. Gjithëkjo do ta bënte një nga më të urryerit e feministeve. Labirintet e ndërtuara çakërrqejf prej tij, do të ishin jo veç ekuacionet e konstruktit emocional dhe kreativ, por dhe rebuse të dekorit dhe gjeografisë fizike të perimetrit prej mishi, kockash, gjaku dhe ndjesish. Shpengimi i rrëfente gjithnjë rrugët e duhura. Deformacioni dhe trandja që mëtoi papushim, më vonë dhe përgjithmot do ta rendiste në piedestalin e penelatave më kumtuese dhe zotëruesin më vital, të përmasave impresionuese. Teveqel dhe orakull gjithashtu, dëshmon dhe në përkatësinë politike. Asnjë piktor apo skulptor, i deriatëhershëm, madje as mjeshtërit e penelit dhe të daltës, që konturuan dhe ravijëzuan veprën e tyre në memorien e përjetësisë, nuk kanë rrokur kaq përmasa lavdie sa Pikaso. Ai e rrëmbeu në një farë mënyre, trofeun e lavdisë në duart e nguruara të kohës.

Eshtë shumë e mundur që asnjë tjetër do të ishte rrokakohës sa Pikaso. Edhe asohere kur ngulmi  për të patur domethënie sociale, për të artikuluar mite dhe për të gjeneruar imazhe – sa madhështore, i ka kaluar fotografisë, filmave dhe televizionit. Edhe pse Marcel Duchamp, dhelpra e vjetër dinake e ironisë konceptuale, ka qenë disi më i famshëm se spanjolli në fjalë. Pikaso ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë, pionieri i bindjes së asaj kohe, që gjuha e pikturës dhe skulpturës kishte për njerëzit rëndësi më të madhe se vetë artisti që i krijonte. Ai ishte artisti i parë që u kënaq me vëmendjen obsesive të masmedias. Pikaso qëndroi në vijën ku takoheshin këto dy botë dhe luajti po atë rol, maskë, të cilën nuk e hoqi deri në fund. Nëse nuk do të kishte qenë ashtu, ndryshimi oshilant i stilit dhe çmenduria, forma dhe brendia, mesazhi dhe revolta, nuk do të kishte krijuar aq shumë polemika dhe natyrisht, nervacingëritje skolastike dhe akademike, padyshim as famë.

Në botën e sotme të artit, një vend pa heronj kulturorë, nuk do të ishte kurrë e imagjinueshme të ekzistonte një “mostër” i tillë despotik. Gama e tij e prodhimeve ishte shumë e gjerë. Ky, kryekëput nuk është një virtyt në vetvete. Nga pikturat e Vermeerit apo të vëllezërve Van Eyck, kanë mbijetuar shumë pak, por ato janë të rrënjosura në histori shumë më tepër se ç’ka qenë apo do të jetë ndonjëherë Pikaso. Megjithatë, manovrat e Pikasos kanë pushtuar botën dhe lanë një shenjë të përhershme në çdo disiplinë ku ai i fuste hundët për të mbetur aty si një gur themeli. Puna e tij u përhap masivisht, me imazhe që ndiqnin njëra-tjetrën, pa pushim pas vdekjes.

Ai ishte artisti me të cilin çdo artist tjetër duhej që virtualisht të krahasohej dhe nuk ka patur gati asnjë lëvizje të shek. XX që mos të ketë qenë e frymëzuar nga ai, për të cilën të mos ketë kontribuar apo që të mos ketë qenë e shpikur nga vetë ai. Për shembull, kubizmin, i cili është një nga bashkëpunimet më të mëdha të artit, Pikaso e shpiku bashkë me Georges Braque. I vetmi përjashtim, për shkak se Pikaso nuk ka pikturuar kurrë ndonjë pikturë abstrakte në jetën e tij, ka qenë pikërisht art abstrakt. E megjithatë, ka lënë edhe aty shenjat e tij të gishtërinjve dhe shembull për këtë është që ai ka patur një ndikim shumë të madh tek piktorët e artit.

Pjesa më e madhe e historisë së skulpturës moderne është e lidhur ngushtë me mbledhjen dhe shkrirjen e imazheve nga fletët e metalit dhe jo me modelimin e argjilave, derdhjen e bronxit apo me gdhendjen e drurit. Kjo traditë e formave të hapura të ndërtuara, në vend të shformimit të masave të ngurta, lindi nga një kitarë e vogël, të cilën Pikaso e bëri copa-copa dhe e riformoi përsëri me teneqe, në vitin 1912. Kolazhi, ngjitja e copave dhe imazheve, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, në një sipërfaqe të sheshtë, u bë metoda kryesore e artit modern, që ishte gjithashtu meritë e bashkëpunimit kubist të Pikasos me Braque. Ai nuk ka qenë kurrë pjesëtar i grupit surrealist, por gjatë viteve ’20 dhe ’30, ai prodhoi disa nga deformimet më të frikshme të trupit të njeriut dhe imazhet më të dhunshme, irracionale dhe erotike. Ai nuk ishte një piktor realist dhe as muralist i askujt, por megjithatë Guernica vazhdon të jetë një nga imazhet më të fuqishme politike të artit modern.

Pikaso nuk ka qenë një filozof apo matematikan, por puna që ai bashkë me Braque bënë, gjatë viteve ’11 dhe ’18, kanë qenë të lidhura ngushtë intuitivisht me perceptimet e mendimtarëve, si Ajnshtajni dhe Alfred North Whitehead. Ata thoshin se realiteti nuk është një figurë apo një hapësirë boshe, është një marrëdhënie, një fushë vezulluese eventesh, që i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Kubizmi ishte i vështirë të kuptohej, qëllimisht konfuz, megjithatë edhe shumë popullor. Asokohe e derimsot, vazhdon të jetë dialekti artistik më me influencë, ashtu siç ishte gjatë viteve ’20. Si për ta distancuar veten nga imitatorët e tij, Pikaso kaloi në ekstremitetin tjetër të artit të vjetër klasik, me pikturat e tij të grave të shëndosha, që shihnin ëndrra mesdhetare, si homazh ndaj Cort dhe Ingres. Edhe pse publiku e shikonte atë si prototip modernist, Pikaso ishte shumë i shkëputur nga arti modern. Disa nga artistët më të famshëm modernistë, si Kandinsky ose Mondrian, e konsideronin punën e tyre si një instrument evolucioni apo zhvillimi njerëzor. Por, Pikaso kishte shumë më tepër damarë utopie se sa idhulli i tij spanjoll, Goya. Ideja se arti evoluohej, ecte përpara ose se kishte ndonjë lloj misioni historik, atij i dukej qesharake. “Ajo çfarë kam bërë,- tha ai dikur,- është bërë për të tashmen, dhe me shpresën se gjithmonë do të mbesë në të tashmen. Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo për të ardhmen”. Çuditërisht, ai ishte gjithashtu kundër besimeve të ekspresionistëve, të cilët mendonin se arti merr vlera të mëdha kur afron të vërtetën, qenien e brendshme të autorit të tij. “Si mundet që ndonjë njeri të hyjë në ëndrrat, instinktet, dëshirat dhe mendimet e mia… dhe kundër çdo logjike, të kuptojë se çfarë dua të bëj, ndoshta edhe kundër vullnetit tim?”,- shpjegonte ai.

Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj lirie të dhunshme në përmasa nga vetësqarimi. Piktura për të, ishte një çështje spirituale. “Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo”,- thoshte Pikaso. Për të, ideja që piktura bënte atë çfarë donte nëpërmjet tij, do të thoshte që nuk ishte subjekt i etikës kulturore. Asnjë nga baballarët e tjerë të modernizmit, nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque.

Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i Pikasos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e çartun të artikulimit. Ai e përforconte këtë ide me një forcë të madhe plastike, duke të bërë që të ndiesh peshën e formave dhe tensionin e marrëdhënieve të tyre, duke vizatuar ose me anë të toneve të strukturës. Ai nuk ka qenë kurrë një kolorist i mirë, si Matisse apo Pierre Bonnard, por me anë të metaforës, ai përcillte shtresa të shumta kuptimore së bashku. Gjatë këtij procesi, ai ndryshoi një nga rrymat e artit modern. Modernizmi e la mënjanë procesin e tregimit të historive dhe filluan të kishin më tepër rëndësi marrëdhëniet formale. Por, Pikaso e riktheu përsëri në një formë të kamufluar, si një rrëfyes psikik, të shprehur me anë të metaforave, lojërave të fjalëve dhe ekuivalencave.

 

Elementi më i fuqishëm në histori, të paktën pas kubizmit, ishte seksi. Femrat lakuriq ishin subjekti i tij obsesiv. Çdo gjë në universin e tij piktoresk, sidomos pas vitit 1920, dukej i lidhur ngushtë me trupat lakuriq të femrave. Pikaso i veshi femrat e tij vetëm me ndjenja, që fillonin nga ëndrrat erotike deri tek arroganca e tërbuar dhe e hidhur, ashtu si asnjë artist tjetër perëndimor nuk kishte arritur kurrë t’i vishte. Ai e bënte këtë me anë të metamorfozës, duke e rikompozuar trupin sipas formës së fantazisë së tij të posedimit dhe sipas terroreve të tij seksuale. Tashmë, ai i kishte nxjerrë format e fshehura dhe krahasuese të lojërave të kubizmit jashtë sirtarit prej të krisuri dhe emocionalit të dizekuilibruar. E pse jo dhe një arroganti të sëmurë. “Të zhvendosësh”,- ashtu siç e quante Pikaso këtë proces,- “ishte të vendosje sy në mes të këmbëve, ose organe seksuale në fytyrë”,- të ecësh ku të tjerët nuk kanë guxuar. Të kundërshtosh, siç thoshte: “Natyra bën shumë gjëra sipas mënyrës sime, por i fsheh ato!”. Ashtu si prurjet e para, edhe të fundit, do të ishin vetëm të tijat, të ndryshme dhe të famshme, misionare dhe heretike, njerëzore dhe hyjnore deri në kurrnji trajtë të kumtuar deri atëherë. Ishte dhe mbeti një piktor gjeni, njeri që besonte se gjithçka që duhet të kërkosh në jetë, është liria, të cilën ai e zotëroi, e përqafi, edhe atje ku e mori përdhunshëm.